1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sudani i Jugut në prag të luftës civile

E. Xhani (dpa, epd, rtr)26 Dhjetor 2013

Njoftimet tronditëse nga Sudani i Jugut nuk po marrin fund. Këshilli i Sigurimit e ka përforcuar në mënyrë masive trupën e OKB-së në vendin e përfshirë nga konflikti. Por informacionet për varre masive nuk u konfirmuan.

https://p.dw.com/p/1Ah3b
Fotografi: Reuters

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon përpiqet t'u japë kurajo njerëzve. Sudani i Jugut është në rrezik por nuk është vetëm, tha Ban në një mesazh dhënë përmes videos radios. "Ne e dimë se shumë prej jush kanë pasur sulme të tmerrshme. Familjet kanë marrë arratinë, kanë humbur njerëz të dashur dhe janë në zi. Shumë njerëz janë sulmuar për shkak të përkatësisë etnike. Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut."

Më parë Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte vendosur të rriste me gati dyfish numrin e helmetave të kaltra në vendin më të ri afrikan për shkak të kërcënimit të luftës civile. Kështu në vendin e pasur me naftë në të ardhmen mund të angazhohen 12.500 ushtarë të OKB-së në vend të 7.000. Megjithatë është ende e paqartë se nga do të vijnë trupat shtesë.

Misioni i OKB-së: nuk ka të dhëna për varre masive

Vendimit i paraprinë informacione për vrajse masive, arrestime arbitrare, përdhunime si dhe largimi nga vendi i rreth 100.000 vetëve për shkak të dhunës dhe kaosit. Deri tani qindra vetë kanë humbur jetën për shkak të trazirave me motive politike.

Misioni i OKB-së në Sudanin e Jugut përgënjeshtroi ndërkohë një tjetër raport të OKB-së, që bënte fjalë për zbulimin e varreve masive. Sipas informacioneve të UNMISS me gjasë kemi të bëjmë me ekzagjerimin e pasojave të një përleshjeje të armatosur me 15 të vdekur. UNMISS po i shqyrton raportet për këto krime, por aktualisht nuk mund të konfirmojë ekzistencën e një varri të tillë masiv.

Komisarja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut Navi Pillay, të martën (25.12.) deklaroi në Gjenevë se organizata e saj kishte zbuluar një varr masiv në Bentiu, në shtetin federal Unity. Veç kësaj ka informacione për të paktën dy varre të tjera masive në Juba, deklaroi Pillay. Sipas të dhënave të diplomatëve të OKB-së janë gjetur të paktën 75 kufoma.

Rënie e fortë e nxjerrjes së naftës

Ushtarë të UNAMIS në Sudanin e Jugut
Ushtarë të UNAMIS në Sudanin e JugutFotografi: picture-alliance/AP Photo

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) përshëndeti dërgimin e ushtarëve shtesë të OKB-së në Sudanin e Jugut. Informacionet nga ky vend janë tronditëse, tha ai. "Tani duhet të pengojmë që këto luftime të kthehen në një luftë civile me motive etnike, që do të përfshinte gjithë vendin", deklaroi Steinmeier në Berlin. Gjermania mbështet me mundësitë e saj përpjekjet ndërkombëtare për qetësimin e gjendjes. Ai shprehu gëzim që me ndihmën e Bundesverit është mundësuar largimi nga Sudani i Jugut i shtetasve gjermanë.

Ministri i Jashtëm kinez Zhang Ming u bëri thirrje të dy palëve t'i japin fund armiqësive dhe të nisin negociatat. Shoqëria shtetërore e naftës China National Petroleum është një nga investuesit më të rëndësishëm në Sudanin e Jugut. Për shkak të konfliktit sasia e naftës së nxjerrë ka rënë me rreth një të pestën.

Shkak i konfliktit është lufta për pushtet mes presidentit Salva Kiir dhe ish zëvendësit të tij Riek Machar. Kiir ka mbështetjen e etnisë Dinka që përbën shumicën në vend. Udhëheqësi i rebelëve dhe ish- zëvendëspresidenti Machar ka mobilizuar për qëllimet e tij grupin e dytë më të madh etnik, Nuer.