Statusi i Trepçës përplas Haradinajn me Brukselin | Ballkani | DW | 05.02.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Statusi i Trepçës përplas Haradinajn me Brukselin

Kryeministri Ramush Haradinaj reagon ndaj BE-së: "Trepça kurrë nuk do të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, “një gjë e tillë dëmton sovranitetin e shtetit të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, reagoi ashpër ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se çështja e kombinatit metalurgjik Trepça, që ndodhet në veri të Kosovës është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk do të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Reagimi i kryeministrit erdhi pasi mediet në Serbi publikuan një deklaratë të zëdhënëses së BE-së, Maja Koçijançiç, e cila deklaron, se "të gjitha çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut”. Kjo deklaratë e irritoi kryeministrin e Kosovës, Haradinaj. "Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i paprecedent, i papranueshëm dhe si i tillë cënon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, shkroi në reagimin e tij, Kryeministri Ramush Haradinaj.

Maja Koaçijaçiç, zëdhënëse e BE-së ka thënë "transmeton media serbe Tanjug”, se të gjitha çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut.

"Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut ka për qëllim që të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve, t'i zgjidhë nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, citohet të ketë thënë Koçijançiç në pyetjen e gazetareve për Trepçën. Ajo ka shtuar, se "Bashkimi Evropian pret po ashtu që Kosova të pezullojë vendimin për taksën, në mënyrë që të mundësohet një kthim i shpejtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli”.

Për Serbinë ndërkaq, çështja e Trepçës nuk është e zgjidhur akoma, ndërsa, për Prishtinën zyrtare kjo çështje ka marrë fund në vitin 2016, kur kuvendi pati miratuar ligjin për Trepçën që e shndërron atë në një ndërmarrje me shumicën e aksioneve shtetërore. Menjëherë pas këtij vendimi qeveria në Beograd pati anuluar, siç thotë, "vendimin e Prishtinës dhe të gjitha veprimet juridike që pasojnë atë”.

Këtë të diel (03.02)ndërkaq, gjatë një seance maratonë për buxhetin, kuvendi në Prishtinë miratoi edhe statusin e Trepçës, duke e shndërruar atë përfundimisht në një ndërmarrje, ku 80% të aksioneve janë të shtetit ndërsa, 20% të punëtorëve të saj.

"Ky status i jep Trepçës legjitimitetin e nevojshëm për të operuar me të gjitha kapacitetet e saj dhe duke e rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Kosovo Primierminister Ramush Haradinaj (Reuters/H. Reka)

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj

Ditë më parë gjatë një proteste në veriun e Mitrovicës kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për Trepçën, udhëheqësit lokal serbë thanë, se "autoritetet e Prishtinës po tentojnë që ta grabisin Trepçën dhe t'i lënë serbët që jetojnë në veri të Mitrovicës pa punë”.

Qeveria e Serbisë vitin e shkuar miratoi një vendim që të nisë rifunksionalizimin e fabrikës së akumulatorëve, e cila gjendet në Trepçë në veri të Kosovës, në vlerë prej 14 milionë euro. Ndihmës drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka thënë, se "Serbia po bën gjithçka që ta ruajë kombinatin Trepça, i domosdoshëm për ekzistencën e popullit serb në Kosovë”. Ai thotë se "Prishtina dëshiron ta dëbojë popullin serb, gjë që shihet me miratimin e statutit të Kombinatit Trepça”.

Beogradi zyrtar pretendon se në strukturën e pronësisë të Trepçës, aksioneri më i madh është Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë me rreth 57 për qind, ndërsa aksionerët e tjerë më të vegjël, kryesisht janë kompanitë dhe bankat serbe, si dhe disa aksionerë të huaj.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë, se "fondi i investimeve serbe” për të cilin po flet qeveria ne Beograd, "është një fond i krijuar në kohën e Millosheviçit dhe për këtë arsye për qeverinë e Kosovës ai fond është i dyshimtë”.

"Çdo pronë në Republikën e Kosovës është pronë e Kosovës dhe kjo është përcaktuar qartë edhe me pakon e Ahtisarit dhe më vonë edhe me Kushtetutën e Kosovës”, i tha DW një zyrtar i qeverisë.

Gjiganti industrial Trepça, pas Luftës së Dytë Botërore, nacionalizohet dhe shndërrohet në industri të mineraleve metalurgjike-kimike të plumbit dhe zinkut, e cila në atë kohë punësoi rreth 20.000 punëtorë dhe prodhonte rreth 70% të burimeve minerale të ish-Jugosllavisë. Në shkurt të vitit 1989, kur Sllobodan Millosheviçi suprimoi autonominë e Kosovës, rreth 1300 minatorë të Stan Tërgut një nga minierat e Trepçës, hynë në grevë urie në shenjë mbështetje të ruajtjes së autonomisë së Kosovës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe vendosjes së administratës së OKB-së UNMIK, në vitin 2000 ky mision mori përsipër menaxhimin e procesit të riaktivizimit të Trepçës. Kjo ndërmarrje që ishte nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, (AKP) për gjithë këto vite funksionoi me kapacitete të limituara. Aktualisht Trepça, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që radhiten kryesisht në tre komplekse të mëdha, në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.