Sqarime mes kapitenit të kombëtares gjermane Balak dhe trainerit Lëv
31 Tetor 2008Kapiteni i kombëtares gjermane të futbollit Mihael Balak (Michael Ballack) dhe traineri Joahim Lëv (Joachim Löw) janë takuar për një bisedë kokë më kokë për herë të parë që prej kritikës së Balakut ndaj Lëvit. Liga Gjermane e Futbollit ka njoftuar se Lëv do të japë sot (31.10.) një deklaratë. Balak në një intervistë javën e kaluar ishte shprehur me tone kritike ndaj trainerit Lëv për shkak të qëndrimit të këtij të fundit ndaj lojtarit të kombëtares Torsten Frings. Frings ishte lënë nga Lëv në stolin e rezervës gjatë dy lojërave kualifikuese për kampionatin botëror. Balak tha se Lëv nuk tregon respektin e duhur për lojëtarët e angazhuar prej kohësh në kombëtare.
Balak (i cili luan për Chelsea-in), pas këtyre prononcimeve kishte kërkuar falje por traineri Lëv kishte ngulur këmbë në një takim në Gjermani. Balak fluturoi në Frankfurt me një avion privat për t'u rikthyer menjëherë pas takimit në Londër.
Sipas njoftimeve të gazetës gjermane "Bild", ka shumë gjasa që mes dy figurave kryesore të kombëtares të rikthehen tonet pajtuese. E hapur mbetet nëse Balak do të jetë i gatshëm të bëjë lëshime të tjera si p.sh. të japë dorëheqjen nga detyra e kapitenit të skuadrës.