1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sot për polakët BE-ja është më larg se kurrë

Thomas Rautenberg4 Maj 2006

U mbushën dy vjet që prej anëtarësimit të Polonisë në BE. E ndërsa popullsia është e zhgënjyer, poltika dhe ekonomia janë të kënaqura.

https://p.dw.com/p/ArBG
Fotografi: dpa - Fotoreport

Në radhët e polakëve sot nuk ndihet më shumë prej entuziazimit të kohës kur vendi u anëtarësua në BE. Për polakët BE-ja është më larg se kurrë. Njerëzit e thjeshtë janë të zhgënjyer:

"Asgjë nuk ka ndryshuar. Gjithshka ka mbetur njësoj."

"Për të rinjtë ndoshta është ndryshe, sepse ata mund të merren vesh në Evropë, se dinë gjuhë të huaja."

"Anëtarësimi i Polonisë në BE nuk ka ndryshuar asgjë në jetën time, basta."

Në radhët e politikës dhe të ekonomisë dëgjohen vlerësime të tjera. Miliardat e derdhura prej arkave të BE-së në Poloni i kanë dhënë një shtysë të papritur ekonomike vendit. Me këtë ndihmë ekonomike mundën të hapeshin 80.000 vende të reja pune. Po ashtu prodhimi social bruto i vendit shënoi një rritje prej 0,9 përqind, pra rreth 2 miliardë euro. Të tilla shifra nuk mund të kalonin pa u vënë re edhe nga skeptikë të dikurshëm, kryeministri aktual i vendit, politikani konservator Kazimir Marcinkievic:

"Sidomos arritjet ekonomike më kanë surprizuar. Unë nuk besoja se gjërat për Poloninë do të zhvilloheshin kaq mirë. Pas anëtarësimit në BE, Polonia është bërë një vend i rëndësishëm jo vetëm për Evropën, por për të gjithë botën."

Në rast se ritmet e rritjes së tanishme ekonomike do të vazhdojë të ruhen, qeveria e Marcinkievicit mund të llogarisë për dhjetë vitet e ardhshme një rritje prej 44 për qind. Problemi qëndron tek qeveria polake vetë. Ligjet e pamjaftueshme në sektorin e ndërtimeve, mungesa e planifikimit për projekte të mëdha si përshembull autostrada, ua vështirësojnë investitorëve të huaj angazhimin në Poloni. Po ashtu nuk duhet harruar se me partinë "Samoobrona" (Partia e vetmbrojtjes) e populistit Andrzej Lepper, në qeverinë polake do të bëjnë pjesë për herë të parë edhe kundështarë të deklaruar të Evropës.

Gjithsesi as nacionalistët nuk do të ishin në gjendje që t'i kthenin tërërisht krahët Evropës, mendon sociologu, Cezari Trutkovski:

"Ne jemi shumë racionalë dhe e dimë se çdo të thotë anëtarësim në BE. Kjo do të thotë ndihma financiare, liri për të udhëtuar dhe punuar në çdo vend sipas dëshirës. Dhe polakët kanë filluar ta marrin vesh këtë."

Gjatë dy viteve të fundit nga Polonia janë larguar për të punuar në vende të tjera të BE-së rreth 600.000 vetë. Këto shifra do të shtohen, sepse edhe Spanja, Greqia, Portugalia dhe Finlanda e kanë hapur tregun e tyre të punës për anëtarët e rinj të BE-së.