1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtyhen zgjedhjet parlamentare palestineze

Betina Marks4 Qershor 2005

Presidenti palestinez Mahmud Abaz ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare, të cilat ishin parashikuar të zhvillohen me 17 korrik. Deri tani nuk është caktuar ndonjë datë tjetër e mbajtjes së tyre. Abaz synon që me këtë hapë të fitojë në kohë, për tejkalimin e mosmarrveshjeve rreth reformës së ligjit zgjedhor. Organizata radikale Hamas ka kritikuar këtë vendim.

https://p.dw.com/p/ArP4
Mahmud Abaz
Mahmud AbazFotografi: AP

Presidenti palestinez Mahmud Abaz deri në momentin e fundit ishte kundër shtyrjes së zgjedhjeve parlamentare. Gjatë vizitës së tij në Indi, para vetëm disa ditësh, ai u shpreh kundër shtyrjes së zgjedhjeve të parashikuara për datën 17 korrik. Mirëpo, presidenti Abaz është i mendimit se për këto zgjedhje duhet bërë ndryshime të ligjit zgjedhor, me synim që edhe partitë dhe lëvizjet e vogla të kenë më shumë shansa për futje në parlament, i cili në këtë moment dominohet prej lëvizjes së tij Fatah. Fakti që ky ligj ende nuk është miratuar përjashton edhe mundësinë që zgjedhjet të mbahen me 17 korrik, spese koha është tepër e shkurtë.
Komisioni qendror zgjedhor në Ramallah ka paralajmëruar para një jave se zgjedhjet ndoshta nuk mund të mbahen në kohën e parashikuar, në qoftë se dëshirohet ndryshimi i ligjit. Abaz i cili në këtë kohë ishte për vizitë jashtë vendit, nuk donte të deklarohej deri sa nuk kthehet në vendlindje. Pas një intervenimi mjeksor në një spital të Jordanisë, ai është kthyer të premten në Rammallah. Ndërsa të shtunën nxori një dekret me të cilin zgjedhjet shtyhen për një kohë të pacaktuar. Mendohet se afati më i mirë do të ishte janari i vitit të ardhëshëm.
Shtyrja e zgjedhjeve më së shumti ka goditur lëvizjen radikale islamike Hamas, e cila kohët e fundit ka përforcuar pozicionet e saja tek votuesit palestinez. Ekspertët pohojnë se Hamas do të shënonte rezultate të mira në zgjedhje. Prandaj kjo lëvizje ka kritikuar edhe vendimin e Abazit. Zëdhënësi i Hamasit, Sami Abu Suhri deklaroi se ata e shohin këtë vendim si një shkelje të të gjitha marrveshjeve të palestinezëve dhe kontratave të nënshkruara në nivelin kombëtar.
Eshtë kjo hera e parë që Hamasi merr pjesë në zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet presidenciale të zhvilluara në janar janë bojkotuar. Ndërkohë që ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit lokale ku ka shënuar rezultate shumë të mira. Në Rripin e Gazës Hamas ka fituar disa qytete të mëdha. Ndërkohë që për shkak të kinse falsifikimit të rezultateve, gjykata ka vendosur për përsëritjen e zgjedhjeve në këto qytete. Raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve ishte i parashikuar në mbahet në fillim të qershorit, por është shtyrë për një kohë të pacaktuar, sepse Hamasi ka kërcënuar me bojkotimin e zgjedhjeve të përsëritura lokale.
Presidenti palestinez ka paralajmëruar ndërkohë edhe emrimin e një zëvendësi të tij. Kjo ka të bëjë me gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, sepse të enjëten në Aman, Abaz iu nënshtrua një intervenimi në zemër. Në të kaluarën, Abaz ishte i sëmurë edhe nga kanceri.