Shpërndahet Kuvendi i Kosovës - zgjedhjet afër | Ballkani | DW | 22.08.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shpërndahet Kuvendi i Kosovës - zgjedhjet afër

Pas shpërndarjes së Kuvendit, pritet që Presidenti i Kosovës të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në një seancë të jashtëzakonshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 88 vota pro, shpërndanë legjislaturën e gjashtë, në gjysmë të mandatit kushtetues katër vjeçar. Kjo ndodhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt një muaj më parë nga posti i kryeministrit, i cili u ftua nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në cilësinë e të dyshuarit. Koalicioni i deritashëm qeverisës PAN, që përbëhej nga PDK, AAK dhe Nisma, nuk kishte gatishmëri që të kërkojë një mandatar të ri, ndërsa, edhe partitë politike opozitare kërkonin zgjedhje. Në seancën për shpërndarjen e Kuvendit nuk morën pjesë deputetët e Listës Srpska. Partitë politike opozitare, qeverisjen nga koalicioni PAN, e cilësuan si qeverisjen më të dobët që nga Kosova e pasluftës

Thaçi: Të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse

Pas shpërndarjes së Kuvendit me më shumë se dy të tretat e votave të deputetëve,  tash është në dorën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Presidenti zhvilloi një ditë më parë takim me kryetaren e KQZ-së Valdete Daka, e cila tha se KQZ, është gati për zgjedhjet. Sipas Kushtetutës së Kosovës në rast të shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se dyzet e pesë ditë pas shpërndarjes.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një deklaratë për medie tha se “shpërndarja e sotme e Parlamentit të Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”. Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri. Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës. Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore”, tha Presidenti Thaçi, duke siguruar qytetarët e Kosovës që Kosova vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, “duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës”.

Koalicionet e para

Që nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj, subjektet politike diskutuan për koalicione parazgjedhore. Koalicioni i parë parazgjedhor u nënshkrua ndërmjet AAK-së e udhëhequr nga Ramush Haradinajt dhe Partisë Social Demokrate PSD, e udhëhequr nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.  

Partia më e madhe opozitare LDK, tashmë është deklaruar se ajo do të garojë e vetme në zgjedhje, mirëpo, për koalicione pas-zgjedhore, LDK është e hapur, përjashtuar këtu Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) me të cilën ka qeverisur deri në vitin 2017.

Edhe PDK, si duket do të garojë e vetme në këto zgjedhje, por, për koalicionet pas-zgjedhore, kjo parti thotë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike, përjashtuar këtu Lëvizjen Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti. E partia e zotit Kurti, po kërkon që të hyjë në koalicion me LDK. Vetëvendosja në rast fitoreje kërkon postin e kryeministrit, gjë që për LDK-në tash për tash është e papranueshme.

Analistët politik thonë se sistemi proporcional që aplikohet tash për tash në Kosovë, u mundëson partive politike të bëjnë koalicione parazgjedhore. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se partitë politik në Kosovë nuk ndihen të sigurta në votat e tyre, prandaj hyjnë në koalicione. "Për shkak të pasigurisë  së subjekteve politike dhe sistemi proporcional  i Kosovës në një mënyrë i obligon subjektet politike të hyjnë në koalicione parazgjedhore, për të fituar sa më shumë në rezultatin final. Dhe e dyta  pasiguria se ata mund të humbin apo të dalin triumfues, i obligon jo rrallë të bëjnë koalicione parazgjedhore. Partitë politike aktuale ka kohë që e kanë  humbur popullaritetin te qytetarët. Edhe dalja në zgjedhje mund të jetë më e vogel dhe dalja eventuale e vogël në votime është një element  po ashtu që i shtynë të bëjnë koalicione parazgjedhore”, thotë Blerim Burjani.

Analistët: Sistemi proporcional në Kosovë ka prodhuar keq-qeverisje

Sipas analistit Burjani, sistemi proporcional nuk ka prodhuar qeverisje efikase. "Përgjegjësia është shpërndaë edhe brenda qeverisë dhe ka krijuar principata të vogla të padëgjueshme. Kryeministri ishte kryeministër për ministrat e partisë së tij, por jo edhe për ministrat e tjerë që vijnë nga partitë e tjera, pjesë e qeverisë. Kosova ka pasur dëme të konsiderueshme në këtë sistem, ku partitë me ligj zgjedhor i numërojnë  votat e tyre përmes komisonerëve që i dërgojnë rezultatet edhe në KQZ. Ky sistem nuk është i shumicës votuese, sepse e shpërndan votën në mënyrë proporcionale dhe kjo ju konvenon të gjitha partive të vogla, madje edhe ekstreme që të hyjnë në Kuvend. Pra, me këtë sistem zgjedhor, nuk ka gjasa minimale te marrë dikush nga partitë shumicën, prandaj të gjithë detyrohen të  hyjnë në koalicione”, thotë Burjani.  

Sidoqoftë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri dhe asnjë legjislaturë nuk ka përfunduar mandatin e rregullt kushtetues. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor të vitit 2017. Dalja në zgjedhjet e fundit ishte 43%, nga mbi 1.8 milion votues të regjistruar.