1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA Kosovës:Pa hequr taksën s'mund të kemi raporte të forta

Bekim Shehu
12 Shkurt 2019

Tre zyrtarë të lartë të SHBA-së i kërkojë Kosovës që ta pezullojë taksën ndaj Serbisë dhe t'i hapet rruga dialogut. Përderisa Kosova nuk e pezullon taksën, nuk do të ketë raporte të fuqishme SHBA-Kosovë.

https://p.dw.com/p/3DErc
Kosovo Ramush Haradinaj, Premierminister & Kabinett | Entscheidung Zölle gegen Serbien
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Kosovo Government

Refuzimi i qeverisë së Kosovës që ta pezullojë taksën për produktet e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, si duket ka lëkundur deri në një fare mase marrëdhëniet Kosovë-SHBA. Mediet në Prishtinë publikojnë një letër, që thuhet se ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S Kosnnett, i dorëzoi të martën (12.02) Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të kuvendit Kadri Veseli. Letra është e nënshkruar nga Mathew Palmer, zëvendës asistenti i Sekretarit të shtetit, nga Laura Cooper zëvendës assistentja e sekretarit të mbrotjtjes, dhe zëvendës drejtori për çështje të Europës në këshillin e sigurisë kombëtare, John Erath. Në këtë letër shprehet shqetësimi i SHBA-së, që qeveria në Prishtinë po refuzon këshillën amerikane që ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë në mënyrë që t'i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi.

Në letër po ashtu thuhet, se "ashtu siç u ka shkruar edhe Presidenti Trump në letrën e tij në dhjetor të 2018, ky është momenti i mundësisë së Kosovës, që duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë të ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimeve Euro-Atlantike si dhe të avancojë si një vend stabil, prosperues dhe i sigurt”.

"Që atëherë ne kemi shprehur shqetësimet tona që veprime të caktuara, përfshirë këtu vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, do të mund ta rrezikojnë këtë qëllim. Këto veprime minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta”.

Qeveria e Kosovës megjithë kërkesën e SHBA-së për heqjen e taksës, po refuzon ta heqë atë pa një garanci, që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës. Të ndodhur në këtë situatë, në letrën e SHBA-së dërguar në Prishtinë thuhet, se "pasi kërkesat e SHBA-së nuk po përfillen”, SHBA ka vendosur që ta anulojë vizitën e planifikuar të Gjeneralit Orr, nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë, si dhe do të shikohet me kujdes aspekti i bashkëpunimit të mëtejshëm nëse do të pakësohet/shkurtohet apo cungohet.

"Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikane dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa   të injorojë këshillat tona”, thuhet në letër.

Më tej thuhet se "Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqendrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve”. Në fund të letrës thuhet shumë qartë se qëllimi i SHBA-së është "që të shohin Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t'i kthehen dialogut. "Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju”, thuhet fund të letrës.

Gjatë ditës së martë (12.02) ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, zhvilloi një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, ndërsa ky i fundit pas takimit shkroi shkurt në profilin e tij social, se "Kosova mbetet e vendosur në ruajtjen e miqësisë dhe përherë besnike ndaj aleatit të saj strategjik, SHBA-së”.

"Kishim një takim të rregullt pune me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, bashkëbiseduam për intensifikimin e angazhimeve të përbashkëta në fuqizimin e Kosovës në të gjitha aspektet dhe avancimin e agjendës euro-atlantike të vendit tonë. Marrëdhënia e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Amerikës është e pacënueshme, pa marrë parasysh dallimin eventual në opinione”, shkroi kryeministri Haradinaj.

Pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian, ndërsa pakënaqësinë me këtë taksë e shprehur të martën edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai tha në Buksel se këtë të enjte ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë në një mbledhje "qasjen e aleancës ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës”. Parlamenti i Kosovës në dhjetor të vitit të shkuar me ligj e shndërroi FSK-në në ushtri të Kosovës.

"Disa aleatë mendojnë se ishte kohë e papërshtatshme për vendimin e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ndërsa, disa aleatë të tjerë kanë shprehur zhgënjimin me taksat dhe e kanë bërë të qartë se Forcat e Sigurisë FSK duhet të respektojnë të gjitha detyrimet ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen e Brukselit se nuk do të hyjnë në veriun e Kosovës pa lejen apo mbështetjen e komandantit të KFOR-it në Kosovë", citojnë mediet sekretarin Jens Stoltenberg.

Sidoqoftë, grupi negociator i Kosovës në të cilin nuk bën pjesë opozita kosovare ka thënë, se deri në fund të javës do të paraqes para parlamentit platformën e dialogut me Serbinë. Tash për tash nuk jepen detaje të platformës. E Serbia nga ana tjetër vazhdon të këmbëngulë, se përderisa qeveria e Kosovës nuk e heq taksën ndaj produkteve të tyre, shteti serb nuk do të rinisë dialogun me Kosovën.