Serbia mes Rusisë dhe Perëndimit
31 Maj 2022Nga njëra anë gjendet presioni i Bashkimit Evropian që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ndërsa nga ana tjetër kemi Rusinë, e cila dëshiron që Serbia të mbetet një vend mik dhe të mos vendos sanksione ndaj Rusisë. Ngjarja e parë e rëndësishme në këtë mozaik diplomatik ishte biseda e djeshme telefonike e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Pas bisedës telefonike, presidenti Vuçiq njoftoi se Serbia ka arritur një marrëveshje shumë të mirë me Rusinë, për furnizimin e pandërprerë me gaz dhe se çmimi i gazit për Serbinë do të jetë shumë herë më i ulët sesa për të tjerët në Evropë.Për momentin çmimi është tre herë më i ulët, ndërsa gjatë dimrit do të jetë dhjetë deri në dymbëdhjetë herë më i ulët, theksoi Vuçiq. Marrëveshja do të nënshkruhet për tre vjet, tha Vuçiq dhe shtoi se nga Putini ka marrë informacione edhe për situatën në Ukrainë.
"Ka disa oferta për marrëveshje paqeje në tryezat në Moskë, Kiev dhe në Perëndim. Por kjo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi ne”, theksoi presidenti i Serbisë.
Serbia si një faktor i rëndësishëm
Biseda telefonike mes dy presidentëve ka qenë e diskutueshme dhe ka shkaktuar spekulime të ndryshme në opinionin serb. Kur zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një bisedë e tillë as që ishte planifikuar, për shumëkënd ishte ky një sinjal se bashkëpunimi miqësor mes dy vendeve ishte i kërcënuar dhe se Kremlini po i dërgonte një mesazh Beogradit në këtë mënyrë.
Partitë politike në Serbi – secila nga pozicionet e veta – e përdorën këtë moment për të kritikuar uljen e Vuçiqit në dy karrige. Përkrahësit e sanksioneve e panë atë si një shenjë se me Rusinë nuk mund të llogaritet seriozisht. Ndërsa opsioni i ashtuquajtur patriotik e pa këtë bisedë si një shuplakë ndaj Vuçiqit në marrëdhëniet me Rusinë, se pa këtë vend megjithatë nuk mundet.
Por në fund rezultoi se pozicioni ndërkombëtar i Rusisë është për momentin i tillë sa që edhe Serbia paraqitet si një faktor shumë i rëndësishëm për Moskën dhe se Putini nuk është i interesuar t'i prishë pa nevojë raportet e mira diplomatike me Beogradin.
Furnizimi i (pa)sigurt me gaz
Sidoqoftë, pyetja më e rëndësishme pas bisedimeve mes dy presidentëve është se sa mund të marrë frymë Serbia lirisht sa i përket furnizimit me gazin rus? Analisti politik Dragomir Angjelkoviq beson se Serbia nuk mund të jetë tepër e sigurt.
"Nëse i shikojmë gjërat brenda kornizës së marrëveshjes ruso-serbe, sigurisht që jemi të sigurt. Nga ana tjetër, lufta dhe mundësia e përshkallëzimit të konfliktit mund të çojnë në ndërprerje të furnizimit me gaz në një moment. Por nuk besoj se ndërprerja mund të jetë e përhershme, sepse Evropa nuk ka alternativë ndaj gazit rus”, thotë Angjelkoviq për DW.
Ekonomi apo politikë?
Igor Novakoviq, drejtor në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC), tha për DW se mbetet për t'u parë nëse kjo është vetëm një marrëveshje tregtare, apo mund të interperetohet më shumë si një hap politik.
"Këtu mendoj në radhë të parë, se si Rusia do ta trajtonte Serbinë nëse realisht do të fillonte të vendoste sanksione kundër saj, pra nëse Serbia i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian. Ne kemi dëgjuar nga disa zyrtarë rusë se ata e kuptojnë pozicionin e Serbisë, por tani pyetja është se ku janë kufijtë e këtij mirëkuptimi dhe nëse Rusia është vërtet kaq e rëndësishme për Serbinë, përveç kur bëhet fjalë për gazin", thotë ai.
Beteja diplomatike mes BE-së dhe Rusisë
Por iniciativa diplomatike ruse nuk do të ndalet në këtë bisedë telefonike, sepse më 7 qershor do të arrijë në Beograd ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Kjo do të jetë vizita e parë e një zyrtari të lartë rus që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Supozohet se furnizimi me energji, situata në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë do të jenë temat kryesore.
Vizita e Lavrovit do të zhvillohet vetëm disa ditë para vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz në Serbi. Si do të pozicionohet Serbia në raport me Rusinë dhe BE, kur dihet se BE-ja ka kërkuar që Serbia t'i respektojë sanksionet kundër Rusisë ndërsa Moska kërkon të kundërtën?
"Politikanët perëndimorë vendosin sanksione ndaj Rusisë në të njëjtin nivel me heqjen dorë nga interesat tona kombëtare në Kosovë dhe rajon, veçanërisht në Republikën Srpska", thotë Dragomir Angjelkoviq, duke shtuar se "Serbia për këtë shkak duhet të mbetet në marrëdhënie të mira me Moskën".
"Moska është një faktor që na ndihmon të mbrojmë këto interesa kombëtare të rrezikuara. Ne nuk duhet të mbajnë anën e askujt - Rusia nuk e kërkon këtë. Por nëse Perëndimi ushtron presion ndaj Serbisë, atëherë ky presion forcon vetëdijen në Serbi se ai nuk vjen për shkak të Rusisë, por për shkakun tonë. Ndaj do të duket sikur ne po punojmë kundër interesave tona kombëtare”, beson Angjelkoviq.
Rëndësia simbolike e sanksioneve
Sipas Igor Novakoviqit, dëmi i Rusisë nga sanksionet serbe do të ishte minimal, ndërsa "ajo që kanë bërë tashmë vendet e tjera evropiane është shumë më e rëndësishme për Moskën”. "Sanksionet kanë më shumë një rëndësi simbolike". Novakoviq mendon se pozicioni i Serbisë aktualisht është i mirë, sepse ende nuk ka qeveri, e cila duhet t'i marrë këto vendime.
Sanksionet - burim i të gjitha përçarjeve
Sanksionet kundër Rusisë janë ende çështja kryesore politike. Mund të thuhet madje se kjo temë i ka paralizuar të gjitha zhvillimet politike në Serbi. Dragomir Angjelkoviq thotë se sanksionet kundër Rusisë janë pjesë e disa zhvillimeve globale.
"Të gjithë janë pozicionuar, pro apo kundër sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo çështje është shndërruar në një prej pikave më të rëndësishme globale. As Serbia nuk bën përjashtim, sepse disa janë sinqerisht të shqetësuar, por këtu ka dhe abuzime politike. Disa e shfrytëzojnë këtë për të treguar besnikëri ndaj Perëndimit, e të tjerë për t'u dërguar mesazh qytetarëve se janë shumë patriotë dhe se ata në radhë të parë e vënë interesin serb”, vëren Angjelkoviq.
Çështja e marrëdhënieve me Rusinë dhe BE-në ka qenë një çështje kyçe politike në Serbi për 20 vjet, thotë Igor Novakoviq. "Ishte një vijë ndarëse nga viti 2000, një periudhë e caktuar më pas ishte nën ujëra, si të themi, ndërsa tani këto raporte sërish janë në sipërfaqe”.
"Fakt është që disa parti politike e kanë kaluar pragun zgjedhor dhe janë futur në parlament falë kundërshtimit të sanksioneve kundër Rusisë”. Por, ky është problemi i mungesës së diskursit kritik në Serbi, problem i propagandës proruse, e cila shpesh vjen drejtpërdrejt nga mediat vendase. E këto media ende kanë një qëndrim krejtësisht jokritik ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë", thekson Igor Novakoviq.