1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140510 Iran USA Sanktionen

14 Maj 2010

SHBA po përpiqen që KS të vendosë sanksione të reja kundër Iranit, për ta ndëshkuar këtë vend për programin atomik. Por për miratimin e sanskioneve më të ashpra ndaj Iranit SHBA ka nevojë për mbështetje.

https://p.dw.com/p/NOVv
Manovër ushtarake e Iranit në Gjirin Persik
Manovër ushtarake e Iranit në Gjirin PersikFotografi: Mehr

"Sanksionet nuk janë shkop magjik, por ndoshta me ndihmën e tyre mund të arrihet ndonjë ndryshim në llogaritë politike të një vendi si Irani.“

Deklaratat e presidentit Barak Obama, me të cilat ai kërkon këto ditë që ndaj Iranit të vendosen sanksione më të ashpra tingëllojnë ndonjëherë sikur ai ka një lloj pasigurie. Irani duhet ta marrë vesh që vazhdimi i programit atomik mund t'i dalë politikisht shumë shtrenjtë. Por kjo llogari nuk doli as në raundet e tjera të sanksioneve, dhe për këtë në Shtëpinë e Bardhë po shtohen dyshimet nëse përpjekja e re do të ketë sukses.

Rusia dhe Kina të gatshme për kompromis

SHBA janë për momentin optimiste, sepse oponentët tradicionalë ndaj ashpërsimit të sanksioneve për Teheranin, Rusia dhe Kina, thuhet se janë treguar të gatshme për kompromis. Por megjithë sinjalet e këtyre dy vendeve me të drejtë vetoje në KS, nuk mund të thuhet se është e sigurt se ndaj Teheranit do të vendosen sanksione të forta, sikurse kërkon Uashingtoni. Sepse gatishmëria për një një projektrezolutë të re shoqërohet me kufizime:

"Jo dënime për vendin, jo dënime për popullsinë, pavarësisht për çfarë veprimesh apo jo veprimesh,"deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Rjabkov:

Edhe Pekini nuk duket se ka ndër mend t'i tregojë vërtet dhëmbët Teheranit, sepse Irani është furnizuesi i tretë në radhë i Kinës me naftë, dhe të dy shtetet planifikojnë të ndërtojnë bashkarisht naftësjellës përgjatë Rrugës së Mëndafshit, që kalon nëpër Azi. Nisur nga këto interesa të Kinës, e cila nuk do që të rrezikojë kur është fjala për një prej furnizuesve të saj të rëndësishëm me naftë, Dr. Ivan Oelrich, i Lidhjes së Shkencëtarëve Amerikanë shprehet:

"Unë mendoj se ideja për sanskine më të ashpra dhe të fuqishme për të cilat flitet ndonjëherë në Uashington, në fund të fundit do të zbuten thellë."

Propozime për bisedime

Dhe për këtë me sa duket nuk janë përgjegjëse vetëm Kina dhe Rusia, por edhe Brazili dhe Turqia, që janë për momentin anëtare jo të përhershme të KS. Të dyja këto vende janë kundër sanksioneve dhe pritet që javët e ardhshme të paraqesin propozimet e tyre për bisedime bilaterale për ndërmjetësim me Teheranin.

Pasojat janë të parashikueshme. Sipas gjendjes së deritanishme në KS do të arrihet shumica për të miratuar një rezolutë të re ndaj Iranit, por barra e sanksioneve nuk do të jetë shumë e dhimbshme për Teheranin.

Autor: Thomas Schmidt/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi