1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rindërtimi i kishave serbe në Kosovë pritet të përfundojë këtë vit

17 Mars 2010

Qeveria e Kosovës thotë se rindërtimi i kishave dhe manastireve serbe, të dëmtuara gjatë trazirave të marsit 2004 është në fazën përfundimtare.Komunikimi i qeverisë së Kosovës me Kishën Ortodokse serbe është rivendosur.

https://p.dw.com/p/MVMy
Manastiri i Deçanit në Kosovë
Manastiri i Deçanit në KosovëFotografi: picture-alliance/ dpa

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se fundi i këtij viti do të shënojë edhe përfundimin e procesit të rindërtimit të kishave dhe manastireve ortodokse serbe të dëmtuara gjatë trazirave të marsit të vitit 2004. Gjatë këtyre trazirave u dëmtuan 35 objekte fetare dhe kulturore serbe në Kosovë. Dëmtimet ishin të natyrave të ndryshme, që nga demolomi i objekteve dhe deri tek djegia e tyre. Ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Valton Beqiri, thotë për DW, se vlerësimi i dëmeve në kishat dhe manastiret ortodokse është bërë nga një komision i përbashkët, nga ministria e kulturës, Kisha Ortodokse Serbe dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.

“Gjatë rindërtimit dhe renovimit të këtyre objekteve ka pasur pjesë të tilla, ku realisht nuk janë dëmtuar, por janë përfshirë në projekte për renovim. Pra, ka pasur investime në masën më të madhe sesa që kanë qenë dëmtimet”, thotë ministri Beqiri.

Vlerësime për procesin e rindërtimit të Kishave dhe Manastireve serbe janë bërë edhe nga vetë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe. Gjatë një vizite në fund të muajit shkurt në Prizren, në Kishën Shën Gjergji, Peshkopi Atanasije Jevtiq, administrator i Peshkopatës së Rashkës dhe Prizrenit, thotë se është bërë shumë punë në rindërtimin e kishave të dëmtuara.

“Që nga viti 2004 është bërë shumë dhe është investuar një mund i madh që kjo Kishë të rindërtohet dhe që të riparohet kjo shtëpi e Peshkopatës. Por, ka ende shumë për t'u riparuar dhe me ndihmën e Zotit këtë vit do të duhej të përfundojnë të gjitha punët e mbetura”, thotë Peshkopi Atanasije, duke u bërë thirrje serbëve që të kthehen në qytetin e Prizrenit.

“Me ndihmën e Zotit, meqë këtu është selia e Peshkopatës së Rashkës dhe Prizrenit, kjo do të jetë edhe një thirrje për të gjithë serbët që të kthehen në Prizren. Serbët janë larguar dhe janë kthyer, por gjithmonë ka patur të tillë që kanë jetuar këtu dhe që duhet ta vazhdojnë jetën. Ato vlera që i kemi trashëguar duhet t'i ruajmë dhe t'i bartim tek gjeneratat e reja”, thotë Peshkopi Atanasije.

Qeveria e Kosovës ka kohë që ka caktuar një fond pret 3.5 milionë eurosh për rindërtimin e kishave dhe manastireve ortodokse serbe në Kosovë, ndërsa këtë vit ka shtuar edhe gjysmë milioni euro, që ky proces të përfundojë. Ministri i Kulturës, Valton Beqiri, thotë se komunikimi me Kishën serbe është ndërprerë për një periudhë gjatë kohës së shpalljes së pavarësisë, por tash ai thotë se takimet e komisionit kanë filluar serish.

“Në kuadër të këtij komisioni janë dy përfaqësues nga ministria e kulturës, dy përfaqësues nga Kisha ortodokse serbe, është një përfaqësues nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve nga Beogradi dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Pra, ky është një trekendësh, që funksionon në bazë të kërkesave mujore dhe takimet kanë të bëjnë kryesisht me evidentimin e gjendjes së realizuar në terren dhe hapave që duhet ndërmarrë në të ardhmen”, thotë ministri Beqiri.

Tri javë më parë Kisha Ortodokse serbe shkarkoi përkohësisht nga detyra peshkopin Artemije Radosavljeviç nga Dioqeza e Kosovës, për shkak të shpërdorimit të dyshuar të donacioneve nga kolegët e tij për rindërtimin e Kishave. Sinodi i shenjtë i Kishës Ortodokse serbe vendosi edhe në krye të Dioqezës së Kosovës peshkopin Atanasije Jevtiç. Autoritetet e Beogradit, rastin e shpërdorimit të fondeve për rindërtimin e Kishave dhe Manastireve serbe ne Kosovë po e hetojnë si një çeshtje penale. Ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Valton Beqiri thotë se këto shpërdorime fondesh nuk kanë të bëjnë me fondet e qeverisë së Kosovës për faktin që fondet janë të ndara.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi