Rassismus Deutschland
26 Maj 2009Republika Federale e Gjermanisë duhet të bëjë më shumë kundër veprave penale me motive raciste dhe të mbështesë më shumë migrantët e rinj. Këto janë dy kërkesat qendrore të një komisioni ekpertësh të Këshillit të Evropës. Racizëm, armiqësi ndaj të huajve, mostolerancë - çdo katër apo pesë vjet Komisioni i Këshillit të Evropës kundër racizmit dhe mostolerancës (European Commission Against Racism and Intolerance - ECRI) hedh dritë mbi gjendjen në njërin prej 47 vendeve anëtare.
Ligji kundër diskriminimit i panjohur prej atyre që përfitojnë prej tij
Për përpilimin e raportit mbi gjendjen në Gjermani kishin hulumtuar ekspertët irlandezë dhe norvegjezë. Faktet e tyre ndoshta nuk janë të reja por në mënyrën se si janë përpiluar ofrojnë një pamje interesante për vendin nga jashtë. Në këtë kuadër lavdërimet dhe kritikat balancojnë njëra-tjetrën. Të qëlluara dhe të mira janë kurset për integrimin si dhe ligji kundër diskriminimit. Por pikërisht ky ligj vazhdon të mbetet e panjohur për ata të cilëve ndonjë qiradhënës ka refuzuat t'u japë banesën me qera vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës.
Motivet raciste të një vepre penale duhen përfshirë në ligj si rrethana rënduese
Po ashtu nismat për imunizimin e rinisë ndaj radikalizmit të djathtë janë të mira, por financimi i tyre është afatshkurtër. Edhe pse ndalimi i përdorimit të shamisë së kokës nga nënpunëset e besimit mysliman në disa prej landeve federale nuk vlerësohet në raport, me shami koke besimtaret myslimane do ta kishin të vështirë gjetjen e një vendi pune edhe në ekonominë private. Raporti përveç kësaj tërheq vërejtjen edhe në lidhje me përndjekjen e veprave penale me motive raciste. Autoritetet gjermane shpesh ngurrojnë që gjërat t'i quajnë me emrin e tyre të vërtetë. Persona që rrahin të tjerët nisur nga motive radikale të djathta shpesh konsiderohen dhe akuzohen vetëm si "grushtaxhinj" të zakonshëm.
Ekspertët e Këshillit të Evropës i rekomandojnë Gjermanisë që motivet raciste të një vepre penale t'i përfshijë në ligj si rrethana rënduese. Përveç kësaj policët duhet të përgatiten më mirë për rolin e tyre në një shoqëri multikulturore. Komisioni i ECRI-së përbëhet nga një përfaqësues të secilit prej 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe angazhohet për demokracinë dhe të drejta të njeriut në Evropë.
Autor: Kai Laufen/Esat Ahmeti
Redaktoi: Pandeli Pani