1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagon Kosova pas ngjarjeve në Kumanovë

Bekim Shehu11 Maj 2015

Kosova dënon çdolloj përfshirjeje të qytetarëve të saj në incidentet në Maqedoni. Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa kërkojnë hetim transparent e të besueshëm të ngjarjeve në Kumanovë.

https://p.dw.com/p/1FOGe
Präsidentin Kosovo Atifete Jahjaga ARCHIV 2014
Presidentja e Kosovës, Atifete JahjagaFotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Isa Mustafa, shprehin shqetësimin e tyre të thellë dhe dënojnë çfarëdo përfshirje të shtetasve të Republikës së Kosovës në incidente në Republikën e Maqedonisë, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe shteteve fqinje, duke vënë në sprovë paqen dhe sigurinë dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Ky reagim i dy udhëheqësve më të lartë të Kosovës, u bë me (11.05) pas një takimit që zhvilluan së bashku në Prishtinë një ditë pas luftimeve në Kumanovë të Maqedonisë ku siç u raportua në media, ishin të përfshirë edhe qytetarë të Kosovës.

“Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa bëjnë thirrje për hetim transparent dhe të besueshëm të ngjarjeve të fundit duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës të vazhdojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të plotë për të zbardhur këto zhvillime të fundjavës në qytetin e Kumanovës. Mekanizmat e drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovës kanë kërkuar nga homologët e tyre maqedonas detaje lidhur me incidentet e fundjavës dhe janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare prej tyre”, thuhet në një deklaratë për media të presidentes dhe kryeministrit.

Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës, Isa MustafaFotografi: AFP/Getty Images/A. Nimani

Republika e Kosovës sipas dy drejtuesve më të lartë të vendit “mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumëtnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, e orientuar fuqishëm në rrugën evropiane dhe euroatlantike, me të cilën gëzon marrëdhënie të mira ndërshtetërore”.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë dy ditëve të shkuara, ka zhvilluar në vazhdimësi takime me Kryeministrin Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë për të diskutuar - siç thuhet - këto zhvillime dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale brenda Kosovës, përfshirë edhe ndërmarrjen e masave të sigurisë.

E sa i përket masave të sigurisë, autoritetet e rendit në Kosovë, ndërkaq, thonë se pas incidenteve të fundit në Maqedoni, kanë angazhuar zyrtarë policorë të mjaftueshëm me qëllim të realizimit të një kontrolli më të madh të kufirit dhe parandalimin e çfarëdolloj krimi. Sipas policisë së Kosovës, as para zhvillimeve në Kumanovë e as pas tyre nuk janë vërejtur lëvizje apo tentime të kujtdo qoftë për të kaluar ilegalisht kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.