1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime ndërkombëtare

Bekim Shehu27 Shkurt 2016

Ambasadorët e QUINT-it, urojnë zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ata kërkojnë nga presidenti i ri i Kosovës të ketë fuqinë dhe mençurinë për të bashkuar kosovarët.

https://p.dw.com/p/1I3JI
Kosovo Präsidentenwahl Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Xhemaj

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka uruar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke besuar që Presidenti Thaçi, do ta ketë fuqinë për të bërë bashkë qytetarët e Kosovës. “Kuvendi i Kosovës zgjodhi Presidentin e ri të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e Presidentit është një procedurë qendrore në demokraci. Ishte inkurajuese të shohësh të gjitha partitë që përfaqësohen në Parlamentin e demokracisë më të re në Evropë që të debatojnë. Për fat të keq, debati nuk ishte i qetë. Sërish, kishte përpjekje për të bllokuar Kuvendin me dhunë. Do të doja t'i përsëris thirrjet e mia të mëhershme dhe të kërkoj nga të gjithë përfaqësuesit e popullit që të përkrahin procedurat demokratike në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Urojmë që Presidenti i ri të ketë mençurinë dhe fuqinë për të bashkuar të gjithë kosovarët”, thotë në deklaratën e saj ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets.

E vetë Hashim Thaçi, me t'u zgjedhur në postin e presidentit të Kosovës, u zotua se do të punojë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. “Të jeni të sigurt se do të punoj edhe më fuqishëm për dialogun institucional. Në këtë moment madhështor dhe të veçantë edhe për mua dëshiroj të përkujtoj herozimin e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve dhe presidentin historik Ibrahim Rugova dhe të gjithë njerëzit që kontribuan për shtetin e Kosovës", tha Hashim Thaçi.

Kosovo Präsidentenwahl Proteste in Pristina
Protestat shoqërojnë zgjedhjen e presidentitFotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Ambasadori i SHBA: Urime dhe paralajmërime

Edhe ambasadori i SHBA-së Kosovë Greg Delawi, e ka përshendetur zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke thënë se marrëdhëniet e mira ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës do të vazhdojnë. “Uroj kuvendin e Kosovës për përfundimin me sukses të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm. Ata që kanë hedhur koktej molotovi jashtë në rrugë dhe gaz lotsjellës në Kuvend nuk i kanë bërë asnjë të mirë Kosovës. Marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe popullit të Kosovës do të vazhdojnë”, tha ambasadori Delawie.

Në fundin e mandatit të saj, Presidentja e Kosoves, Atifete Jahjaga e ka uruar Hashim Thaçin për zgjedhjen President, duke i ofruar bashkëpunim të plotë për një tranzicion të sukseshëm të presidentëve. “Presidentja Jahjaga i ofroi z. Thaçi bashkëpunimin e plotë për një tranzicion të suksesshëm mes dy presidentëve, në përputhje me Kushtetutën dhe normat demokratike të cilat do të forcojnë institucionet demokratike të Kosovës dhe do të kontribuojnë në konsolidimin demokratik të vendit”, thuhet në deklaratën e publikuar nga zyra e Jahjagës.

Opozita: Kriza me zgjedhjen e Thaçit thellohet

Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, në postin e Presidentit betohet me 7 prill, në ditën kur e përfundon mandatin e saj, Presidentja Atifete Jahjaga. Partitë politike opozitare Vetëvendosja, AAK dhe Nisma, të cilat gjatë gjithë ditës së 26 shkurtit edhe në parlament edhe jashtë saj, kundërshtuan zgjedhjen e Hashim Thaçit President, thonë se “tashmë kriza politike në Kosovë është thelluar edhe më shumë”, për faktin që sipas tyre, Thaçi erdhi në krye të shtetit me votat e listës “Serpska”, që e ka mbështetjen e kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuciq. “Është konstatim i të gjithëve se regjimi Mustafa-Thaçi ka dështuar në politikën e jashtme dhe në anëtarësimin në UNESCO. Shkelësit e Kushtetutës do të ndëshkohen nga qytetarët. Kjo nuk është ngritje për Thaçin e Mustafën, por barrikadim i tyre. Jemi të vendosur të vazhdojmë deri në zmbrapsjen e këtyre që kanë kapur shtetin e Kosovës”, tha lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili ditë më parë dha dorëheqje nga posti i deputetit në kuvendin e Kosovës.

Edhe disa analistë politik thonë se zgjedhja e Hashim Thaçit President nën tensione politike dhe protesta të dhunshme në rrugë, vështirë që mund të cilësohet një proces i sukseshëm, por sipas tyre kjo vetëm mund ta thellojë krizën politike. Sidoqoftë, tri partitë politike opozitare, thonë se ato do të vazhdojnë protestat në rrugë për të “rrëzuar”, qeverinë e kryeministrit Isa Mustafa, sepse ata qeverinë e Kosovës e cilësojnë një ekzekutiv që ka shkelur Kushtetutën me nënshkrimin e dy marrëveshjeve, atë për bashkësinë e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.