1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310310 Srebrenica Reax

Pandeli Pani1 Prill 2010

Reagimet për rezolutën e Beogradit për Srebenicën ndryshojnë nga Sarajeva, në Bruksel dhe në Berlin. Disa e shohin si jo të mjaftueshme, ndërsa disa të tjerë mendojnë se është një hap i parë në drejtimin e duhur.

https://p.dw.com/p/MjyP
Varrezë në Srebrenicë
Varrezë në SrebrenicëFotografi: picture-alliance/ dpa

Rezoluta e miratuar në parlamentin e Beogradit për masakrën e Srebenicës, e cila është cilësuar si më e rënda pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkaktuar kryesisht reagime pozitive në Bruksel dhe në Berlin. Në atë masakër në pyjet e qytetit boshnjak u vranë atëherë nga forcat serbe rreth 8000 myslimanë meshkuj. Në këtë rezolutë kërkohet falje për këtë krim, por ngjarja nuk trajtohet si gjenocid. Këtë mendim ndajnë edhe të afërmit e viktimave në Bosnjë.

Në Bosnjë-Hercegovinë mendimet për rezolutën e Srebrenicës dhe përmbajtjen e saj të miratuar nga parlamenti në Beograd ndryshojnë sipas përkatsisë etnike.

Kryetarja e shoqatës „Nënat e enklavës së Srebenicës“ Munira Subasic flet për një rast të humbur të deputetëve të parlamentit serb për t'u përballur m,e të kaluarën. Sipas Munira Subasic "është e turpshme që parlamenti serb edhe pas 15 vjetësh nuk mund të flasë për gjenocid, por vetëm për krime“.

Munira Subasic
Munira SubasicFotografi: picture alliance/dpa

Edhe europarlamentarja Doris Pack është e të njëjtit mendim: "Rezoluta nuk e ka arritur qëllimin e saj. Kjo rezolutë ishte për t'i treguar popullit serb se atë çfarë bëri ish-presidenti serb Slobodan Milosevic dhe komandanti i forcave të armatosura të Republikës Serbe Ratko Mlladic, nuk e ka bërë gjithë populli serb. Ata i bënë ato vetëm në emrin e tyre. Nëse rezoluta do të ishte konsekuente, gjërave duhet t'u ishte vënë emri i tyre, domethënë gjenocid. Kjo do të thotë gjithashtu se popullsia është e hapur për ngjarjet e së kaluarës.“

Kurse serbët e Bosnjës janë në përgjithësi të zhgënjyer që në rezolutë nuk janë dënuar të gjitha krimet e bëra në territoret e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Serbinë. Kryetari i Shoqatës së Viktimave të Luftës në Republikën Serbe, Nedeljko Mitroviq thotë: "Unë gjithmonë këmbëngul se të gjitha krimet duhet të dënohen dhe gjykatat duhet të vlerësojnë në çdo gjyq krimesh lufte shkallën e krimit."

Eurparlamentarja e BE-së Doris Pak kundërshton një qëndrim të tillë me forcë: "Gjenocidi në Srebenicë është një fakt. Kjo nuk mund të përzihet me ndonjë gjë tjetër. Eshtë fakt që është kryer gjenocid në Srebrenicë dhe kjo duhet thënë. Kur ngjarjet përzihen me njëra-tjetrën, nuk mund t'i besosh atij që kërkon falje.“

Marieluise Beck deputete e partisë ekologjike "Të Gjelbërit" në Bundestagun gjerman dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, thotë: "Unë shpresoj se kjo nuk mbetet vetëm në një rezolutë, por do të pasohet edhe me rrjedhoja politike për bashkimin e Evropës Juglindore, në mënyrë që këto vende mund të punojnë së bashku për të gjetur rrugën e tyre në BE“.

Christian Tomuschat, ekspert për të drejtën ndërkombëtare civile e vlerëson pozitivisht këtë lëvizje në Serbi, duke theksuar se Serbia është ndarë prej përfytyrimeve të së kaluarës dhe tani është e gatshme ta pranojë fajin për krimet e kryera. "Por rezoluta natyrisht duhet të ndiqet edhe veprime konkrete, para së gjithash çështja e dorëzimit të Mlladicit, i cili është përgjegjës për masakrën. Përndryshe e gjitha kjo është vetëm një premtim bosh“. - thotë Tomuschat.

Edhe Wolfgang Schomburg, ish-gjyqtar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë dëshiron ta shohë në burg shumë të kërkuarin për krime lufte Ratko Mlladic. "Më e rëndësishmja tani është që parlamenti vetë dhe po ashtu partia e mëparshme e Milosheviçit marrin mbi vete përgjigjësinë për këtë. Unë shpresoj se ky do të jetë një hap i parë dhe kjo do të ndikojë edhe në ndergjegjen e popullit me shpresë që në shkolla do të flitet qartë për atë që ka ndodhur në Srebenicë dhe që më në fund politika do të bëjë edhe hapin e fundit, që të arrijë suksesin përfundimtar të Gjykatës së ish-Jugosllavisë, pra të ekstradojë edhe Ratko Mladicin“.

Autor: Mirjana Dikic/Mimoza Cika-Klemendi
Redaktor: Pandeli Pani