Qytetarёt nё Kosovё votuan pёr parlamentin e ri | Ballkani | DW | 06.10.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Qytetarёt nё Kosovё votuan pёr parlamentin e ri

Në Kosovë këtë të dielë (06.10) u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme për përbërjen e re të Kuvendit nga i cili do të dalë qeveria e re e Kosovës. 25 subjekte politike konkuruan në këto zgjedhje.

Pa asnjë incident serioz që do të ndikonte procesin e zgjedhjeve, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 në të gjitha rajonet e Kosovës. Pjesëmarrja në këto votime ishte pak më e lartë sesa në zgjedhjet e kaluara, 43%, apo rreth 800 mijë votues nga 1.9 milionë sa kishin të drejtë vote, njoftuan vëzhguesit e organizatave lokale të zgjedhjeve. Tre subjektet më të mëdha politike, që konkuruan në këto zgjedhje: Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK), lëvizja Vetëvendosja dhe Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) vetëm disa minuta pas mbylljes së qendrave të votimit, dolën në konferenca për medie duke shpallur fitoren, mirëpo, të dhëna preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka. Mediet vendase kanë organizuar disa exitpolle, ku pothuaj të gjitha thonë se lëvizja Vetëvendosja është fituese e këtyre zgjedhjeve me 30% e pasuar nga LDK, me një diferencë shumë të vogël kundrejt Vetëvendosjes. Partia e tretë sipas exitpoll-ve thuhet të jetë PDK-ja, ndërsa, partia e katërt ajo AAK e drejtuar nga Ramush Haradinaj, që për dy vjet mbajti postin e kryeministrit. Megjithatë, rezultate paraprake të konfirmuara nga KQZ-ja ende nuk ka. SIpas KQOz-së numërimi i votave do të kërkojë kohë.

Gjatë ditës kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, tha se "diku rreth 98%, procesi ka shkuar mirë dhe pa probleme. 58 ekipe i kishim në terren”.

Sipas KQZ, në këto zgjedhje të shtatat më radhë për Kuvendin e Kosovës, konkuruan 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1 067 kandidatë për deputetë. Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote ishte 1 milionë e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit ëishte 895 me gjithsej 2547 vendvotime.

Qendrat e votimit ishin të hapura edhe në veri të Kosovës, ku procesi në këtë pjesë u ndihmua nga misioni i OSBE-së. Edhe në veri të Kosovës nuk kishte incidente serioze. Serbët kësaj radhe nuk u lejuan që të votojnë me dokumente të Serbisë, por vetëm ata që kishin dokumente të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 prej të cilave vetëm për komunitetin serb.

Zgjedhjet në Kosovë u monitoruan nga mijera vëzhgues. 100 vëzhgues kanë ardhur nga Bashkimi Evropian me ftesë të Presidentit të Kosovës. Shefja e misionit vëzhgues të BE-së Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, ka thënë se ky është misioni i pestë i dërguar nga BE-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2013.

Organet e rendit angazhuan një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe mori masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces", thanë zyrtarë të policisë së Kosovës.