1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekje për zhbllokimin e situatës:Takim teknik në Bruksel

29 Janar 2019

Kryesuesit e ekipit negociator qëndruan të martën në Bruksel. Nga BE njoftohet, se në takim Brukseli është informuar për punën e ekipit negociator, duke përfshirë edhe ligjin për dialogun dhe platformën për dialogun. 

https://p.dw.com/p/3COp2
Belgien Brüssel Fatmir Limaj und Shpend Ahmeti
Fotografi: DW/V. Gacaferri

Udhëheqësit e ekipit negociator të Kosovës kanë bërë udhëtimin e dytë në Bruksel, të martën (29.1) për tu takuar me diplomatë të BE-së në një takim, të cilin zyrtarët evropianë e quajnë teknik, në kuadër të dialogut që tashme ka ngecur për disa muaj. 

Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, të emëruar nga Kuvendi i Kosovës për të udhëhequr dialogun me Serbinë, kanë pasur një takim rreth tri orësh në zyrën e punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Siç merret vesh, takimi është bërë me Angelina Eichhorst, një diplomate holandeze e nivelit të mesëm në institucionin evropian të udhëhequr nga Federika Mogherini. 

Pala kosovare nuk ka dhënë ndonjë deklaratë, por zyra e BE-së ka sqaruar se në takim Brukseli është informuar për punën e ekipit negociator, duke përfshirë edhe ligjin për dialogun dhe platformën për dialogun. 

"BE-ja ka mirëpritur përpjekjet për avancimin e mandatit të marrë nga Kuvendi i Kosovës, krijimin e një grupi të bashkuar sipas kuadrit kushtetues”, ka thënë në një deklaratë Maja Koçijançiq, zëdhënëse e Federika Mogherinit.

Ahmeti dhe Limaj nuk kanë dhënë deklaratë për media.

Dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës, për të cilin është krijuar një grup negociues nga Kuvendi i Kosovës është i bllokuar dhe deri tani ekipi nuk ka pasur rastin të takojë asnjë zyrtarë serbë, për të bërë ndonjë negociatë. Pas futjes së taksës 100 për qind mallrave nga Serbia, të kundërshtuar fuqishëm nga ShBA-të dhe BE-ja procesi i filluar në Bruksel është ndalur plotësisht.