Prishtina hedh poshtë pretendimet e Beogradit për krizë humanitare në veri | Ballkani | DW | 27.06.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Prishtina hedh poshtë pretendimet e Beogradit për krizë humanitare në veri

Sipas Beogradit, komunat në veri të Kosovës po vuajnë pasojat e taksës së vendosur nga Prishtina. Por Prishtina kundërshton dhe i cilëson deklaratat, propagandë të Beogradit me qëllim destabilizimin e Veriut të Kosovës.

Serben Protest Zoll Kosovo (DW/J. Djukic-Pejic)

Protestë e serbëve në Veriun e Kosovës kundër doganave

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq kanë thënë se komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe po vuajnë pasojat e taksës së vendosur nga Prishtina ndaj produkteve të Serbisë. Madje Presidenti Vuçiq, ka thënë se veriu i Kosovës tashmë është në prag të krizës humanitare për mungesë të ushqimeve bazike. Por, të gjitha këto deklarime janë hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës, duke e cilësuar këtë si një propagandë të Beogradit që ka të vetmin qëllim heqjen e taksës ndaj produkteve të Sebisë dhe Bosnjes e Hercegovinës.

"Nuk do të lejojmë që populli ynë në Kosovë të vdesë nga uria"

"Nuk do të lejojmë që populli ynë në Kosovë të vdesë nga uria edhe pse këtë shumëkush do ta dëshironte. Këtë dëshirë nuk e kanë vetëm udhëheqësit politik në Prishtinë, por edhe disa udhëheqës nga pjesë të ndryshme të botës, e madje edhe disa nga Serbia qendrore”, citojnë mediet në Serbi Aleksandër Vuçiqin. Po në këtë linjë ka folur edhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq, e cila ka kërkuar nga Bashkësia ndërkombëtare që t'i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje dhe të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Qeveria serbe do të përpiqet të bëjë gjithçka që ka në dorë, për të siguruar që mallrat nga Serbia Qendrore të arrijnë tek të gjithë njerëzit në Kosovë", ka thënë Brnabiq për mediumin publik në Serbi.

Kriza humanitare - improvizim

Deklaratat nga Beogradi janë hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga qeveria e Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se ai ka informacione që në Veri të Kosovës po bëhen përpjekjet për të improvizuar "një krizë humanitare”. "Në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen qëllimisht. Ky skenar i Serbisë mund të aktivizohet shpejtë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar, se "asnjë skenar mashtrues ose lajm i rremë nuk do të ndikojë që institucionet kredibile dhe të ligjshme të Kosovës të heqin dorë nga misioni i tyre për zbatimin dhe sigurimin e sundimit të ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë zonën e rripit të gjelbër në veri, ku edhe kufizohet Republika e Kosovës me Serbinë”, shkroi në profilin e tij kryeministri Haradinaj.

Ministri i Tregtisë Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Lajiq, ndërkaq, thotë se Serbia do të përpiqet të furnizojë popullatën serbe në Kosovë me mallra, por nuk ka treguar se si, për faktin që qeveria e Kosovës vazhdon të mbajë taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë. "Ne jemi njoftuar se në veri ka mungesë të ushqimeve bazike, qumësht, fruta perime dhe gjera elementare. Në dyqane nuk ka rezerva dhe produktet e tjera ushqimore ngadalë po pakësohen dhe dyqanet po boshatisen", thotë për RTS, ministri Lajiq.

Reagimet: Nuk ka mungesë të produkteve ushqimore në veri të Kosovës

Menjëherë erdhi kundërpërgjigjja e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala. Ai thotë se në Kosovë nuk do të lejohet që askush të përballet me mungesë të produkteve ushqimore. "Disa pika shitëse tregtare në atë pjesë po mundohen të simulojnë kinse ka një krizë humanitare që nuk ka produkte. Ne jemi në dijeni që kjo po bëhet me qëllim, që të sillet një reagim për një katastrofë të mundshme humanitare. I kemi marrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe nuk do të lejojmë që asnjë pjesë e territorit të Kosovës, të ballafaqohet me mungesë të produkteve të nevojshme”, thotë Ministri Shala. Sipas tij, në Veri të Kosovës inspektorët e Ministrisë tregojnë të kundërtën e asaj që thonë në Beograd.

"Në pjesën veriore, ne i kemi të angazhuar mbi 30 inspektorë të tregut dhe shumica nga ta janë pjesëtarë të komunitetit serb. Ata në baza ditore e përcjellin tregun në atë pjesë dhe nga informatat që kemi nga inspektorët tanë, nuk ka asnjë shqetësim për mungesë të produkteve ushqimore në veri të Kosovës” , thotë ministri Shala.

Edhe kreu i diplomacisë kosovare Behxhet Pacolli, ka reaguar lidhur me informacionet nga Beogradi zyrtar për mundësinë e një "krize humanitare për shkak të takses”, në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. "Ne do ta kundërshtojmë këtë propagandë që ka për qëllim krijimin e tensioneve dhe incidenteve në Kosovën veriore. Nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999, kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë. Kosova do të kujdeset për të gjithë qytetarët e saj”, shkroi Pacolli në profilin e tij, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta "monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë”.

Sipas ministrit serb të Tregtisë dhe Industrisë, Rasim Lajiq, ka thënë se që nga vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, "të gjithë kanë humbur”, por më së shumti sipas tij ekonomia serbe. "228 milionë më pak mallra nga Serbia janë dërguar në Kosovë që nga nëntori i vitit të shkuar e deri në fund të këtij muaji. Çmimi i mallrave në Kosovë është rritur me 5.3 për qind. Vetëm kontrabanduesit kanë përfituar nga kjo situatë ”, ka thënë ministri Lajiq. Nga ana tjetër ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala, thotë se zbatimi i taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë, përveç efekteve politike në ndëshkim të qëndrimeve lobuese të Serbisë kundër Kosovës, taksa ka prodhuar edhe efekte ekonomike sidomos te industria e prodhimit vendor, por ai nuk jep shifra.

Aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që kanë sjellë ndërprerjen e dialogut Kosovë-Serbi prej disa muajsh. Për shkak të këtyre zhvillimeve u anulua edhe takimi i Parisit (vazhdimësi e Samitit të Berlinit), ku planifikohej të mbahej me 1 korrik në Paris dhe ku do të flitej vetëm për mundësinë e arritjes së një marrrëveshje Kosovë-Serbi që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve.