1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti rus Putin takohet me kryeministrin palestinez Abaz

Esther Hartbrich15 Maj 2006

Rusia do t´i ndihmojë palestinezët për të gjetur një zgjidhje të izolimit politik dhe ekonomik. Presidenti rus Vladimir Putin, tha gjatë një takimi që zhvilloi të hënën me kryeministrin palestinez Mahmud Abaz në Sotçi, pranë Detit të Zi, se qeveria e tij do t´i mbështesë palestinezët në zgjidhjen e problemeve të tyre.

https://p.dw.com/p/Aqpy

Presidenti Putin e priti kryeministri palestinez Abaz në rezidencën e tij private në Sotçi, pranë Detit të Zi. Ky akt dëshmon qartë karakterin jozyrtar të këtij takimi. Në qendër të bisedimeve ishte situata aktuale në rajonet autonome palestineze dhe e ardhmja e procesit të paqes:

"Ne jemi të lumtur që miku ynë ka ardhur për vizitë. E di se përpiqeni me të gjitha mjetet për ta normalizuar situatën në rajon. Rusia ka qënë gjithmonë një mikeshë e besueshme e popullit palestinez. Jam i kënaqur që sot kemi shansin për të biseduar mbi këto probleme."

Kështu u shpreh presidenti rus Putin. Miku i tij Mahmud Abaz foli mbi rëndësinë e miqësisë së dy popujve dhe e falenderoi qeverinë ruse për mbështetjen financiare prej 8 milionë euro, që Rusia i dha palestinezëve pas bllokimit të financimeve nga Perëndimi. SHBA-s dhe BE-ja i ngrinë të gjitha fondet e parashikuara për palestinezët, sepse qeveria aktuale e Hamasit nuk e pranon ekzistencën e shtetit Izrael si shtet suvran dhe se nuk do të heqë dorë nga dhuna.

Abaz tha se palestinezët e dinë se Rusia ka qënë gjithmonë një vend miqësor, i cili e ka mbështetur çdo herë popullin e tij. Edhe në momente kritike mund të jemi të sigurtë, se Rusia do të na përkrahë, tha më tej Abaz. Ne e falenderojmë Federatën Ruse për respektin dhe ndihmën që na jep, falë angazhimit personal të vetë presidentit, vazhdoi Abaz.

Abaz theksoi se plani i ashtuquajtur "Road-Map" mbetet baza kryesore për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ai shpreson që qeveria e re izraelite do të jetë së shpejti dakord për bisedime me palën palestineze. Abaz e paralajmëroi edhe Hamasin radikal, se duhet t´u përmbahet kritereve të vëna për marrëveshjen e Lindjes së Afërt.

Abaz foli më tej mbi krizën financiare në Jordanin Perëndimor dhe i bëri thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që ta mbështesë financiarisht popullin e tij. Rusia është pjesë e Kuartetit të Lindjes së Afërt, në të cilin marrin pjesë edhe BE-ja, SHBA-s dhe OKB-ja. Megjithatë, Rusia ndjek rrugë të tjera politike. Kështu Rusia ftoi udhëheqësit e Hamasit për bisedime në Moskë, ndonëse kjo ftesë shkaktoi reagime të ashpëra ndërkombëtare. Përveç kësaj, Rusia nuk merr pjesë në bojkotimin financiar që po kryejnë SHBA-s dhe BE-ja ndaj qeverisë së Hamasit.

Pas takimit mes Putinit dhe Abazit, një përfaqësues i lartë i qeverisë ruse, deklaroi për mediat se Rusia është e gatshme të ofrojë ndihma edhe më të mëdha financiare për palestinezët.