Pa trafik ajror dhe me sektor publik të paralizuar
10 Shkurt 2010Nga mesnata e mbrëmshme dhe deri sonte në mesnatë asnjë avion nuk do të ngrihet dhe ulet nëpër aeroportet greke. Kontrollorët e trafikut ajror marrin pjesë në grevën 24-orëshe të sektorit publik por edhe atij privat. Greva përfshin që nga zyrat fiskale, doganat, shoqëritë e sigurimeve, bashkitë, prefekturat dhe deri te shkollat e mesme, universitetet por edhe spitalet. Me parullën "nuk do të paguajmë ne për krizën" organizatat sindikaliste të sektorit publik ADEDI dhe atij privat PAME, po organizojnë manifestime të veçanta në Athinë dhe njëkohësisht edhe 65 manifestime të tjera në gjithë Greqinë.
"E ndjejmë situatën e vështirë, ndjekim zhvillimet hap pas hapi dhe jemi gati të përballojmë situatat," - deklaroi kreu i sindikatës së sektorit publik Spiros Papaspiru duke paralajmëruar përshkallëzimin e lëvizjes greviste. Nënpunësit shtetërorë u kundërvihen shkurtimeve prej 5% të të ardhurave të tyre, por edhe shtimit të mesatares së viteve për të dalë në pension nga 61,4 në 63,4 vjeç. Masat u shpallën dje me dy reformat e sektorit fiskal dhe sigurimeve sociale për të zbutur problemin akut financiar. Papaspiru tha edhe se sindikatat i cilësojnë masat "të njëanshme" dhe sakrificat "të kota" e që zhysin ekonominë edhe më tepër në recesion.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktor: Pandeli Pani