1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa doreza-  Donika Gërvalla, ministrja e jashtme e Kosovës

25 Mars 2021

Ministrja e re e Kosovës Donika Gërvalla personifikon në biografinë e saj një pjesë shumë të madhe të historisë së shqiptarëve në këto pesë dekada. Cilësia e saj më e çmuar. Guximi për të thënë të vërtetën.

https://p.dw.com/p/3r5Q7
Außenministerin Kosovos Donika Gerwalla-Schwarz
Donika GërvallaFotografi: Privat

"Kush nuk e di nga vjen, nuk mund ta dijë se për ku është nisur“. Me këto fjalë, të huazuara nga Lao Tse, Donika Gërvalla-Schwarz hapi mesazhin falenderues në llogarinë e saj në Facebook, të hënën në mbrëmje, më 22 mars, menjëherë pasi u zgjodh si Ministre e jashtme nga Kuvendi i Kosovës. 49-vjeçarja nga Kosova jeton prej vitit 1991 në Gjermani, dhe jo gjithmonë ka qenë e  ekspozuar në jetën politike. Por kur hedh një vështrim në jetën e saj, sheh se ajo ka dhënë kontributin e saj jo pak të vogël në momentet vendimtare të historisë më të re të shqiptarëve

Plagë të hapura

Një nga vetitë më të spikatura të saj: Të folurit troç, pavarësisht çmimit që mund të paguajë. Një veçori që do ta ketë trashëguar nga i ati, Jusuf Gërvalla, poet, muzikant dhe gazetar kulturor, por edhe një kritik i ashpër i regjimit të Titos. Në vitin 1980, u detyrua të arratisej në Gjermani, së bashku me familjen e tij. Donika Gërvalla në atë kohë ishte tetë vjeçare dhe dy vjet më vonë, në janar 1982, do ta ndiente mbi supe brutalitetin e sistemit komunist jugosllav, kur shërbimi i fshehtë i atëhershëm do t’i vriste të atin dhe axhën, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe shokun e tyre, Kadri Zekën, jo larg banesës ku ajo jetonte në Stuttgart.

"Fakti që autoritetet gjermane nuk kanë qenë në gjendje ta zbardhnin vrasjen, ka të bëjë pikërisht me moskooperimin e autoriteteve serbe," tha ajo  para ca kohësh në një intervistë televizive në Prishtinë. Dhe ky është një nga mijëra rastet e kosovarëve të zhdukur nga dhuna e regjimit të atëhershëm.

“Ne kemi disa plagë të hapura në këtë vend që nuk mund t’i fshehim. Ne nuk mund t'u themi thjesht qytetarëve tanë: Harrojeni të zhdukurit, të vrarët dhe krimet" tha Gërvalla duke iu referuar negociatave me Serbinë.

Pranvera shqiptare

Pas vrasjes së të atit, familja kërkoi strehim në Shqipëri, asokohe një nga diktaturat më të egra staliniste. Regjimi komunist u përpoq ta përdorte strehimin e familjes së njohur kosovare për të përmirësuar imazhin e tij në botë. Donika e vogël do të shihej  në televizionin publik të Shqipërisë, duke i dorëzuar buqetën e karafilave nga Gjermania udhëheqësit  ose duke luajtur si flautiste në koncertet propagandistike të regjimit.

Por më vonë, si studente e Akademisë së Arteve do të ishte nga të parat që do të merrte pjesë në grevën e urisë në pranverën e vitit 1991 që do të çonte përfundimisht në rrëzimin e regjimit komunist të Ramiz Alisë.

Në shërbim të Kosovës

Prej atëherë angazhimi i saj politik do t’i kushtohej Kosovës, e cila më 2 korrik 1990 ishte shpallur shtet i pavarur. Në Hamburg, si studente e drejtësisë por edhe nënë e re, e shihje ato kohë mes ambienteve të Universitetit, çerdheve dhe protestave kundër sistemit shtypës të Milosheviçit në Kosovë.

Si zëdhënëse e degës gjermane të LDK-së, do ta shihje në ato vite jo rrallë duke debatuar në televizionet gjermane me asokohe ende opozitarë serbë, si Zoran Xhinxhiç apo Vesna Peshiç. Në këto debate ajo argumentonte me qetësi dhe rrjedhshëm se përse Milosheviçi duhet ishte në Hagë dhe se përse Kosova duhet të ishte shtet i pavarur.

E padëshiruar në LDK

Außenministerin Kosovos Donika Gerwalla-Schwarz
Donika Gërvalla, gjatë fushatës së zgjedhjeve 2021Fotografi: Privat
Albanien Geschichte Revolution Enver Hoxha Denkmal wird gestürzt in Tirana Flash-Galerie
Shqipëri 1991, pas një greve urie të studentëve, në Shqipëri u arrit të rrëzohej regjimi i egër komunist,Fotografi: AP

Kush i sheh këto video më parë është çuditur se përse një personalitet si Gërvalla po hyn me aq vonesë në vendimmarrjen e Kosovës. Por në Kosovën e pasluftës, nuk kishte vend për politikanen e re, e cila nuk kishte frikë të tregoheshe „e guximshme edhe ndaj miqve“ (për ta shprehur me poeten austriake Ingeborg Bachmann). Pas një periudhe të gjatë, e shkëputur nga jeta publike e teksa punonte si përkthyese në Bon dhe jetonte së bashku me pesë fëmijë dhe bashkëshortin gjerman, ish-deputetin demokristian Stefan Schwarz, në vitin 2018 ndërmori përpjekjen e parë për të hyrë në parlamentin e Kosovës si kryetare e degës gjermane të LDK-së.

Qëllimi i saj dhe i disa të tjerëve rreth Vjosa Osmanit ishte reformimi i LDK-së. Por aktivistë  si ajo, të ardhur nga mërgata, pa varësi ekzistenciale nga pushteti politik, nuk i duheshin Kosovës asaj kohe. Isa Mustafa e nxori Donika Gërvallën me forcë nga mbledhja e kryesisë.
 
Gërvalla nuk rreshti aktivitetin e saj për reformimin e Kosovës, ndërtimin e shtetit ligjor, denoncimin e korrupsionit dhe krimit në politikën e deritanishme në Kosovë. Derisa  e ftoi Albin Kurti, i cili gjithnjë ka pasur një sy të veçantë nga mërgata dhe ajo garoi në kuadër të listës "Guxo" të Vjosa Osmanit.

Screenshot vetevendosje.org Donika Gërvalla-Schwarz
Donika Gërvalla - posteri i prezantimit të saj në listën Guxo Fotografi: vetevendosje.org


Tani dyshja Kurti-Gërvalla do të shihen më shpesh së bashku duke përfaqësuar interesat e Kosovës në dialogun me Serbinë. Megjithëse që të dy kanë besim te BE-ja, te administrata e Joe Bidenit dhe Gjermania, as Gërvalla, as Kurti, nuk janë nga ata që nënshkruajnë symbyllur si në rastin e marrëveshjes Vuçiç-Hoti, vitin e kaluar në Uashington, e cila u arrit nën presionin e Presidentit Trump.

Gërvalla pritet të drejtohet në politikën e saj nga vlerat gjermane. Në një intervistë, Gërvalla tha para ca kohësh, se për të arritur një nivel me Kosovën, Serbia, duhet të ndjekë shembullin e reflektimit të Gjermanisë ndaj së shkuarës naziste dhe të ndihmojë së pari  në mbylljen e plagëve të së kaluarës para se të nisim bisedimet për të ardhmen.

Edhe përsa i përket Bashkimit kombëtar në një hapësirë territoriale ajo flet me karta të hapura dhe sërish merr një shembull nga Gjermania: "Gjermanët asnjëherë nuk u shprehën kundër bashkimit të tyre. Edhe unë nuk kam sesi të jem kundër. Por sesi do të  realizohet ky bashkim, në kuadër të BE-së ose jo, këtë nuk mund ta them. Por mund të them se kjo do të ndodhë në mirëkuptim të plotë me fqinjët."

Anila Shuka, shikon e buzëqeshur në drejtim të kameras
Anila Shuka autore, redaktore dhe korrespondente nga Berlini