Opinion: G7 dhe Ukraina – Perspektiva të paqarta | Bota | DW | 29.06.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Opinion: G7 dhe Ukraina – Perspektiva të paqarta

Si mikpritëse e takimit të nivelit të lartë të G-7 Gjermania donte të dërgonte në botë sinjale të qarta. Por takimi i nuk pati ndonjë vlerë historike, mendon Rosalia Romaniec.

Kaq ishte takimi i nivelit të lartë në Elmau, suksesin e të cilit e pati marrë përsipër Gjermania.  Megjithatë kur mendon se bota është duke u organizuar nga e para disa gjëra u arritën. Më në fund hapet seria e vlerave perëndimore për demokracitë që mundohen në Jugun e globit.

Kësaj herë nuk  u ftuan partnerët e sprovuar që vijnë nga shumë larg, në tavolinë kësaj herë u ulën ata që së shpejti mund të humbasin duke kaluar tek autokratët e kësaj bote, u ulën para së gjithash lojtarët globalë India dhe Indonezia, por edhe Afrika e Jugut, Senegali dhe Argjentina. Çfarë do të sjellë e ardhmja për këto vende nuk është e qartë, megjithatë disa hapa u hodhën në drejtimin e duhur.

Minutën e fundit lëshohen para 

Edhe investimet e mëdha, që Grupi- G7 planifikon të bëjë vitin e ardhshëm për infrastrukturën e vendeve në zhvillim dhe atyre që presin të bëhen vende të zhvilluara, dërgojnë një sinjal pozitiv.

600 miliardë dollarët për vendet në zhvillim duhet të paraqesin një ofertë alternative kundrejt ofertave dominante të ofruara nga Kina.

Ky proces nuk tregon aq shumë zemërgjerësinë e Perëndimit sa tregon nevojën e tij urgjente. Demokracitë e pasura duhet së pari të krijojnë besueshmëri tek vendet postkoloniale të Afrikës dhe Azisë. Por e bëjnë këtë "minutën e fundit”. Sidoqoftë Perëndimi e ka kuptuar se vendet e Jugut global janë orientuar prej kohësh në drejtime të tjera, nganjëherë edhe në drejtim të autokratëve.

Perspektiva afatgjata për Ukrainën  

Kjo tregohet qartë në temën e Rusisë: Disa pjesëmarrës u habitën kur panë sa e vështirë është të bindësh disa vende të Jugut global për përgjegjësinë që ka Rusia në krizën aktuale të urisë. Propaganda ruse ishte sërish e shpejtë në kthimin e Perëndimit në kokë turku, sepse vendosi sanksione kundër Rusisë. 4,5 miliardë dollarët që G7 ka premtuar për t' i dhënë në luftën kundër urisë, janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë për të neutralizuar në nivele të ndryshme përpjekjet destabilizuese të Moskës.

Lufta në Ukrainë i lë në kthesë të gjitha temat. Kështu u vendosën sanksione të tjera kundër Rusisë dhe u premtuan për këtë vit 30 miliardë euro ndihma financiare për Ukrainën. Në deklaratën përfundimtare të takimit në Kështjellën Elmau thuhet se Ukraina do marrë mbështetje sa të ketë nevojë. Për herë parë komuniteti ndërkombëtar flet qartë për atë që pritet të ndodhë pas luftës. G7 njoftoi një "Plan Marrshall” për rindërtimin e Ukrainës.

Kjo tingëllon qetësuese momentin e parë, por pjesa më e madhe e ukrainasve pyesin çfarë u sjell një perspektivë e mirë, kur lufta nuk ka marrë fund ende, për të mos thënë se nuk dihet se kush do ta fitojë? Edhe nëse ajo çka është vendosur është e rëndësishme, Ukraina do të ndihmohej më mirë nëse bëhej mbulimi i çmimit të naftës dhe gazit, nëse zgjerohej më shumë embargo e arit dhe nëse jepeshin më shumë armë. 

Shance të humbura për Olaf Scholzin 

Që pas perspektivave për të cilat flitet, fshihen pak gjëra  konkrete, e tregon kancelari gjerman në konferencën për shtyp. Në deklaratën përfundimtare të G7 flitet për "angazhime afatgjata sigurie" për Ukrainën pas luftës. Edhe kjo tingëllon bukur, por unë i kërkova kancelarit gjerman a mund të konkretizojë çfarë do të thotë "angazhime sigurie”: Ai qeshi me ironi dhe tha "Po, po. Mundem. Kjo është përgjigjia ime.” Por nuk e bëri dhe kaloi tek pyetja tjetër.

Deutschland | G7 Gipfel | PK Olaf Scholz

Olaf Scholz

Pyetja ishte një pyetje serioze që meritonte një përgjigje. Përshtypja se ai vazhdon të mos flasë për Ukrainën, mbeti. Takimi i nivelit të lartë ishte për kancelarin gjerman një lloj prove zjarri në arenën ndërkombëtare. Olaf Scholzi mund t'i kishte shfrytëzuar shancet më mirë për të demostruar forcë udhëheqëse.