Olaf Scholz- Kulmi i kthjelltësisë, pragmatizmit dhe efikasitetit | Gjermania | DW | 11.08.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Olaf Scholz- Kulmi i kthjelltësisë, pragmatizmit dhe efikasitetit

Olaf Scholz do që të bëhet kancelar. Që prej 20 vjetësh ai është një ndër politikanët kryesor në SPD, ndërkohë ministër i Financave dhe zëvendëskancelar. Ai ka përvojë, krizat di t’i menaxhojë – por ka diçka që mungon.

Më mirë nuk mund të bëhej ndërkohë për Olaf Scholz dhe kjo ka të bëjë me krizën Corona dhe me personalitetin e tij. Si ministër i Financave ai është përgjegjës për ndihmat e kreditë miliardëshe, përmes të cilave synohet të ndihmohen për të dalë nga kriza ekonomia dhe qytetarët. "Ne do të parashtrojmë në tryezë të gjitha mundësitë dhe do të tregojmë, se jemi më të fortë se problemi, me të cilin mund të përballemi tani ekonomikisht," deklaroi Scholz qartazi dhe me vendosmëri.

Në krizën Corona Scholz është zjarrëfikësi drejtues dhe qytetarët i besojnë atij. Këtë e tregojnë edhe sondazhet prej javësh e muajsh. Në krizë kërkohet pragmatizëm më shumë se sa karizëm dhe kjo është tani në favor të 62 vjeçarit.

Njeriu, për të cilin gazeta e përjavshme "Die Zeit" më 2003 duke kombinuar fjalët "Scholz" dhe "Automat" krijoi epitetin "Scholzomat", pasi ish-sekretari i përgjithshëm i SPD-së praktikisht shprehej vetëm në formula teknike gjuhësore.

Me sharmin e një makine

Një automat, detyra e të cilit është që pa iu dridhur qerpiku të shesë politikën. Asokohe bëhej fjalë për reformën e diskutueshme të tregut të punës „Agenda 2010", që për të prekurit solli kufizime të forta. Scholz duhej ta mbronte atë në publik, kryesisht kundër sulmeve nga vet radhët e partisë së tij. "Unë isha shitësi i mesazhit. Më duhej të tregoja vendosmëri", tha më vonë Scholz. E kam ndierë veten „vërtetë si një oficer", thotë ai. „Nuk kishte aspak hapësirë manovrimi."

Nuk bëhej fjalë për ndjeshmëritë e tij personale, por për „besnikëri absolute" ndaj kancelarit dhe kryetarit të atëhershëm të SPD-së Gerhard Schröder dhe partisë. "Unë nuk doja të shpëtoja veten, por partinë time".

Gerhard Schröder und Olaf Scholz Parteitag

Olaf Scholz me ish-kancelarin Gerhard Schröder, nëntor 2003

Në fund përpjekja për shpëtim dështoi dhe SPD humbi postin e kancelarit, që e fituan kristiandemokratët (CDU), por Olaf Scholz humbi edhe imazhin që për shumë kohë iu desh të përballojë, pasi ai konsiderohej tanimë në opinion si juristi i mërzitshëm dhe burokrat që nuk njeh shakatë.

Një ngjitje në heshtje dhe me efikasitet

Në SPD nuk e preferonin shumë pragmatikun nga Hamburgu, që i ka fjalët e kursyera e gjithmonë thotë vetëm aq sa është e nevojshme. Por Scholz nuk u dekurajua. Në heshtje dhe me efikasitet ai punoi për karrierën politike drejt majave. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i SPD-së, senator për Punët e Brendshme në Hamburg dhe kryebashkiak me funksion qeverisjeje në landin e Hamburgut, ministër i Punës dhe aktualisht ministër i Financave dhe zëvendëskancelar.

Në SPD Olaf Scholz klasifikohet në krahun konservator, por në fakt atij nuk i përshtaten aspak kategorizimet politike majtas apo djathtas. Si nënkryetar i organizatës së të rinjve të SPD-së ai mbronte teza radikale socialiste dhe kritike ndaj kapitalizmit.

Por qysh nga antarësimi i tij në SPD si nxënës në vitin 1975 dhe deri në zgjedhjen e tij deputet në Bundestag më 1998 kaluan shumë vite, gjatë të cilave Scholz si avokat në fushën e kodit të punës me një kancelari të vetën në Hamburg mësoi shumë, se si funksionojnë ekonomia dhe sipërmarrja private. Kjo la gjurmë tek ai.

Pak spektakël duhet të ketë

Vonë Olaf Scholz mësoi, që në politikë duhet të paraqitesh vet dhe të shesësh bukur mesazhet e tua në skenë. Si kandidat i SPD-së për kryesinë e partisë në vjeshtë 2019 ministri duke marrë pjesë në turet elektorale në mbarë Gjermaninë papritur as që njihej më. Emocional, i përkushtuar e në radhë të parë miqësor kështu prezantohej ai, duke mos e fshehur aspak, që ai i llogarit për vete shanset më të mira për kryesimin e SPD-së. Por ishte befasuese, që ai nuk fitoi. Pikërisht përballë dy kandidatëve të krahut të majtë Saskia Esken dhe Norbert Walter-Borjans.

Norbert Walter-Borjans, Olaf Scholz und Saskia Esken

Dy kryetarët e SPD-së Norbert Walter-Borjans dhe Saskia Esken në mes Olaf Scholz

Por ushtari i zellshëm i partisë Scholz nuk e humbi toruan. AI u përqendrua tek puna e qeverisë dhe dyshen drejtuese të SPD-së e la të bëjë punën. Besnik dhe pa devijime, por edhe me vetëdijen, se dyshja pa përvojë politike mund të gabojë. E ky kalkulim i doli atij e së fundi nuk kishte më alternativë kundrejt menaxherit të krizës Corona Olaf Scholz, si figura e përshtatshme për të kandiduar për kancelar.

Çfarë bën SPD?

Mbetet të shihet, se ç'qendrim do të mbajë SPD. Me vendimin për të zgjedhur në krye të partisë Esken dhe Walter-Borjans baza e SPD-së bëri të qartë se është për një kurs më të majtë politik. Por me Olaf Scholz nuk ka një kurs të tillë.

Kundërthënia mes partisë dhe kandidatit në SPD ka dështuar disa herë. "Ne e dimë, që ky vendim për disa paraqet një kthesë të papritur", tha kryetarja e partisë Esken. "Ju lutemi të besoni në rrugën tonë. Ne jemi të vendosur që ta përshkojmë bashkarisht këtë rrugëtim."