OKB asiston qeverinë shqiptare në kapërcimin e pasojave të tërmetit | Ballkani | DW | 27.11.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

OKB asiston qeverinë shqiptare në kapërcimin e pasojave të tërmetit

OKB dërgon në Shqipëri dy ekspertë për vlerësimin e katastrofave dhe koordinimin e punës për kapërcimin e pasojave. Ata do të ndihmojnë qeverinë shqiptare në përballimin e pasojave të tërmetit.

Dy ekspertë të OKB që merren me vlerësimin e katastrofave dhe koordinimin e punës për kapërcimin e pasojave, kanë shkuar në Shqipëri në ndihmë të qeverisë shqiptare, një ditë pas tërmetit. "Dy anëtarët e ekipit të mbështetjes teknike mbërritën sot në Tiranë duke iu bashkangjitur ekipit europian të mbrojtjes civile, për të ndihmuar qeverinë në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit,” tha sot zëdhënësi i OKB, Stephane Dujarric në konferencën e përditshme të shtypit mbajtur në selinë e OKB në Nju Jork. Dujarric pati njoftuar një ditë më parë dërgimin e dy teknikëve të OKB në Shqipëri. Ai dha të dhënat e ditës së djeshme për numrin e viktimave që kanë humbur jetën, janë lënduar apo janë shpëtuar, duke shpjeguar se "operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë duke u ndihmuar edhe nga ekipet ndërkombëtare të vendeve fqinjë”. 

USA Sprecher des UN-Generalsekretärs Stéphane Dujarric in New York

Stéphane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB

Zyra e OKB që merret me vlerësimin dhe koordinimin në raste katastrofash, UNCTAD, ndihmon vendet në fazën e parë të krizave që shkaktohen nga tërmete, uragane, përmbytje apo gjendje të tjera kritike.

Duke i dërguar ngushëllimet e OKB familjarëve të viktimave, Dujarric siguroi në emër të OKB se: "ne sigurisht që jemi të gatshëm të dërgojmë ndihmë të mëtejshme për qeverinë e Shqipërisë”.

Një ditë më parë ai pati siguruar se OKB ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore në Shqipëri.