1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ne jemi vend evropian"

Lavinia Pitu21 Maj 2014

Republika e Moldavisë i përmbahet objektivit për t'u bërë anëtare e BE. Këtë e deklaroi ministrja e Jashtme e Moldavisë, Natalia Gherman pas një takimi me homologun e saj gjerman, Frank Walter Steinmeier në Berlin.

https://p.dw.com/p/1C3Vy
Natalia Gherman, ministre e jashtme e Moldavise
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Deutsche Welle: Republika e Moldavisë do të nënshkruajë më 27 qershor në Bruksel Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Në Moldavi ka frikëra se kjo mund të ketë pasoja në marrëdhëniet tregtare të Moldavisë me Rusinë. A është menduar në Kishinau që nga ky shkak të mos nënshkruhen pjesë të Marrëveshjes, për të mos shkaktuar një kundërreagim të Moskës?

Natalia Gherman: Republika e Moldavisë do ta nënshkruajë të gjithë Marrëveshjen e Asociimit. Ajo përmban edhe ngritjen e një zone të tregtisë së lirë midis Republikës së Moldavisë dhe BE. Më vënien në jetë të marrëveshjes, Republika e Moldavisë bëhet një partner edhe më i sigurtë - edhe për Federatën Ruse dhe partnerët e tjerë tregtarë. Ne nuk kemi në plan që të largohemi nga Zona e Tregtisë së Lirë brenda Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Kjo zonë rajonale e tregtisë së lirë nuk është në kundërshtim me politikën tregtare të BE, me kusht që të dyja marrëveshjet të respektojnë politikën e çmimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Hapja e një tregu prej 500 milionë konsumatorësh në BE i ofron ekonomisë sonë dhe tregtisë së jashtme perspektiva të reja.

Opozita politike në Kishinau ka mendim tjetër për Marrëveshjen me BE.

Po, opozita - Partia Komuniste dhe Partia Socialiste e mbështesin strategjinë e tyre në prag të zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës në integrimin e Moldavisë në Bashkimin Euraziatik. Natyrisht që Rusia i mbështet politikanët që e mbështesin këtë projekt. Por në Republikën e Moldavisë ka demokraci, respektohet pluralizmi. BE paraqitet nga opozita si partner i papërshtatshëm, që nuk kontribuon në rritjen dhe zhvillimin e Moldavisë. Ne, partitë proevropiane e vërtetojmë me studime dhe argumente konkrete pikërisht të kundërtën. Para së gjithash fqinjët tanë kanë treguar se BE ka çuar në modernizim dhe zhvillim. Anëtarët e BE mund të presin mbështetje, si në vështirësi ekonomike e financiare, edhe në siguri dhe stabilitet. Ne duam të kemi të njëjtën ndjenjë sigurie si fqinjët tanë Rumania, Bullgaria ose Shtetet Baltike.

Cila është zgjidhja politike më realiste për ju për rajonin separatist të Transnistrisë, përballë ngjarjeve në Lindje dhe në Jug të Ukrainës?

Për mendimin tim, integrimi evropian, rezultatet e këtij procesi janë argumentat më efikase në dobi të një ribashkimi të Republikës së Moldavisë. Dhe shembulli më i fundit është vendimtar. Kur BE vendosi lehtësi vizash për qytetarët e Moldavisë u rrit me shpejtësi numri i kandidatëve nga Transnistria që donin pasaportë moldave. E njëjta gjë do të ndodhë edhe pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së tregtisë së lirë me BE.