1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihma për Athinën

10 Shkurt 2010

Arkat bosh të Greqisë po preokupojnë aktualisht qeveritë e vendeve anëtare të eurozonës. Dhe ndërsa në Greqi po zhvillohen greva kundër kursit të qeverisë, në kryeqytetet e BE-së po shqyrtohet mundësia për ndihma.

https://p.dw.com/p/LyGn
Ç'rol do të luajë Berlini për shpëtimin e Greqisë
Ç'rol do të luajë Berlini për shpëtimin e GreqisëFotografi: Bilderbox / DW / Montage

Një gjë dihet që tani: Ndihma bilaterale nuk do të ketë. Kjo u bë e ditur nga qarqet qeveritare në Berlin. Kjo, pasi në Bashkimin Evropian është e ndaluar që një shtet të blejë borxhet e një tjetri, ashtu sikurse është e ndaluar48, që BE-ja të blejë borxhet e një vendi anëtar. "Dhe kjo e shpjegon gjithçka", u bë e ditur nga qarqet qeveritare të mërkurën në Berlin.

Një deklaratë e qartë, e cila hedh poshtë spekulimet e bëra nëpër medie, sipas të cilave Gjermania po shqyrton mundësinë e ndihmës ndaj Greqisë. Eurodeputeti gjerman Wolf Klinz i kishte thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se një mundësi për të ndihmuar Greqinë për të dalë nga kriza do të ishte që bankat shtetërore, si ajo gjermane KfW të blinin obligacionet e shtetit grek. Por as Klinz nuk kishte dëgjuar që qeveria gjermane të planifikonte një gjë të tillë.

Pavarësisht nga hapësira juridike brenda BE-së, ndihma ndaj Greqisë nuk përshëndet njëzëri nga opinioni politik në Gjermani. Deputeti liberal Carl-Ludwig Thiele thotë për programin grek të Deutsche Welles: "Ne jemi të mendimit se Greqia duhet të dalë nga kriza me forcat e veta. Ne nuk mund të ndihmojmë një vend tjetër me paratë e tatimpaguesve gjermanë. Kjo do t'i stimulojë vendet e tjera që të mos bëjnë përpjekje që t'i zgjidhin vetë problemet. Kjo është një rrugë tërësisht e gabuar."

E gabuar, por edhe pragmatike, sepse politika e BE-së ndaj Greqisë ka pasoja të drejtpërdrejta ndaj tregjeve financiare, përfshirë këtu edhe atë gjerman. Dëshmia më e mirë ishte Indeksi i Aksioneve Gjermane (DAX)i së mërkurës, që u rrit me 1,6 përqind vetëm sepse u fol që BE-ja do të ndihmojë Greqinë.

Deputetja social-demokrate Nicolette Kressl është e vetëdijshme për këtë dilemë: "Ne këtu kemi të bëjmë në radhë të parë me stabilitetin në eurozonë, është një çështje evropiane, të cilën duhet ta zgjidhim bashkarisht. Por duhet të kujdesemi që të mos krijohet përshtypja se vendet e Euros nuk kanë pse të kujdesen për disiplinë buxhetore, sepse u vjen Evropa në ndihmë."

Ndihmë apo jo? Kjo do të shqyrtohet gjatë drekës në samitin e BE-së në Bruksel. Gjermania ende nuk e ka thënë fjalën e fundit. "Shteti grek nuk ka falimentuar ende, kështu që nuk shohim nevojë për të ndërhyrë", u tha në Berlin.

Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani