1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFinlandë

Ndërroi jetë Martti Ahtisaari

16 Tetor 2023

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, ka ndërruar jetë këtë të hënë, në moshën 86 vjeçare. Ahtisaari ka qenë edhe ndërmjetës i OKB për Kosovën. Por emri i tij lidhet edhe me shumë misione të tjera.

https://p.dw.com/p/4XZkJ
Martti Ahtisaari
Martti AhtisaariFotografi: AP

Martti Ahtisaari ka lindur në vitin 1937 në Vipuri të Finlandës dhe ka qenë një prej politikanëve e diplomatëve më të njohur të këtij vendi por edhe më gjërë. Aktivitetet e tij në arenën ndërkombëtare i ka filluar në vitin 1959 kur ka shkuar me punë në Pakistan. Ndërsa në vitin 1965 ka nisur karrierën e diplomatit. Në vitet 1970-të ka qenë ndër tjerash ambasador në Tanzani, Zambi, Mozambik e Somali. Ndërsa në vitin 1977 deri në vitin 1981 ishte i ngarkuar i OKB në Namibinë. Në vitin 1987 Ahtisaari është emëruar nga Sekretari i atëhershëm i OKB Javier Pérez de Cuéllar për katër vite së nënsekretar i OKB.

Martti Ahtisaari në takim me krerët e disa vendeve
Martti AhtisaariFotografi: Jeff Moore/THE ELDERS/AFP

Por emri i Ahtisaarit lidhet ngushtë edhe me aktivtetet diplomatike në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Aktivitetet e tij të drejtpërdrejta në Ballkan kanë filluar që në vitin 1992 kur Ahtisaari ishte një prej figurave kyçe në përpjekjet për zgjidhjen me mjete paqësore të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërsa dy vite më vonë ai është zgjedhur për herë të parë president i Republikës së Finlandës, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2000.

Presidenti Ahtisaari së bashku me ndërmjetësin rus Viktor Çernomirdin është takuar në vitin 1999 (gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s) me Slobodan Millosheviqin, në përpjekje për të gjetur një zgidhje paqësore të luftës në Kosovë, e emri i tij lidhet më pas me zhvillimet më të rëndësishme diplomatike që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës. Ai ka drejtuar edhe ekipin e ndërmjetësve, së bashku me austriakun Albert Rohan, në dialogun e zhvilluar në Vjenë, mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Martti Ahtisaari
Martti AhtisaariFotografi: AP

Pas dështimit të këtij dialogu, ai me ekipin e tij ka hartuar edhe dokumentin që në opinion njihet si Plani i Ahtisaarit, dhe që paraqet bazat e shtetësisë së sotme të Kosovës. Ahtisaari ka drejtuar edhe misione të tjera paqësore në botë. Për këtë është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 2008 dhe kështu u bë finlandezi i parë që fitoi këtë Çmim.

Në vitin 2021 është raportuar se Martti Ahtisaari ka hequr dorë nga të gjitha aktivitetet publike për shkak të sëmundjes Alzheimer. Martti Ahtisaari ndërroi jetë me 16 tetor 2023 në Helsinki.