1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë rritje e numrit e të prekurve me COVID-19

Bekim Shehu
17 Mars 2020

Kosova shpalli gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, pas rritjes së numrit të personave të prekur me COVID-19. Kufijtë mbyllen për të huajt dhe fluturimet ndalohen në aeroportin e Prishtinës.

https://p.dw.com/p/3ZYSZ
Kosovo | Stadtansichten aus Pristina
Fotografi: DW/V. Çerkini

Në 24 orët e fundit në Kosovë, gjashtë raste të reja u konfirmuan me koronavirus duke e ngritur numrin e të prekurve në 15-të. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se katër raste janë nga fshati Stubëll i komunës së Vitisë, që të gjithë familjarë të ngushtë të një pacienti 77 vjeçar i diagnostikuar më COVID-19, me datën 13 mars. E gjithë kjo familje kanë qenë në vetizolim. Dy rastet e fundit me koronavirus u konfirmuan nga Instituti Kombëtar. Janë dy të rinj të moshës 26 vjeçare të fejuar, që erdhën nga Londra dhe ata u dërguan menjëherë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Gjendja e të gjithë të infektuarve sipas mjekëve është stabile. Tri komuna të Kosovës tashmë janë në karantinë, Klina, Vitia, Malisheva. Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur gjendjen e emergjencës së shëndetit publik.

Kosovo Premierminister Albin Kurti PK in Pristina
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Ndalen të gjitha fluturimet

Masat e qeverisë së Kosovës përfshijnë mbylljen e kufijve përveç për shtetasit e Kosovës, ndërsa, nga mesnata e së henës datë (16.03) u ndaluan të gjitha fluturimet në aeroportin e Prishtinës përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave shëndetësore. Kryeministri Albin Kurti përmes një video-mesazhi i është drejtuar qytetarëve të vendit për masat mbrojtëse kundër coronavirusit, COVID-19, duke iu kërkuar që të ruajnë pastërtinë në maksimum dhe të rrinë nëpër shtëpitë e tyre. "Kjo është një kohë e pazakonshme, prandaj edhe kemi marrë vendime të veshtira. Kemi ndalur hyrje-daljet e disa komunave, kemi mbyllur kufijtë, kemi ndaluar fluturimet e transportit. Sot rrugët e qytetit janë kryesisht të zbrazta. Masën e vetizolimit po e ndjekin pergjithesisht, ju falënderoj për bashkëpunimin.

Është situatë e përkohshme dhe do t'i kthehemi normalitetit”, thotë Kurti. Edhe Presidenti Hashim Thaçi ju kërkoi qytetarëve që të kenë lëvizje të kufizuara. "Sot na nevojitet kujdes, vigjilencë, solidaritet, durim, urti, besim. Këto vlera e parime i kemi kalitur në sfidat që i kemi kaluar. Prandaj, ju bëj thirrje që të rrini të qetë, të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja, të kufizoni lëvizjet, të mos dilni nga shtëpitë pa nevojë dhe të qëndroni sa më shumë brenda”, tha Presidenti Thaçi. 

Blerje paniku në Kosovë

Rritja e rasteve me koronavirus në Kosovë dhe masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes, bëri që qytetarët të vërshojnë dyqanet për të blerë artikuj ushqimorë dhe barna nga frika e izolimit dhe mungesës së ushqimeve. Kompanitë tregtare në Kosovë thonë se janë të përgatitura dhe të furnizuara mjaftueshëm për të mos munguar në treg produktet bazike.

Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se bizneset janë të përgatitura, kanë rezerva dhe nuk ka nevojë për panik. "Një gjë që për të cilën duhen siguruar qytetarët është që për artikujt bazikë ka stoqe të mjaftueshme dhe mallra të mjaftueshme edhe në treg dhe nuk ka nevojë të krijohet panik apo blerje e tepruar. Pjesa më e madhe e kompanive këto ditë janë furnizuar më stoqe ekzistuese që planifikohen për kohë më të gjatë”, tha Berat Rukiqi.

Ngritje të çmimeve në këtë kohë janë vërejtur nëpër marketet e Kosovës, që nga dita e enjte nga paniku i qytetarëve. E pas masave të qeverisë kur vendi është në gjendje epidemie, Administrata Tatimore e Kosovës ka ndëshkuar 120 biznese për ngritje të çmimeve. 

Dallimet politike vazhdojnë 

Edhe në kohën kur Kosova po përballet ne koronavirusin dhe masat kundër përhapjes së tij, udhëheqësit politik kosovar nuk kanë hezituar të shfaqin dallimin e tyre edhe për situatën e brendshme, por edhe të jashtme, sidomos sa i përket tarifës së mallrave nga Serbia. Duke i parë këto dallime, Ambasada e SHBA-së, në Kosovë në një deklaratë të saj, thotë se "tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike të brendshme dhe rajonale të na bëjnë të mos i ndihmojmë njëri-tjetrit në këtë kohë të nevojës kolektive".

"Ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve në vend dhe në rajon që të lënë mënjanë dallimet politike dhe të përqëndrohen në nevojat e qytetarëve të tyre. Të punosh së bashku dhe të ofrosh mbështetje ndaj njëri tjetrit është përgjigjja e kësaj sfide", thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.