Merkel kërkon hapa të vendosur ndaj Iranit | FOKUS | DW | 19.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Merkel kërkon hapa të vendosur ndaj Iranit

Gjermania dhe Franca planifikojnë projekte të përbashkëta në fushën e sigurisë, energjetikës, shkencës etj. Merkel dhe Dominique de Villepin bisedojnë në Berlin për Iranin

Dominique de Villepin dhe Angela Merkel

Dominique de Villepin dhe Angela Merkel

"Duhet t‘i dërgojmë një sinjal Iranit që ta kuptojë që Bashkësia Ndërkombëtare nuk do të pranojë, që ai të mos i respektojë detyrimet e të shkelë vazhdimisht marrëveshjet," - deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel me rastin e takimit me kryeministrin francez, Dominique de Villepin. Ajo kërkoi vendosmëri në hapat e mëtejshëm, që do të ndërmerren ndaj Iranit, i cili më 10 Janar hoqi vulën nga impiatet bërthamore për të vazhduar kërkimet shkencore në lëndët djegëse nukleare.

Si de Villepin ashtu edhe Merkel presin nga takimi i guvernatorëve të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që do të zhvillohet më 2 shkurt në Vjenë, që të arrihet një konsensus sa më i gjerë në lidhje me hapat që do të ndërmerren më tej. Të dy përforcuan, se nuk përjashtohet mundësia e një rezolute të Këshillit të Sigurimit.

Projekte të përbashkëta

Kryeministri francez de Villepin kishte ardhur në Berlin për të mbajtur një referat në Universitetin Humboldt rreth rolit të Gjermanisë dhe Francës në Bashkimin Evropian. De Villepin e sheh këtë bashkëpunim si motorin e zhvillimit të shpejtë të BE-së. Ai përmendi disa nga fushat kryesore të bashkëpunimit, mes tyre edhe atë të luftimit të migracionit të paligjshëm dhe hodhi idenë e krijimit të një policie kufitare evropiane, ose gjermano-franceze, që do të bënte ballë situatave nga më të komplikuarat. "Duam të bëjmë një politikë më të përqendruar në sektorin e migrimit të paligjshëm," – shtoi kryeministri francez.

Për të reaguar më shpejt ndaj krizave të ngjashme me atë të gripit të shpendëve kryeministri francez propozoi krijimin e një grupi ekspertësh, të cilët në kuadër të BE-së do të ndërhyjnë në zonat e prekura nga kriza. Dy shefat e qeverive duan të gjejnë rrugë të përbashkëta edhe për t’u bërë ballë problemeve të mundshme të furnizimit me energji, që nuk përjashtohen mbas konfliktit të kohëve të fundit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Të gjitha këto projekte bashkëpunimi të boshtit gjermano-francez do të thellohen gjatë javëve të ardhshme, duke filluar që nga e hëna (23.01.) kur kancelarja Angela Merkel të shkojë për vizitë në Versajë tek presidenti francez, Zhak Shirak.

  • Data 19.01.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgU
  • Data 19.01.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgU