1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Fakti që unë jam grua, nuk rezultoi si disfavor për bisedimet

Barbara Shulte24 Nëntor 2005

Kancelarja Merkel vizitën e parë e zhvilloi në Paris

https://p.dw.com/p/AqsU
Fotografi: AP

Zhak Shiraku di të sillet edhe me mirësjellje të thellë aristokratike. Këtë ai e tregoi të mërkurën në mesditë, kur kancelarja Angela Merkel hyri në oborrin e Pallatit Elize. Presidenti i zbriti pak shkallët deri te vetura, hapi derën e veturës dhe e përshëndeti kancelaren gjermane me gjestin e një puthjeje dore, gjë që Merkeli e pranoi me buzëqeshje. Pas kësaj, duke biseduar me gjallëri, të dy u futën në dhomat e punës për të folur atje për disa tema të vështira. Shpejt ata dolën para shtypit, për të dhënë siguri për vlerësimin reciprok dhe për të theksuar se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet gjermano-franceze për Evropën.

"Dëshiroj t'ju them se e ndiejmë shumë për nder dhe si shenjë miqësie, që rruga juaj e parë pas zgjedhjeve ju solli në Francë."

Fjalët e përzemërta megjithatë nuk të bëjnë të harrosh faktin se Merkeli, ndryshe nga Shrëderi nuk e vështron Francën si partner të privilegjuar. Kështu Shiraku foli shprehimisht për nevojën e ruajtjes së boshtit gjermano-francez dhe për nevojën për t'i dhënë atij shtytje të mëtejshme. Merkeli nga ana e saj iu shmang fjalëve të ngjashme, por theksoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe: "Në rastin e kësaj vizite nuk bëhet fjalë për një ritual, por për një bindje të thellë, se marrëdhëniet e mira gjermano-franceze, raportet miqësore dhe të ngushta intensive, janë të rëndësishme jo vetëm për të dy vendet tona, por janë të nevojshme dhe të dobishme edhe për Evropën."

Matanë fjalëve të ndryshme që përdorën, Chiraku dhe Merkeli vendosën vazhdimin e të ashtuquajturit "Procesi Blaesheim", pra të asaj serie takimesh të rregullta midis shefave të qeverive dhe shteteve të të dyja vendeve, për të cilën vendosën pak vite më parë Shiraku dhe Gerhard Schröder-i.

Kancelarja e re gjermane e ftoi presidentin francez për një vizitë në Berlin. Takimi i planifikuar për në dhjetor do të shërbejë për rakordimin e pozicioneve të të dyja vendeve para takimit të nivelit të lartë në Bruksel. Atje do të diskutohet para së gjithash tema e vështirë e buxhetit evropian, e cila i ndan aktualisht Parisin dhe Londrën. Një temë tjetër delikate duhet të zgjidhin Merkeli dhe Shiraku në muajt e ardhshëm, në rast se retorika bukurtingëlluese për bashkëpunimin gjermano-francez do të vihet në jetë. Ata duhet të gjejnë një pozicion të njësuar për anëtarësimin e Turqisë në BE. Shiraku, njësoj si paraardhësi i Merkelit, Shrëder, është mbështetës i vendosur i anëtarësimit, Merkeli deri tani është shprehur për një partneritet të privilegjuar.

Krahas politikës, mediet franceze i interesoi edhe fakti se Gjermania ka tani një kancelare. Si do t'i ndikojë kjo vallë marrëdhëniet gjermano-franceze? Ja edhe përgjigjia e Merkelit për këtë: "Unë do të thosha se sot folëm në një frymë të mirë me njëri-tjetrin, dhe të paktën fakti që unë jam grua, nuk rezultoi si disfavor për bisedimet."