Loja Xhirga diskuton për pajtim me kryengritësit
3 Qershor 2010Presidenti Hamid Karzai nuk kishte folur tamam për herë të parë për kryengritësit, kur erdhi komenti i tyre i parë për xhirgën e paqes: disa qindra metra më tej se vendi i mbledhjes ra një raketë:
Por Karzai qendroi i qetë:
"Qendroni ulur, qetësohuni, me shpërthime të tilla jemi mësuar prej kohësh, edhe djali im i vogël e njeh zhurmën e tyre,"
kërkoi kryetari i shtetit dhe i qeverisë së Afganistanit nga delegatët e Asamblesë Konsultative.
Në një kohë kur në qytet ranë raketa të tjera dhe kur kryengritësit dhe forcat e sigurisë zhvilluan shkëmbime zjarri, Karzai e vazhdoi fjalimin e tij pa u turbulluar:
"I dashur Talib, mos lejo që Afganistani të vuajë edhe më tej, mos shkatërro vetveten. Ti dhe unë, ne jemi të dy afganas, le ta ndërtojmë së bashku vendin tonë", u bëri thirrje presidenti ekstremistëve islamistë.
Oferta me kufij ndaj ekstremistëve
Me këmbëngulje kërkoi kryetari i shtetit nga kryengritësit që të zhvillojnë negociata, u bëri thirrje për pajtim 1600 afganasve, të cilët do të diskutojnë ditët e ardhshme për oferta ndaj talibanëve, Rrjetit Hakkani, Hisbi Islamit dhe të tjerëve.
Presidenti afganas theksoi megjithatë edhe kufijtë e ofertave ndaj ekstremistëve: tërheqjen e trupave të huaja, një kusht ky i talibanëve për nisjen e negociatave, ai e refuzoi në mënyrë të prerë dhe kërkoi prej tyre që t'i ndërpresin marrëdhëniet me Al Kaidan:
Martin Koble, zëvendës i të dërguarit të posaçëm i OKB-së për Afganistanin e përshëndeti fjalimin e Karzait:
"Ai e tha qartë që bashkësia ndërkombëtare këtu ka vlerën e saj...për 100 vjet nuk do t'ia dilnin mbanë kësaj."
Bazë për konsultimet e Xhirgas është një "program paqeje dhe riintegrimi", për të cilin ka rënë dakord qeveria afganase me bashkësinë ndërkombëtare. Në parim thirrja u drejtohet të gjithë ekstremistëve islamikë, të cilët janë të gatshëm të heqin dorë nga lufta e armatosur dhe të respektojnë kushtetutën e vendit.
Kritikë të programit të integrimit tërheqin vëmendjen, që reduktimi i kryengritjes në faktorë ekonomikë nuk mban parasysh gjithë faktorët, që shkaqet janë shumë më komplekse.
Zëvendësi i të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, Martin Kobler mendon megjithatë se koncepti ka shanse.
"Pyetja që shtrohet për ne si bashkësi ndërkombëtare megjithatë është: si ta sjellim paqen dhe stabilitetin. Natyrisht që për çështje të veçanta gjithnjë mund të thuash, a ka dobi ky hap apo jo. Por mendoj se linja e përgjithshme këtu është ajo e duhura."
Autor: Sabina Matthay/Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti