1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku është Osama bin Ladeni? SHBA nisin një fushatë të re kërkimi nëpërmjet spoteve radiofonike dhe televizive

Daniel Sheshekevic16 Shkurt 2005

SHBA i ka dhënë një dimension të ri kërkimeve të tyre për Osama bin Ladenin. Nëpërmjet spoteve radiofonike dhe televizive në disa gjuhë qeveria e SHBA ofron 25 milionë dollarë për të dhëna që mund të ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit si koka e terroristëve. Amerikanët kanë dyshime që bin Ladeni mund të ndodhet në një territor relativisht të pakalushëm në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit.

https://p.dw.com/p/ArQS
Video e Osama bin Ladenit në TV- El Xhazira
Video e Osama bin Ladenit në TV- El XhaziraFotografi: dpa

Qysh prej disa ditësh në radio dhe në telvizion transmetohet spoti, ndonëse televizor nuk kanë të gjithë banorët e provincës Vasiristan që shtrihet në brezin kufitar afgano-pakistanez. Shërbimet sekrete amerikane dyshojnë, se pikërisht në këtë zonë mund të jetë vendstrehimi i udhëheqësit të El Kaidës, Osama bin Laden.

Për dëshmi që mundësojnë kapjen e bin Ladenit janë vënë në dispozicion për shpërblim 25 milionë dollarë si dhe garancia për një të ardhme në vend të sigurtë, kështu është formuluar spoti në gjuhën angleze: "Do t´ju çojmë në një vend të sigurtë dhe telefonata juaj do të shqyrtohet në mënyrë konfidenciale."

Kongresmeni republikan Mark Kirk sapo është kthyer nga Vasiristani. Ai shpreson që të jepen impulse të rëndësishme nga programi i ri për kapjen e të dyshuarit si koka e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001: "Njerëzit në Vasiristan janë shumica analfabetë. Ndaj deri më sot asnjëherë nuk është folur, se si mund të merret shpërblimi që vihet në dispozicion për të dhënat dhe se si mund të garantohet siguria për familjen e atij që i jep këto të dhëna. Unë jam i pari deputet i kongresit që kam qenë në Vasiristan, ku një pjesë e madhe e popullsisë dëgjon radio. Disa banorë kanë edhe televizor me antenë satelitore, e në këtë mënyrë ata do të informohen lidhur me programin."

Qysh tani SHBA në mbarë botën kanë paguar shpërblim rreth 50 milionë dollarë për dëshmitë e dhëna për kapjen e terroristëve dhe të njerëzve të Sadam Huseinit. Në këtë mënyrë amerikanët futën në rrjetë jo vetëm dy djemtë e Sadam Huesinit, por edhe Ramsi Jusufin, autor i sulmit të vitit 1993 në World Trade Center.

Megjithëse fushata në mediet elektornike në zonën e kufirit afgano-pakistanez ka vetëm pak ditë që ka nisur, sipas deputetit Kirk deri tani janë mbledhur 12 dëshmi brenda një dite. Ndonëse ende nuk është dhënë dëshmia vendimtare: "Në 10.000 të dhëna të panevojshme do të ketë një që të japë rezultat. Me këtë program ne nuk synojmë vetëm kapjen e Osama bin Ladenit, por edhe të 25 komandantëve të tjerë të El Kaidës, në këtë mënyrë ne do të përmbushim detyrën tonë të nisur qysh nga 12 shtatori 2001", thekson kongresmeni Kirk.

Sipas përllogaritjeve të medieve amerikane qeveria e SHBA ndërkohë ka shpenzuar rreth 300 miliardë dollarë në luftën mbarëbotërore kundër terrorizmit. Në këtë shumë ende nuk janë përfshirë edhe 25 milionët për kapjen e bin Ladenit.