1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk çertifikohen kandidatët e Listës Srpska për veriun

Bekim Shehu''
24 Prill 2019

Kandidatët e listës “Srpska”, nuk janë çertifikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës. Në aktin e dorëheqjes së tyre në nëntor të vitit të shkuar, ata Kosovën e kanë quajtur “Kosovë e Metohi”.

https://p.dw.com/p/3HLZI
Kosovo Nord-Mitrovica
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka çertifikuar katër kandidatët e subjektit politik, Lista Serbe (Srpska), që pritet të garojnë për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit. Kjo për faktin që dy anëtarë të KQZ-së nga lëvizja Vetëvendosja nuk votuan për çertifikimin e tyre. Nga nëntë anëtarët e KQZ-së, vetëm shtatë votuan pro çertifikimit të kandidatëve të Listës Serbe, ndërsa dy vota ishin kundër. Tre nga katër kandidatët e Listës Serbe ishin të njëjtët kryetarë komunash, që dhanë dorëheqje në nëntorin e vitit të shkuar, për shkak se qeveria e Kosovës vendosi taksa ndaj mallrave serbe.

Dy anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosja, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi, thanë se arsyeja pse votuan kundër është se në aktin e dorëheqjes, kandidatët e tashëm, Kosovën e kanë quajtur "Kosovo i Metohija”, që nuk është emër kushtetues i Kosovës.

Kryetarët e komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë proteste dhe pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Në aktin e dorëheqjes së tyre Kosovës ata i ishin referuar "Kosovo i Metohia”.

Pritje e zhgënjyer

"Unë kam pritur që për këto 24 orë, Lista Serbe do të zëvendësojë tre nga katër kandidatët të cilët kishin dhënë dorëheqje para pesë muajsh, e që në deklaratat e tyre të dorëheqjes, aktet e dorëheqjes, në përmbajtje e konsideronin Kosovën pjesë të Serbisë dhe i referoheshin Kosovës si ‘Kosovë dhe Metohi'. Unë po ashtu kam pritur nga Lista Serbe që të distancohet publikisht nga përmbajtja e këtyre deklaratave dhe të japë dëshmi që distancohet nga përmbajtja e dorëheqjeve”, tha Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga lëvizja Vetëvendosja.

Anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, thotë se "mosçertifikimi i Listës Serbe për zgjedhje është sulm politik ndaj tyre”. Për mos çertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet për kryetarë komunash në veri të Kosovës ka reaguar edhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai tha se "ndalimi i përfaqësuesve të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës është një akt me të cilin shfuqizohen të gjitha të drejtat politike për serbët”.

"Pjesëmarrja e mëtejshme e serbëve në çdo institucion të Prishtinës dhe proceset politike të organizuara nga Prishtina, pas një akti të tillë bëhet e pakuptimtë", thuhet në një deklaratë më shkrim të zyrës së Gjuriqit.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, ku mor vendimi për të marrë pjesënë zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri, tha se subjekti politik "Srpska” do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në mënyrë që, siç tha "shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”.

Sidoqoftë, tash çështja e mosçertifikimit të katër kandidatëve të listës "Srpska”, për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë komunash në veri të Kosovës, tash do të trajtohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ku Lista Srpska ka 24 orë kohë për ankesë.