1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KQZ: Gjysma e komunave të Kosovës në balotazh

Bekim Shehu
23 Tetor 2017

Me rreth 44% të votuesve, zgjedhjet lokale në Kosovë shënuan një pjesëmarrje të ulët. Sipas rezultateve preliminare në 19 komuna do të zhvillohet edhe një raund i zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/2mL3T
Kosovo Lokalwahlen
Fotografi: picture-alliance/AA/abaca/E. Keci

Nga rezultatet preliminare të publikuara në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë, bëhet e ditur se gjysma nga 38 komunat e vendit shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve (balotazh). Në gjysmën e komunave kandidatët nuk kaluan pragun e nevojshëm prej 50% të votave të fituara. Sipas KQZ-së, zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, pa ndonjë parregullsi të madhe që do ta dëmtonte procesin, apo rezultatin. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 44 përqind, nga 1 milion e 890 mijë votues të regjistruar me të drejtë vote.

Komunat në balotazh

Në bazë të të dhënave të publikuara online nga KQZ, në balotazh shkojnë edhe gjashtë komunat e mëdha të Kosovës, Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj, Prizreni dhe Gjilani.

Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë ku ishte konkurrenca më e fortë, në raundin e dytë të zgjedhjeve shkojnë, Shpend Ahmeti nga LVV me(43,42 %) dhe Arban Abrashi nga LDK me (35,91%).

Në Gjakovë, Ardian Gjini nga AAK me (40,77 %) dhe Mimoza Kusari Lila nga Alternativa me (31.48).

Në Gjilan, Lutfi Haziri nga LDK me (43,30 %) dhe Sami Kurteshi nga LVV me (26,97%).

Në Mitrovicën e Jugut, Valdete Idrizi me (28,56%) nga PDK dhe Agim Bahtiri nga AKR me (27,10%).

Në Prizren, Shaqir Totaj nga PDK me (29,66%) dhe Mytaher Haskuka nga LVV me (22,43%).

Në Ferizaj, Agim Aliu nga PDK me (39,18%) dhe Muharrem Sfarqa nga LDK me (30,00%).

Katër komunat e veriut të Kosovës të banuara me shumicë serbe nuk do të shkojnë në balotazh. Ato u fituan që në raundin e parë nga kandidatët e listës "Srpska”, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Zyrtarë të qeverisë në Beograd, mbështetën hapur listën "Srpska” në këto zgjedhje dhe kjo nxiti reagimin e qeverisë së Kosovës, e cila tha se "Beogradi zyrtar ka ndërhyrë drejtpërdrejt në përcaktimin e serbëve të Kosovës së për kë duhet të votojnë”. Kjo sipas qeverisë së Kosovës është e papranueshme.

Kosovo Lokalwahlen
Fotografi: picture-alliance/AA/abaca/E. Keci

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit garuan 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. 204 kandidatë ishin në garë për kryetar të komunave, ndërsa, 6,887, kandidatë për asambletë komunale. Për monitorimin e zgjedhjeve lokale, KQZ-ja kishte akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, përfshirë këtu edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian dhe të organizatave të shoqërisë civile dhe ambasadave.

Votimi familjar - problematike

Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile që monitoruan të gjithë procesin zgjedhor, "Demokracia në Verim”, (DNV) thanë se votimi familjar akoma mbetet problem shqetësues në Kosovë, ndërsa, incidente të mëdha nuk u shënuan që do ta dëmtonin procesin e zgjedhjeve. Me daljen jo të kënaqshme të qytetarëve në votime është shprehur shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila tha se njerëzit nuk duhet ta humbin rastin të votojnë për të ardhmen e tyre. "Qytetarët duhet të mendojnë se për kë duan të votojnë. Ne duam të shohim persona të zgjedhur që janë meritor, njerëz që janë të respektuar, njerëz që e dinë mirë punën dhe njerëz që kanë përgjegjësi dhe duar të pastra", vlerësoi Natalya Apostolova Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i vlerësoi zgjedhjet lokale të 22 tetorit si të mira duke thënë se "Kosova ka dëshmuar se ka ndërtuar traditë të mirë në organizimin e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e fundit të numërimit të të gjitha votave, mirëpo, ajo që dihet është se në 19 komuna të Kosovës do të zhvillohet edhe një raund i zgjedhjeve. Në këtë raund do të garojnë vetëm nga dy kandidatë për kryetar, ata që fituan më së shumti vota në raundin e parë. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet me 19 nëntor.