1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Thaçi ultimatum Albin Kurtit, bëje qeverinë!

Bekim Shehu
7 Janar 2020

Pas takimit të presidentit Thaçi me Albin Kurtin, presidenti i ofron kreut të Vetëvendosjes 48 orë shtesë për nominimin e kandidatit për kryeministër, para se të marrë veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.

https://p.dw.com/p/3VnzQ
Kosovo Hashim Thaci mit Albin Kurti
Fotografi: Facebook/President of Kosovo Hashim Thaci

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i dha afat shtesë edhe 48 orë liderit të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit për emërimin e kandidatit për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Këtë njoftim Presidenti e bëri pas një takimi konsultativ që zhvilloi pasditën e së hënës me Albin Kurtin, takim ky që zgjati vetëm disa minuta dhe që u cilësua si një takim konsultativ për mandatarin për krijimin e qeverisë. Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë rivalë të vjetër politik. Në zyrën e Presidentit ata u takuan për herë të parë kokë më kokë.    

"Nevoja e formimit të qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Zoti Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t'i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në deklaratën e Presidentit Thaçi, i cili nuk sqaroi, se cili është veprimi ligjor dhe kushtetues i radhës në raport me dhënien e mandatit për krijimin e qeverisë.

Kosovo Pristina Interview Albin Kurti Adelheid Feilcke
Fotografi: DW/A. Bajrami

Kurti: Takim këshillues dhe efekte juridike

Lëvizja Vetëvendosja nga ana e saj menjëherë reagoi për ultimatumin e Presidentit, duke thënë se "ultimatumi i Presidentit nuk ka bazë kushtetuese”. Më herët pas takimit me Presidentin, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, tha se takimi me presidentin Hashim Thaçi ishte një takim i shkurtër këshillues dhe pa efekte juridike. "Në këtë takim disaminutësh, unë dëgjova presidentin, i cili shprehu interesimin e tij për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së Republikës së Kosovës, por njëkohësisht tha që e di se ju duhet edhe një kohë e caktuar për këtë gjë, por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, mirëpo në bazë të kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit siç e kemi lexuar ne, është e nevojshme që këtë ta bëjmë me një shkresë me shkrim, prandaj për këtë kërkesë të presidentit në këtë takim konsultativ, unë do të raportoj në kryesinë e lëvizjes Vetëvendosje dhe sa më parë që mundemi do t'ia sjellim presidentit të Republikës propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm”, tha Albin Kurti.

Para takimit me Presidentin, Albin Kurti i bëri ofertën  e dytë publike përmes një videomesazhi Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për koalicion qeveritar duke publikuar madje edhe emrat që ai mendon të jenë ministra nga Vetëvendosja. Kurti në këtë video mesazh u përpoq të arsyetohet me stërzgjatjen që po bëhet pa një marrëveshje koalicioni me LDK. "Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti 2020 do të na zë pa qeveri. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marr më së shumti vota në dy palë zgjedhje parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike e të gjithëve e për të gjithë”, tha Albin Kurti nëpërmjet videomesazhit.

Kosovo Parlamentsgebäude in Pristina
Fotografi: DW/B. Cani

LDK: Vetëvendosja si partia e parë ka pёrgjegjёsi pёr tё themeluar institucionet

Lidhja Demokratike e Kosovës, nga ana e saj, menjëherë mblodhi kryesinë e partisë për të diskutuar situatën e re të krijuar. Në një deklaratë për medie kjo parti tha se "i takon Vetëvendosjes si partia e parë që ka dalë në zgjedhje pёrgjegjёsia pёr tё themeluar institucionet”. “LDK-ja, edhe njё herё shpreh gatishmёrinё qё tё vijojё bisedimet me Lёvizjen Vetёvendosje, mbi bazёn e mirёbesimit dhe tё partneritetit. LDK-ja vlerёson se pushtetet e balancuara dhe pёrgjegjёsitё e pёrbashkёta janё jetike pёr funksionimin e koalicionit tё mundshёm, si dhe pёr funksionimin demokratik tё institucioneve. LDK-ja fton Lёvizjen Vetёvendosje qё tё reflektojё mbi bazёn e kёtij parimi, nё bazё tё tё cilit edhe ёshtё ndёrtuar qёndrimi i LDK-sё lidhur me ndarjen e pushteteve dhe balancin ndёrmjet tyre”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Bisedimet rreth një koalicioni qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së,  janë komplikuar sidomos pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe kryesisë së Kuvendit pa marrëveshje paraprake politike me LDK-së.

Vetëvendosja nën presion

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se ultimatumi i Presidetit dhënë lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë që doli në zgjedhje që ta formojë qeverinë, rrit presionet për Vetëvendosjen. Vigan Qorroli, analist dhe profesor në Universitetin e Prishtinës thotë se "ultimatumi i Presidentit Thaçi për Albin Kurtin, minimalisht është i rrezikshëm dhe maksimalisht i hap rrugë dështimit të Kurtit për t'u bërë Kryeministër”. "Nëse brenda 15 ditësh, Kurti dështon të arrijë marrëveshje me LDK-në dhe siç duket s'do ketë sukses për arsye të ndryshme, atëherë Presidenti Thaçi do e kërkojë mandatarin e dytë tek Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi Vetëvendosje nuk po arrin ta sigurojë besimin e partisë LDK të Isa Mustafës”, tha Vigan Qorroli.

Eksperti i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se "presidenti Thaçi ka ushtuar të drejtën e tij kushtetuese me dërgimin e ftesës për Albin Kurtin për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë”, duke shpjeguar se çfarë duhet të ndodhë pastaj. "Pas konsultimeve, presidenti në bazë të Kushtetues obligohet që ta bëjë mandatimin e mandatarit për krijimin e qeverisë dhe prej atij momenti, kur bëhet mandatimi, atëherë fillon të rrjedhë afati 15 ditor kushtetues për ta formuar Qeverinë. Në qoftë se brenda 15 ditëve nuk arrin që mandatari ta dorëzojë listën e deputetëve prej 61 prej tyre, atëherë rrjedh edhe një afat tjetër 10 ditor sipas Kushtetutës, i cili pastaj i jep mundësinë që presidenti ta mandatojë prapë të njëjtin person, ndonëse një vendim i Gjykatës Kushtetuese shkon më tutje në zgjerimin e interpretimit të nenit 95 duke i dhënë mundësinë që eventualisht një person i dytë apo i tretë i një subjekti tjetër ose një partie të tretë t'ia japë mandatin dhe në qoftë se kjo nuk bëhet edhe pas 10 ditësh pra formimi i Qeverisë, atëherë Kushtetuta thotë që presidenti i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen 40 ditë pas shpalljes së tyre”, shpjegon Mazllum Baraliu për gazetën online Telegrafi.

Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën me (06.10.2019) dhe që nga ajo kohë kanë kaluar tre muaj që vendi është pa qeveri. Prania ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht bën thirrje për krijimin e institucioneve të reja, sepse Kosovën siç thonë e presin sfida të mëdha. E një ndër sfidat më të mëdha është dialogu me Serbinë i ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018  pas vendosjes së taksës nga qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.