1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi

22 Gusht 2018

Organizata të shoqërisë civile protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të shtetit. Protesta pason akuzat e prokurorit , Elez Blakaj, i cili dha dorëheqjen me argumentin, se e kërcënojnë për punën e tij.

https://p.dw.com/p/33Zqe
Symbolbild Hammer Gericht
Fotografi: Fotolia/Gina Sanders

 Shumë organizata të shoqërisë civile bënë thirrje për protesta duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi. Motoja e protestës është "Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit". Protesta e shoqërisë civile pason akuzat e tashmë një ish-prokorori Elez Blakaj për politizim të prokurorisë kosovare. Prokurori i dorëhequr i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, akuzoi kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje në punën e tij dhe përpjekje për frikësim. Blakaj në një letër publike thotë se "është kërcënuar gjatë trajtimit të abuzimeve në hartimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës". Ai thotë se në listat e veteranëve të UÇK-së, mbi 19 mijë persona kanë falsifikuar dosjet dhe janë bërë veteranë pa qenë fare në luftë, duke gëzuar kështu benificione të shumta. Prokurori Blakaj është zhvendosur në SHBA, duke dhënë dorëheqje nga detyra dhe ky fakt i ka irrituar udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e parlamentit Kadri Veseli, sikundër edhe vet kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi.

Prokurori Blakaj në letrën e tij tha, se dorëheqja e tij është "protestë dhe mesazh" për shkak të politizimit të prokurorisë së shtetit. Ndërkohë, kryeprokurori i prokurorisë speciale Reshat Millaku, në të cilën punonte Elez Blakaj, tha se ai "asnjëherë nuk ka pasur informacion që zoti Blakaj të jetë kërcënuar nga dikush", por sipas tij, Blakaj "ka shkuar për të punuar në Amerikë". Millaku thotë, se aktakuza e përgatitur nga prokurori Blakaj për 19 mijë veteranët, është e mangët dhe si e tillë nuk mund të dërgohet në gjykatë.

Dorëheqja e prokurorit, Elez Blakaj, nxiti reagime të shumta. Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ka pasur keqpërdorime me listat e veteranëve, por kritikon ish-prokurorin Blakaj pse nuk iu përmbajt lëndës së tij.

"Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare. Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt", shkroi në rrjetin social Kadri Veseli.

E Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke kritikuar prokurorin Blakaj, ai hedh poshtë pohimet e ngritura për numrin e madh të veteranëve të luftës në zonën e Dukagjinit, ku ai ishte komandant i UÇK-së gjatë luftës 1998/99.

Ndërkohë edhe vet Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, të cilin e akuzon për ndërhyrje prokurori i dorëhequr, tha se: "Blakaj po dëshiron të bëhet prokuror hero, por deri sot asnjë rast të rëndë në karrierën e tij nuk e ka ngritur, madje në disa të tjera edhe ka dështuar".

Shumë organizata të shoqërisë civile po kërkojnë një proces vetingu në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Rasti i fundit i dorëheqjes së prokurorit Blakaj dhe akuzat e tij në drejtim të - sikurse thotë - "kapjes së sistemit prokuroria", për Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, (IKD) organizatë kjo që monitoron sistemin e drejtesisë, gjendja në sistemin e drejtësisë është e rëndë. "Në tre vitet e fundit në mënyrë sistematike, me dëshmi, përmes raporteve analitike, raporteve të monitorimit, analizave ligjore IKD ka informuar publikun lidhur me gjendjen e rëndë në sistemin prokurorial të Kosovës. IKD në mënyrë të vazhdueshme ka informuar publikun lidhur me politizimin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, klanet dhe grupet e interesit të instaluara. IKD ka informuar publikun lidhur me politikën e pandeshkueshmërisë dhe drejtësinë selektive. Sot, ndihem i trishtuar me gjendjen në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë në Kosovë", shkruan Ehat Miftaraj.

Sidoqoftë, ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, paralajmëron se "në rast se konstatohen arsyet e dorëheqjes së prokurorit, Elez Blakaj, që janë të natyrës përtej personales, duhet të ketë një hetim të plotë. "Në kohën kur të gjitha përpjekjet tona si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund. Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi parime ku sundimi i ligjit është mbi të gjithë, i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk mund të ngrihet mbi të e aq më pak të cënojë funksionimin e organeve të rendit për shkak të detyrës zyrtare në vendosjen e drejtësisë", është shprehur ministri i Drejtësisë.