1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Katër deputetë të Vetëvendosjes dënohen me kusht

3 Janar 2018

Katër deputetët e Vetëvendosjes të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e kuvendit dënohen me kusht. Një ditë më parë kryetari i lëvizjes, Visar Ymeri dha dorëheqjen për shkak të përçarjes në parti.

https://p.dw.com/p/2qHW9
Albin Kurti
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Xhemaj

Gjykata Themelore në Prishtinë shqiptoi aktgjykimin ndaj katër deputetëve të lëvizjes Vetëvendosja (VV), duke i dënuar ata me kusht, me gjithsej pesë vjet burgim. Katër deputetët e VV-së, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi, akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës dy vjet më parë duke pasur për qëllim, sipas tyre, "pengimin e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Sipas këtij aktgjykimi të shpallur të merkurën (03.01) nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Albin Kurti dënohet me kusht 1 vit e gjashtë muaj. Albulena Haxhiu është dënuar po ashtu me 1 vit e gjashtë muaj, Donika Kadaj Bujupi, 1 vit e gjashtë muaj ndërsa, Faton Topalli është dënuar me 1 vit e dy muaj. Këto dënime janë me kusht, nëse ata nuk kryejnë ndonjë vepër penale brenda dy vjetësh. Katër deputetët e lëvizjes Vetëvendosja nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, kur u shqiptua aktgjykimi, sepse, ata siç janë shprehur "refuzojnë të marrin pjesë në procese gjyqësore me motive politike”.

Në anën tjetër lëvizja VV-ja këto ditë po përballet edhe me zhvillime të tjera brenda partiake.

Një ditë më parë(02.02) kryetari i lëvizjes VV, Visar Ymeri, dha dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet në këtë parti politike. Ymeri, në një konferencë për medie tha, se përçarjet që ndodhën në e vitin e fundit në këtë lëvizje dhe pamundësia për të ndikuar në ndaljen e tyre, e shtynë atë të japë dorëheqje nga të gjitha funksionet në parti.

"Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme ta drejtosh partinë", tha Visar Ymeri.

Analisti politik Ramush Tahiri, ka thënë se dorëheqja e Visar Ymerit, pak para zgjedhjeve të brendshme brenda VV-së është një veprim i mirë nga ana e tij.

"Pastrim i brendshëm përpara zgjedhjeve brendapartiake. Edhe ashtu konkurrenca për kryetar të Vetëvendosjes duhet të jetë ndërmjet të barabartëve, pra jo nga pozita e kryetarit aktual”, është shprehur Ramush Tahiri.

Dy javë më parë lëvizja Vetëvendosje shpalli zgjedhjet brendapartiake për kryetarin e ardhshëm të kësaj lëvizjeje, pas një "përarjeje” që ndodhi dhe ku publikisht zyrtarë të kësaj partie me qëndrime u rreshtuan një pjesë përkrah Albin Kurtit dhe një pjesë përkrah Visar Ymerit. E gjitha kjo ndodhi pasi u publikua një komunikim i brendshëm në këtë parti, ku disa deputetë e ofendonin Albin Kurtin, përderisa ai mbahej në arrest për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës dy vjet më parë.

Analisti tjetër politik, Ilir Ibrahimi, thotë, se Albin Kurti ka një shans për të bërë një kthesë në politikbërjen kosovare, duke mos synuar të parin e partisë. "Në rrafshin e ngushtë, brenda subjektit të tij, Kurti mund të gjej forcën që të tejkalojë mospajtimet që kanë filluar të shfaqen, qoftë edhe duke sakrifikuar pozitën e të parit në parti. Fundja Albini, është lider i pakontestueshëm i VV-së edhe nëse nuk e mban formalisht pozitën e kryetarit të këtij subjekti.

Ndërsa, në rrafshin nacional, ai mund të dërgojë një mesazh partneriteti te komuniteti ndërkombëtar, se ai mund të jetë partneri i tyre i ardhshëm. Në kohën kur treshja aktuale e udhëheqësve qartazi e kanë marrë një udhë të acarimit të partneritetit me miqtë ndërkombëtarë”, shkruan Ilir Ibrahimi.

Sidoqoftë, edhe pse tashmë Visar Ymeri, kryetar i dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosja, aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj deputetëve, Albin Kurti, Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi, e cilësoi siç thotë, "një tregues për qëllimin politik të këtij rasti”.

"Gjykata Themelore në Prishtinë, e përfaqësuar nga Beqir Kalludra shprehu supremacionin juridik dhe politik ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe vullnetit të 205 mijë qytetarëve, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin referendar ndaj marrëveshjeve që cënonin qenësinë e Republikës, për kundërshtimin e të cilave sot deputetët u shpallën fajtor. Ky gjykim me këta gjyqtarë është mostra më kredibile që dëshmon diktatin politik ndaj sistemit gjyqësor. Albini, Albulena, Donika dhe Fatoni janë përfaqësues të popullit në emër të të cilit sot u dënuan. Aktgjykimi si i tillë është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor deri më tani dhe si i tillë është mjeti i fundit i persekutimit të kundërshtarëve politik”, u shpreh Visar Ymeri.

Lëvizja Vetëvendosje ka 32 deputetë në parlamentin e Kosovës duke u bërë kështu partia më e madhe parlamentare. Në zgjedhjet lokale të fundvitit të shkuar, Vetëvendosja fitoi në tri komuna, dy nga të cilat më të mëdhatë në Kosovë, Prishtinën dhe Prizrenin. Njohësit e rrethanave politike, thonë se lëvizja Vetëvendosja ndodhet në krizën më të thellë që nga themelimi i saj.