1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE-së: Kroacia mund t'i bashkohet eurozonës

2 Qershor 2022

Komisioni Evropian vendosi që Kroacia mund t'i bashkohet eurozonës. Por për këtë nevojitet edhe një votim tjetër.

https://p.dw.com/p/4C9tc
Euro-Einführung in Kroatien
Fotografi: Zeljko Lukunic/PIXSELL/picture alliance

Komisioni Evropian ka arritur në përfundimin se Kroacia është gati për të futur në përdorim si monedhë zyrtare euron më 1 janar 2023. "Kjo do të forcojë ekonominë kroate dhe do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë në tërësi", tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Anëtarësimi i Kroacisë në eurozonë do të forcojë edhe euron.

Twitter Ursula von der Leyen Vyshyvanka
Fotografi: Twitter/@vonderleyen

Sipas vlerësimeve të Komisionit të BE-së Kroacia përmbush të gjitha kriteret sa i përket stabilitetit të çmimeve dhe kursit të këmbimit, menaxhimit të shëndoshë buxhetor dhe normave afatgjata të interesit. Kroacia me rreth katër milionë banorë është anëtare e BE-së që nga viti 2013 dhe tani është rrugës për t'u bërë anëtari i 20-të i eurozonës.

Votim i sigurt

Pas rekomandimit të Komisionit të BE-së për anëtarësimin e Krocisë në eurozonë duhet të bien dakord edhe krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së.  Por pas vlerësimit të qartë të Komisionit të BE-së nuk priten vështirësi. Sapo të ndërmerret ky hap, që pritet në qershor, ministrat e Financave të BE-së pritet të vendosin rreth korrikut kursin e këmbimit në të cilin monedha kroate - kuna - do të konvertohet më 1 janar 2023.

Euro kommt nach Kroatien
Kroatët kanë frikë se euroja mund të rrisë ndjeshëm koston e jetesës Fotografi: DW

Sektori i fuqishëm i turizmit në Kroaci po e pret me padurim futjen e euros dhe ka pritshmëri të mëdha. Por në të njëjtën kohë shumë kroatë kanë frikë se kostoja e jetesës mund të rritet ndjeshëm si rezultat i konvertimit në monedhën e përbashkët evropiane.

Kroacia ka nevojë për punëtorë sezonalë

Paralajmërim nga Banka Qendrore Evropiane

Banka Qendrore Evropiane (BQE) arriti në një përfundim pozitiv në vlerësimin e saj për Kroacinë. Megjithatë, drejtori i BQE-së, Fabio Panetta, i bëri thirrje qeverisë në Zagreb të bëjë edhe më shumë për të luftuar pastrimin e parave. Po ashtu ai kërkoi nga Zagrebi që të inicojë reforma strukturore për të forcuar potencialin e rritjes së ekonomisë.