Komisioni Evropian rekomandon për Ukrainën statusin e kandidatit të BE | Evropa | DW | 17.06.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Komisioni Evropian rekomandon për Ukrainën statusin e kandidatit të BE

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka rekomanduar që Ukrainës t'i jepet statusi kandidat për anëtarësim në BE. Kievi e ka kërkuar statusin e kandidatit që nga viti 2014.

Komisioni Evropian rekomandoi të premten që Ukraina të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian.

"Ukraina ka demonstruar qartë aspiratën dhe vendosmërinë e saj për t'iu përshtatur vlerave dhe standardeve evropiane", tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Në një postim të mëvonshëm, Ursula von der Leyen tha: "Ukrainasit janë gati të vdesin për perspektivën evropiane. Ne duam që ata të jetojnë ëndrrën evropiane me ne."

Vendimi hap rrugën për miratimin e rekomandimit nga krerët e qeverive të BE në një samit në Bruksel të enjten dhe të premten e ardhshme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski e përshëndeti në Twitter vendimin e Komisionit Evropian.  "Unë mirëpres përfundimin pozitiv të Komisionit Evropian për statusin e kandidatit të Ukrainës. Ky është hapi i parë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, i cili me siguri do ta sjellë fitoren tonë më afër." Zelenski vazhdoi më tej me një falënderim për Von der Leyen dhe ekzekutivin "për një vendim historik". Kievi e ka kërkuar statusin e kandidatit që nga viti 2014.

Moldavia mori gjithashtu mbështetje për statusin e kandidatit në BE

Të premten, Komisioni propozoi gjithashtu që Moldavia të bëhet kandidate për anëtarësim në BE. Ekzekutivi i BE tha se kjo bëhet në bazë të premisës se Moldavia do të kryente reforma.

Von der Leyen-i tha se Moldavia "është në rrugën e reformës, në luftën kundër korrupsionit dhe drejt Evropës", duke shtuar: "Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Por ne mendojmë se ka potencialin e nevojshëm për të përmbushur kriteret."

Moldavia ndan një kufi të gjatë me Ukrainën.

Von der Leyen tha se në rastin e Gjeorgjisë, ky vend duhet të "përcaktojë një rrugë të qartë drejt reformave strukturore" dhe të vlerësojë se si do të përmbushte një sërë kushtesh përpara se t'i jepej statusi i kandidatit.

Kremlini vëzhgon zhvillimin e situatës "me vëmendjen më të madhe"

Kremlini ka reaguar ndaj lajmit se Komisioni Evropian i rekomandon Ukrainës të marrë statusin e kandidatit për në BE.

"Ka transformime të ndryshme që ne po i shikojmë me kujdes," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë telefonike të premten.

Peskovi tha se kjo çështje "kërkon vëmendje të shtuar" dhe se Moska po monitoron atë që ai e përshkroi si "forcim të komponentit të mbrojtjes të Bashkimit Evropian".

Një nga arsyet që Rusia jep për të ashtuquajturin "operacion special ushtarak" në Ukrainë është shkelja e supozuar e Perëndimit në pragun e Rusisë, të cilin Moska e sheh si kërcënim për sigurinë e saj.

kb/aw (dpa, Reuters)