Koment: Plane aneksimi dhe akuza aparteidi - Izraeli dhe plani i paqes për Lindjen e Mesme | Bota | DW | 01.02.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Koment: Plane aneksimi dhe akuza aparteidi - Izraeli dhe plani i paqes për Lindjen e Mesme

Vetëm Izraeli përfiton nga ky plan, ky është thuajse njëzëri gjykimi ndaj planit të paqes të Trump-it. Por sipas kryeministrit Benjamin Netanjahu asgjë nuk po shkon sipas dëshirës së tij, mendon Peter Philipp.

Qëndrimet për planin e paqes të prezantuar nga Uashingtoni janë shumë të ndryshme, jo vetëm në nivelin ndërkombëtar dhe atë rajonal, por edhe vetë brenda Izraelit. Ndonëse pikërisht Izraeli konsiderohet në përgjithësi si përfituesi më i madh prej këtij plani. Prej kritikave pjesërisht të ashpra tani duket se kryeministri Benjamin Netanjahu është i befasuar: Dalja publike me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe përurimi i planit amerikan të paqes për Lindjen e Mesme duhej të hapte etapën e fundit për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Izrael - të tretat këto brenda një vitit  - dhe të siguronte, që kësaj here do të funksiononte, ajo çfarë dështoi në prill dhe në shtator të vitit të kaluar: konfirmimi i Netanjahut në postin e kryeministrit.

Në radhë të parë Netanjahu kishte shpresuar, se tani menjëherë, pra para zgjedhjeve ai do të mund t'i vinte "pikat mbi I". Konkretisht: T'i kthente në fakte të kryera me mbështetjen e SHBA-së realitetet e krijuara aktualisht në territoret palestineze në perëndim të lumit Jordan. Kryesisht është fjala për ngulimet hebreje në këtë zonë: Pikërisht pak ditë më vonë pas kësaj, Netanjahu donte të ndërmerrte hapat e parë për "zgjerimin e sovranitetit të Izraelit" me ngulimet në këto territore. Thënë qartë: donte të përgatiste aneksimin e tyre prej  Izraelit.

Netanjahut iu desh të tërhiqet nga planet e tij 

Uashingtoni ia hodhi poshtë këtë Netanjahut: Të tilla hapa nuk duhen ndërmarrë me ngut, për këtë nevojiten bisedime dhe marrëveshje me palët e prekura. Këtu kihen parasysh jo aq vetë banorët, se sa palestinezët dhe Jordania. Pra Netanjahut iu desh të tërhiqet. Ndërkohë që prej këtij veprimi të mëvetësishëm ai priste forcimin e Bllokut të tij Likud në zgjedhje. Sepse asgjë tjetër nuk dukej të ishte më e përshtatshme se sa prezantimi i proklamuar vazhdimisht gjatë tre viteve të fundit i të ashtuquajturit "Akordi i shekullit", sikurse e ka emërtuar paraprakisht prej disa muajsh marrëveshjen e paqes dhëndri i Trumpit Jared Kushner.

Peter Philipp Kommentarbild APP PROVISORISCH (DW)

Peter Philipp

Vlen të theksohet se fjala "paqe" me vetëdije është hequr nga ky emërtim prej Likudit. Sepse si do të mund të fitonte pikë tek zgjedhësit me përdorimin e këtij termi pikërisht një politikan si Netanjahu? Eshtë pikërisht ai që prej vitesh e ka minuar sistematikisht marrëveshjen e parë serioze mes Izraelit dhe palestinezëve, aq sa prej "Marrëveshjes historike të Oslos" tashmë nuk ka mbetur asgjë.

Ky fakt është mbajtur në heshtje prej kampit të djathtë në Izrael. Më e rëndësishme dukej se ishte vetëm: Që me mbështetjen e SHBA-së të siguroheshin pikat, të cilat ndërkombëtarisht konsideroheshin si pengesat kryesore për marrëveshjen e paqes me palestinezët. Në plan të parë qendronte politika e ngulimeve në territoret palestineze të pushtuara në luftën gjashtë ditore më 1967. Donald Trump në këtë drejtim bëri disa lëshime paraprake: me njohjen e ankesimit të kodrave siriane të Golanit dhe ndryshimin e statusit të Jeruzalemit.

E tani duhej të pasonin hapat e tjerë. Janë të shumtë ata në Izrael që e konsiderojnë këtë si veprim konsekuent. Ndër të tjera, sepse ata qysh në fëmijëri - në kopësht, në shkollë e në ushtri - janë edukuar që territoret e pushtuara në vitin 1967 në perëndim të Jordanit konsiderohen si pjesë e "Eretz Izraelit", vendit biblik të Izraelit.

Miratimi dhe refuzimi në Izrael të ekuilibruar

Megjithatë jo të gjithë mendojnë kështu në Izrael: Njëri prej tyre është Ehud Olmert, paraardhësi i Netanjahut si kryeministër ne vitet 2006 deri më 2009, dhe autor i planit të paqes të vitit 2008, i negociuuar me presidentin palestinez Abbas. Reagimi i tij ndaj planit aktual për Lindjen e Mesme nga Shtëpia e Bardhë është fare i qartë. Ai druan, se Izraeli me këtë plan spostohet drejt shtetit të aparteidit. Sepse është e paimagjinueshme, që këtu një ditë të sundojë paqja mes dy shteteteve, për aq kohë sa njëra palë dominon ndaj tjetrës.

Edhe lidhur me çështjen e rolit të Jordanisë ka zëra të arsyeshëm, që tërheqin vëmendjen, se duhet vepruar me kujdes. Janë ushtarakët izraelitë që druajnë, se veprimi radikal i Izraelit mund ta prekë Jordaninë e madje ta detyrë atë që të anullojë paqen me Izraelin.

Në anketime rezulton se miratimi apo refuzimi ndaj planit të Trumpit është i ekuilibruar. Nëse dhe si mund të ndryshojë kjo deri në ditën e zgjedhjeve më 2 mars, askush nuk mund ta parashikojë. Nëse zgjedhjet nuk kanë rezultat të qartë, atëherë ky plan i paqes mund të harrohet. Po ashtu do të harrohej edhe në rast se një fitues i zgjedhjeve do të përpiqej ta zbatonte atë. Ashtu sikurse e kishte ndërmend edhe Netanjahu në fillim të kësaj jave.