1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ëndrra për një Evropë paqësore

Robert Schwartz30 Maj 2014

Çmimi Karl nderon kontributin e presidentit të Këshillit të BE, van Rompuy. Megjithatë pa fqinjët nga Evropa Lindore, Evropa mbetet e papërsosur, mendon Robert Schwartz.

https://p.dw.com/p/1C97N
Dhënia e Çmimit Herman Van Rompuy -t
Dhënia e Çmimit Herman Van Rompuy -tFotografi: picture-alliance/AP Photo

Ai e mban Bashkimin Evropian të bashkuar. Me këtë mesazh të shkurtër dhe konciz u përzgjodh Presidenti i Këshillit të BE-së Herman van Rompuy në fund të vitit të kaluar për Çmimin Karl për vitin 2014. Në atë kohë Evropa dukej përsëri disi në rregull. Kriza ekonomike ishte vënë nën kontroll. Kërcënimi prej kolapsit financiar arriti të shmangej me ndihmat në miliarda për vendet e prekura.

Por kriza në Ukrainë solli me vete dhe rrezikun e një Luftë të re të Ftohtë, 25 vjet pas rënies së komunizmit. Evropa Lindore po hyn sërish më shumë në fokusin e Perëndimit, i cili duhet të përgjigjet ndaj një kërcënimi të ri nga Rusia. Kjo për shkak se kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, krijoi në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare fakte gjeopolitike si aneksimi i Krimesë, që është vetëm një shembull. Sanksionet ekonomike në disa faza kundër politikës agresive të Moskës, si dhe mbështetja politike dhe ekonomike për vendet e Europës Lindore që duan t'i bëjnë rezistencë përqafimit armiqësor të Putinit - kjo përzierje i jep Bashkimit Evropian edhe një herë shkëlqimin dhe vendosmërinë që dukej sikur i kishte humbur vitet e fundit.

Një Evropë paqësore në vend të kufijve dhe mureve

Tani gjatë dorëzimit të Çmimit Karl, Evropa dha edhe një herë sërish sinjalin e duhur. Për shkak të krizës në Ukrainë rrjedha e ceremonisë u ndryshua. Për herë të parë që kurse jepet ky çmim nuk pati fjalim lavdërues. Në vend të tij u ftuan tre kryeministra nga Evropa Lindore - ish-republika sovjetike - ai i Ukrainës, i Moldavisë dhe i Gjeorgjisë - për të njoftuar mbi situatën e tensionuar në vendet e tyre. Arsenij Jazenjuk, Iurie Leanca dhe Irakli Garibashvili shprehën në mënyrë mbresëlënëse përkushtimin e vendeve të tyre ndaj Evropës. Vetëm pak ditë pas zgjedhjeve evropiane, ku morën hov forcat kritike ndaj Evropës, mesazhi i nga salla e kurorëzimit në bashkinë e Aachen-it është: në vendet fqinjë të BE-së ka shumë njerëz që ëndrrojnë për një Evropë të lirë dhe paqësore.

Robert Schwartz komenton
Robert Schwartz komentonFotografi: DW

Prezantimi i guximshëm i tre politikanëve nga Evropa Lindore la një përshtypje të thellë. Kur kryeministri ukrainas Jazenjuk thotë se askush nuk ka të drejtë të vendosë kufij të rinj në Evropë ose të ndërtojë mure të reja, kjo mund të kuptohet mjaft mirë sidomos në Gjermaninë e ribashkuar. Dhe në qoftë se homologu i tij moldav Leanca thekson se integrimi evropian është një çështje jetike, atëherë edhe kritiku më i fundit i zgjerimit të BE-së duhet ta kuptojë se është dëshira e këtyre vendeve dhe popujve që të jetojnë në një Evropë të përbashkët. Ti lësh ato tani vetëm, do të ishte një lëshim i fajshëm. Popujt e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane.

Evropa në vend të Euroazisë

Ishte sigurisht rastësi që ceremonia në Aachen u zhvillua në të njëjtën ditë me themelimin e Bashkimit Ekonomik të Euroazisë në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit. Pas shumë vite përpjekjesh, Rusia arriti t'i joshë dy ish-republikat sovjetike, Bjellorusinë dhe Kazakistanin në një projekt të përbashkët. I munguari i madh në projektin e Putinit është Ukraina - e cila ktheu krahët bashkimit à la Russe.

Faktin që të tre krerët e qeverisë ishin gjatë ceremonisë së dorëzimit të Çmimin Karl shumë më në qendër se fituesi i tij, atyre nuk do t'ua marrë me siguri askush për keq. Dhe më pak nga të gjithë vetë Herman van Rompuy, i cili e ka shtyrë përpara hapjen e BE-së drejt lindjes për shumë vite, pa u vënë re por në mënyrë të qëndrueshme. Ai ka kontribuar në këtë mënyrë për historinë e suksesit të Bashkimit Evropian. Edhe lindja e kontinentit duhet të marrë pjesë në të, në mënyrë që ëndrra e një Evrope të bashkuar të bëhet realitet.