1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220709 Ostafrika Breitband

22 Korrik 2009

Me një rrjet fibrash nën tabanin e oqeanit që lidh Afrikën Lindore dhe Jugore sipërmarrja Seacom siguron një internet të shpejtë për Afrikën Lindore.

https://p.dw.com/p/IvAj
Internetkafe ne Kenia, Mombase
KeniaFotografi: picture-alliance / dpa

Deri tani, shtetet e Afrikës Lindore kanë qenë të lidhura vetëm me satelit ose me kabllo telefonike me internetin. Kjo lidhje është e shtrenjtë dhe me rendiment të kufizuar. Tani e gjitha do të ndryshojë: sipërmarrja Seacom ka shtruar një rrjet fibrash nën tabanin e Oqeanit, i cili lidh Afrikën Lindore dhe Jugore. Këtë të enjte, do të çelet rrjeti i ri me fibra optike. Me këtë, për kontinentin e zi mund të fillojë një epokë e re.

Në qendër të Nairobit gërmohet në të gjitha qoshet. Burra me pelerina të verdha bëjnë reklamë për ofruesin e fibrave optike "Seacom". Me rrjetin e të dhënave ai kërkon të lidhë Afrikën me Evropën dhe Azinë Jugore. Punëtori i ndërtimit, Samuel Mbugua shpjegon teknikën: "Këtu ne përgatisim njëherë disa si tuba për fibrat optike. Pastaj më vonë fibrat futen në këto tuba - si të thuash futen me presion në to."

Deri tani të dhënat prej Jugut të Afrikës mbërrijnë vetëm përmes satelitit në pjesën tjetër të botës. Lidhjet kanë një shpejtësi, si në Evropë në fillim të epokës së internetit. "Seacom" kërkon ta ndryshojë këtë. Me fillimin e projektit do të dërgohen të dhënat e para përmes fibrave të saposhtruara në Oqeanin Indian. Afrika Lindore lidhet me internetin - dhe këtë herë me një internet të shpejtë.

Rrjeti SEACOM
Rrjeti SEACOM

Në internet-kafenetë në Kenia teknika e re pritet me padurim. Lundrimi në internet, apo navigimi, deri tani paraqet një provë nervash. Ulur para ekranit Jozefi thotë i zhgënjyer: "Kërkon shumë kohë hapja e një faqeje. M'u deshën 15 minuta vetëm për të lexuar e-mailet e mia. Eshtë një punë që të prish humorin dhe gjithnjë e njëjta situatë."

Ajo që e zemëron atë më shumë është që lundrimi në internet është me të vërtetë i shtrenjtë. Një orë në një internet-kafe kushton rreth një të tretën e pagës ditore të një punonjësi në Kenia. Prandaj thuajse askujt nuk i del llogaria që të futet në internet. Prej rreth 40 milionë banorëve, internetin e përdorin më pak se 3 milionë:

Venansius Baryamureba është profesor për teknologjinë e kompjuterit në vendin fqinj, Ugandë dhe e njeh këtë problem: "Shpenzimet për komunikimin me shpejtësi të të dhënave janë një sfidë e madhe për Afrikën. Një lidhje me internetin, për të cilën në Evropë paguan ndoshta 10 dollarë, në Afrikë kushton 1.000 dollarë. Me fibrat e vendosura tani nën tabanin e oqeanit, shpenzimet do të reduktohen në një të dhjetën. Ky është një përparim i madh."

Autor: Antje Diekhans/Auron Dodi
Redaktor. Pandeli Pani