1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hagë: Paralajmërohen akuzat e para për krime lufte në Kosovë

Bekim Shehu
24 Shkurt 2020

Prokuroria Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, së shpejti do të ngrejë akuzat e para. Tashmë është caktuar edhe gjykatësi i procedurës paraprake.

https://p.dw.com/p/3YLy5
Internationale Strafgerichtshof für das ehemalige Jugoslawien
Fotografi: picture-alliance/dpa

Prokuroria Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila e ka selinë në Hagë, paralajmëroi të hënën (24.02) pasdite për fillimin së shpejti të ngritjes së akuzave të para. Njoftimi u bë zyrtarisht nga Prokuroria Speciale, e cila njofton, se "Prokurori i Specializuar ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara (Gjykatës Speciale) dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin”. Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, thuhet se tashmë kryetarja e ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar. Tash për tash, nuk dihet për numrin e aktakuzave sikundër nuk dihet përmbajtja e tyre.

"Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale që heton pretendimet për krime lufte në Kosovë. Gjykata Speciale apo, siç njihet me emrin zyrtar "Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, janë përgjegjës për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera penale në Kosovë në periudhën 1998-99. Kjo u mundësua në gusht të vitit 2015, kur Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka në Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë ende nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetime dhe intervistime të personave në shkallë të gjerë po vazhdojnë. Deri tani mbi 200 ish-pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019. Disa prej tyre në cilësinë e dëshmitarëve dhe disa në cilësinë e të dyshuarve. Në mesin e tyre në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale u ftua edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa është intervistuar edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ramush Haradinaj, në korrik të vitit të shkuar dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pikërisht - për siç tha ai -"ishte ftuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte”.