Gjykata Speciale pyet ish-pjesëtarë të UÇK-së | Ballkani | DW | 15.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Gjykata Speciale pyet ish-pjesëtarë të UÇK-së

Prokuroria Speciale ka ftuar shtatë persona për intervistim, që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së. Në mesin e tyre janë edhe dy ish-komandantë të zonave.

Prokuroria Speciale, pjesë e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, por me seli në Hagë, ka filluar intervistimin e disa personave, pjesë e hetimeve që po bën Prokuroria Speciale lidhur me krimet e luftës në Kosovë. Të intervistuarit  janë pjesëtarë të ish-UÇK-së, ndërsa, të ftuar për intervistim janë edhe dy ish komandant të zonave, Rrustem Mustafa i njohur me nofkën e luftës "komandant Remi dhe Sami Lushtaku ish-komandant i UÇK-së për zonën e Frenicës. Deri tash, ftesat për t'u intervistuar të bëra publike, kanë marrë shtatë persona, ndërsa, njëri thuhet të jetë dëshitar. Disa, nga të ftuarit po intervistohen në Prishtinë në selinë e misionit EULEX, ndërsa, disa do të intervistohen jashtë Kosovës, në Hagë. 

Njëri nga të intervistuarit e parë nga Prokuroria Speciale ishte Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës së UÇK-së gjatë luftës në vitin 1998-99 dhe një pjesëtar tjetër i UÇK-së, Safet Syla. Ky i fundit në një konferencë për medie, pas intervistimit tha se ai është intervistuar për 18 orë në selinë e misionit EULEX në Prishtinë. "Jam intervistuar për 18 orë nga Gjykata Speciale. Më kanë marrë pa ftesë. Nga pyetjet e bëra kam kuptuar që më kanë intervistuar për rolin tim në luftë”, tha Safet Syla.

Kosovo Parlament macht Weg für Sondertribunal frei (picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu)

Në gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale

Thaçi: T'i përgjigjemi dhe të mos i ikim asnjëherë drejtësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas bërjes publike të ftesave për intervistim nga Gjykata Speciale të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ftoi bashkëluftëtarët e tij që t'i përgjigjen ftesave nga Gjykata Speciale. "Dhomat e Specializuara, Kosova i ka themeluar në vitin 2015, duke besuar në të vërtetën dhe drejtësinë. Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë. Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t'i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore”, shkroi në profilin e tij social, Presidenti Hashim Thaçi.

Po kështu është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili thotë se qeveria e Kosovës do të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje ligjore për "luftëtarët e lirisë”. Ramush Haradinaj në vitin 2015, kur u votuan ndryshimet kushtetuese dhe ligji për Gjykatën Speciale e kishte kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate. "Siç kemi kaluar shumë vështirësi për të arritur këtu ku jemi, të gjithë duhet ta kuptojnë se si shtet e shoqëri edhe këtë dhembje, pas Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut e EULEX-it, do ta kalojmë faqebardhë së bashku, sepse luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën. Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t'i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë”, shkroi Ramush Haradinaj, duke shtuar se "qeveria e Kosovës do t'iu qëndrojë afër luftëtarëve të lirisë të të gjitha etapave dhe është gatshme në çdo kohë të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje juridike”.

Gjykata Speciale nuk komenton spekulimet për aktakuzat

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, (KMDLNJ) në një komunikatë për medie thotë se deri më tash ftesat për intervistim nga Gjykata Speciale i kanë marrë shtatë persona. KMDLNJ shprehet, se personat që janë ftuar për intervistim edhe mund të arrestohen.

Asnjë aktakuzë nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë deri tash nuk është ngritur për ndonjë të dyshuar të mundshëm, ndonëse prokuroria Speciale në  kuadër të kësaj gjykate është funksionale që nga 5 korriku i vitit të shkuar. Zëdhënësi i zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Benett, ka thënë se "kjo zyrë nuk komenton spekulimet për aktakuzat dhe nuk ofron informacione për statusin e hetimeve”. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, janë përgjegjës për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar punojnë rreth 150 persona, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës, ndërsa  nuk punon asnjë person nga Kosova.

Në gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte  dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetimet në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.