Gjermania, treg tërheqës për SHBA
26 Gusht 2005Jo vetëm Elvis Presley, amerikanët në përgjithësi kanë pasur gjithnjë një marrëdhënie të veçantë me Gjermaninë. Por në vitet e fundit imazhi është keqësuar. Për shembull automjetet amerikane konsiderohen ndërkohë më të besueshme sesa Mercedesi dhe një kuotë papunësie mbi 10 për qind është e papërfytyrueshme për amerikanët, të cilët vetë kanë 5 për qind. Megjithatë këtë verë Gjermania po përjeton një përmirësim të rezonancës në SHBA. Nën titullin "Germany's surprising economy" revista ekonomike mjaft e lexuar në SHBA "The Economist" e tregonte shqiponjën gjermane me biceps të fryrë. Robert Bergmann është përfaqësues i industrisë gjermane në Uashington:
"Me siguri do të shohim një rritje të interesimit të SHBA për Gjermaninë si vend biznesi."
Ende kushtet nuk janë të gjitha të shkëlqyera, por Bergmann dallon hapa të mirë:
"Vlerësimi amerikan për Gjermaninë ende nuk ka ndryshuar rrënjësisht, por ka shenja që flasin për një potencial të mirë në Gjermani."
Edhe Joe Quinlan, kryestrateg i Bank of America sheh interesim në rritje në SHBA për Gjermaninë si vend biznesi.
"Përkundër disa paragjykimeve Gjermania është një treg tërheqës për firmat amerikane: me një bazë të shëndoshë dhe pikërisht në fushën e teknologjisë me forca pune të përgatitura mjaft mirë. Unë nga ana ime do të dëshiroja më shumë reforma të orientuara nga rritja ekonomike. Dhe ligji është: sa më shumë rritje ekonomike, aq më shumë investime."
Përveç forcave të kualifikuara të punës në Gjermani Quinlan dallon para së gjithash në shtrirjen gjeografike mundësi të mëdha për rritje ekonomike:
"Në kufi me Gjermaninë shtrihet një lloj Kine e përmasave të vogla, Evropa qendrore. Taksat e ulta për sipërmarrjet në Evropën lindore dhe forcat e kualifikuara të punës në këto vende do t'i çojnë përpara firmat evropiane, pra edhe ato gjermane."
Por çfarë do të thotë ky ndryshim i perceptimit të Gjermanisë në SHBA? A do të investojnë tani më shumë investuesit dhe sipërmarrjet amerikane në Gjermani?
Hans Deppe, shef për Gjermaninë në sipërmarrjen gjigante amerikane për chipet elektronike AMD, tërheq vëmendjen nga investimet e kryera tashmë dhe ka ende shpresa tek Gjermania si vend biznbesi.
"Që prej vitit 1996 AMD ka investuar rreth 3,5 miliardë dollarë në qytetin e Dresdenit. Fabrika e dytë është në ndërtim e sipër dhe deri në fund të vitit 2007 do të ketë kërkuar 2,4 miliardë dollarë investime. Dhe puna nuk merr fund me kaq."
Megjithatë Amerika mëmëdheu i konsumit ka një kërkesë ndaj Gjermanisë: të konsumojë më shumë. Sepse, dhe këtu përputhen mendimet e ekspertëve amerikanë për Gjermaninë, parakusht për një hov ekonomik nuk janë vetëm eksportet në rritje por edhe rritja e kërkesës së brendshme.