Emigracioni nuk duhet të barazohet me kriminalitetin | Gjermania | DW | 15.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Emigracioni nuk duhet të barazohet me kriminalitetin

Në Wiesbaden filloi takimi i vjeshtës i Entit federal për kriminalitetin (BKA). Në qendër të vëmendjes të takimit të sivjetshëm është emigrimi ilegal

Kurse integrimi për të huajt

Kurse integrimi për të huajt

Qeveria gjermane synon që gjatë periudhës së presidencës së saj në krye të BE-së të angazhohet për t'u prerë rrugën bandave të trafikantëve dhe për të thelluar integrimin e të huajve në vendet e BE-së.

Që në fillim të këtij takimi u bë e qartë se sa e gjerë është fusha e diskutimeve që përfshihen nën titullin e konferencës "Migracioni ilegal - fushat e veprimit të shoqërisë dhe të policisë në transformim." Në takim u fol gjërë e gjatë edhe për emigrimin legal në Gjermani.

Presidenti i BKA-së, Jërg Zircke, theksoi:"Emigracioni nuk duhet të barazohet me kriminalitetin. Shumica e të huajve dhe emigrantëve që vijnë në Gjermani nuk bëjnë vepra penale. Të larta janë shifrat e veprave penale në radhët e të rinjve meshkuj, që i takojnë brezit të dytë apo të tretë të emigrantëve. Shkak për këtë janë frustrimi prej jetës, përvojat me segregacionin e deri tek izolimi social, që luajnë një rol të madh."

Emigracioni duhet kontrolluar

Nisur nga këto shkaqe Zircke theksoi se bashkohet me mendimin e MPB Wolfgang Schäuble, që emigracioni duhet të jetë i kontrrolluar, sepse ndryshe integrimi nuk mund të funksionojë.

Për këtë duhet që edhe bandave të organizuara të trafikantëve të qënieve njerëzore t'u pritet rruga dhe t'u hiqen mundësitë e veprimit, pasojë e të cilave janë edhe forma të tjera të kriminalitetit:"Ata synojnë vetëm të fitojnë para, që ua nxjerrin në mënyrë brutale prej xhepave migrantëve dhe familjeve të tyre. Për këtë zbatimi konsekuent i një politike rigoroze për t'i ndërprerë rrugën emigracionit ilegal është pjesë e rëndësishme e një politike të sukseshme emigrimi." - theksoi MPB Schäuble.

Punë jo ndihmë sociale

Sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së, metodat biometrike për letrat e njoftimit dhe pasaportat, ligje të njësuara për azilin dhe të drejtën e qëndrimit në të gjitha vendet e BE-së, janë tepër të domosdoshme. Schäuble është i mendimit se ata që lejohen të qëndrojnë në Gjermani duhet të kenë edhe të drejtën e punës, pavarësisht prej statusit sipas ligjit për të huajt.

"Ata njerëz që jetojnë për një farë kohe në vendin tonë, duhet të kenë të drejtën që të punojnë, sepse pavarësisht nga statusi i qëndrimit, pra me të drejtë apo pa të drejtë, do të ishte më mirë që ata ta sigurojnë jetën e tyre duke punuar, sesa duke jetuar prej ndihmave sociale."

Gjermania mban përgjegjësi

Në takim u theksua se edhe Gjermania mban përgjegjësi për emigrantët. Masa duhen marrë pra edhe për ata punëdhënës të cilët e shfrytëzojnë pa skrupull pozitën e pafavorshme të emigrantëve ilegalë, ose atyre që nuk u lejohet të punojnë, përmes pagimit të rrogave më të ulta. Schäuble kërkoi që përmes kurseve të gjuhës gjermane të kontribuohet për integrimin e emigrantëve.

Ministri Schäuble theksoi se pret që besimtarët e fesë islame të inkuadrohen në jetën gjermane dhe u shpreh se ka shpresa tek dialogu që ka filluar në këtë drejtim.

Peshkopja protestante e Hanoverit, Margot Kässmann, kërkoi më tepër solidaritet me emigrantët dhe që diskutimet të bëhen me arsye dhe jo me patos:"Unë mendoj vërtet se në shoqërinë tonë është e rëndësishme sot që të mos nxistim një debat emocional dhe të zjarrtë pas tjetrit, apo edhe më keq t'u hedhim benzinë vatrave të konflikteve ekzistuese. E rëndësishme është që njerëzit që duan të jetojnë në një vend të lirë, ta vlerësojnë lirinë e besimit, të fesë dhe të mendimit dhe të bashkohen për t'iu kundërvënë intensivisht si atyre që veprojnë në kahun e djathtë edhe atyre që veprojnë në kahun tjetër."

Mesazhi i peshkopes protestante të Hanoverit, se ndryshe nuk mund të ketë integrim, u përkrah mjaft edhe prej përfaqësueve të organeve të policisë dhe të hetuesisë.

  • Data 15.11.2006
  • Autor Walter Kraus
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyi
  • Data 15.11.2006
  • Autor Walter Kraus
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyi