Ekspozitë për revolucionin paqësor dhe ribashkimin gjerman
2 Prill 2024Ekspozita "Revolucioni paqësor dhe ribashkimi gjerman" është një pasqyrë kompakte e epokës, në të cilën vendi dhe i gjithë kontinenti u nda. Lindja dhe Perëndimi ishin sinonim i luftës mes komunizmit dhe kapitalizmit. Po flasim për kohën kur kufijtë ndarës e të pakapërcyeshëm kalonin nëpër Gjermani dhe Evropë. Ato u rrënuan kur në vitet 1989/90. miliona njerëz të guximshëm në ish-RDGJ, në Poloni, Hungari dhe vende të tjera, luftuan paqësisht për lirinë dhe demokracinë e tyre. Ekspozita është ideuar nga Fondacioni Gjerman për Përballjen e Diktaturës SED. Akronimi SED i referohet Partisë Socialiste të Bashkuar të Gjermanisë, e cila ishte selia e pushtetit në RDGJ.
Objektivi më i rëndësishëm i ekspozitës janë të rinjtë. Kjo është arsyeja pse prezantimi u mbajt në një shkollë të mesme të Berlinit. Adoleshentët e shkollës, Heinrich-Hertz u zhytën në historinë e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Sepse ata ishin dëshmitarë të Luftës së Ftohtë.
Ngjarjet historike shfaqen në gjashtë postera të mëdhenj – si foto, faqe kalendarike, por edhe në formën e teksteve të shkurtra dhe kodeve QR, të cilat çojnë në video. Këtu janë me siguri edhe ditët si 9 nëntori 1989, dita kur ra Muri i Berlinit, por edhe 5 shkurti i të njëjtit vit - dita kur Chris Gueffroy u qëllua nga ushtarët ndërsa përpiqej të arratisej nga Berlini Lindor në Perëndim.
20-vjeçari ishte viktima e fundit e urdhrit të RDGJ për të qëlluar këdo që guxonte të përpiqej të arratisej përtej kufirit lindje-perëndim. Jön Zenner nga shkolla Heinrich-Hertz është 17 vjeç dhe ai e njihte kompleksitetin e ndarjes gjermane vetëm në orët e historisë. "Ne nuk kemi folur shumë për këto gjëra në familje”, thotë ai.
Për një kohë të gjatë nuk kishte asnjë arsye për të folur për të. Babai i Jönit është nga Gjermania Perëndimore, nëna nga Hong Kongu. "Prandaj nuk është e rastit që ne jetojmë në Berlin, ku njëri prind vjen nga Lindja dhe tjetri nga Berlini Perëndimor”, thotë maturanti i ardhshëm.
Lindja dhe Perëndimi nuk luajnë më ndonjë rol të madh
Së bashku me Marla Böhme, Zenner trajtoi temën e fundit të ekspozitës: të rinjtë në një Gjermani të bashkuar. Studimi i vitit 2019 thotë: "Dallimet midis Lindjes dhe Perëndimit, midis gjinive dhe midis të rinjve me dhe pa sfond migrimi po zvogëlohen gjithnjë e më shumë".
Gjashtëmbëdhjetë vjeçarja Marla mund ta konfirmojë këtë nga këndvështrimi i saj: "Unë edhe më parë kisha ndjenjën se në brezin tonë nuk ka dallime të mëdha mes të rinjve nga lindja dhe perëndimi i Gjermanisë.
Ajo pajtohet me Jönin se ekspozita është shumë e dobishme për mësimdhënien në shkollë. "Unë mendoj se është më e dobishme sesa, për shembull, prezantimi dhe shikimi në një smartphone," thotë Marla. Arsyeja: Vëmendja është jetëshkurtër në telefon. "Kur gjërat paraqiten në ekspoitë, ju përqendroheni më shumë në të."
Profesori i tyre, Alexander Buchholtz, është i impresionuar nga interesimi i studentëve të tij. "Ata morën postera dhe duhej të hulumtonin temën dhe më pas ta prezantonin këtu”, tregon 42-vjeçari detyrën që u dha. "Ata kishin ide të shkëlqyera," vlerëson studentët e tij Buchholtz, i cili jep mësim histori, politikë dhe sport.
Shpresat dhe frika e prindërve
Fondacioni Federal për Trajtimin e Diktaturës mezi pret përgjigjen pozitive për ofertën e tij më të fundit arsimore. Sigurisht, tema është pafundësisht e largët për këtë brez shkollor, thotë regjisorja Anna Kaminsky. "Por kjo është pikërisht ajo që prindërit e saj kujtojnë që kur ishin të vegjël. Edhe ata flasin për shpresat që kishin apo çfarë frike ndjenin."
Kjo vlen edhe për njerëzit nga vendet e tjera, të cilët luftuan për liri gjatë viteve 1980 të shekullit të kaluar. Një poster i ekspozitës titullohet "Çlirimi i Evropës Lindore dhe Qendrore". Mbi të theksohet grafikisht citati: "Muri i parë u shkatërrua në vitin 1980 në kantierin e anijeve në Danzig. Më vonë, muret simbolike morën radhën dhe gjermanët shkatërruan Murin e Berlinit."
Këto fjalë vijnë nga elektricisti Lech Wałęsa, i cili në Poloninë komuniste nga viti 1980 deri në vitin 1990 ishte president i sindikatës "Solidariteti", ndërsa nga viti 1990 deri në 1995 edhe president i Polonisë. Ai mori çmimin Nobel për Paqen për kontributin e tij për liri dhe demokraci.
Më shumë se tre dekada pas ndryshimeve paqësore në Gjermani dhe Evropë, Rusia po përpiqet të kthejë me dhunë rrjedhën e historisë - me një sulm të paligjshëm ndaj Ukrainës. Kjo tregon se sa të brishta dhe të rrezikuara janë demokracitë. Ato sulmohen nga ata që dëshirojnë pushtetin, të fortët e pamëshirshëm si Vladimir Putin, apo ekstremistët e krahut të djathtë.
Si të mbroni demokracinë nga armiqtë? Në këtë kontekst mund të shihet edhe ekspozita "Revolucioni paqësor dhe bashkimi gjerman”. Kjo na detyron të mendojmë - si ndodhi kjo? Çfarë mund të bëhet për të mbrojtur një shoqëri të hapur, demokratike nga armiqtë e saj?
Interesi për ekspozitën është i madh: Mbi 500 shkolla, biblioteka dhe arkiva kanë porositur tashmë nga një bllok me gjashtë postera. Kërkesa kanë mbërritur edhe nga Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa pllakat me tekste janë në dispozicion në gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht.