Bushi me vetëbesim të ri | Bota | DW | 09.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bushi me vetëbesim të ri

Debati i dytë televiziv kundër Kerit

Xhorxh Bush dhe Xhon Keri

Xhorxh Bush dhe Xhon Keri

Në kampin e Bushit ishin tepër të kënaqur pas debatit. Në ndryshim nga debati i parë presidenti u paraqit më i freskët, më i përqendruar dhe e zotëronte më shumë veten. Kjo në një kohë kur Xhon Keri e shfrytëzoi të parën nga pyetjet, të cilat këtë herë vinin nga publiku, për sulm frontal kundër Bushit:

"Presidenti nuk gjeti armë të asgjësimit në masë në Irak, prandaj ai e ka shndërruar tani betejën e tij zgjedhore në një fushatë mashtrimi në masë."

Bushi e mbrojti Luftën e Irakut me argumentin se pas 11 shtatorit Sadam Huseini paraqiste një rrezik tepër të madh për të ndenjur pa vepruar. Edhe Bushi iu referua raportit përfundimtar të inspektorit amerikan të armëve Charles Duelfer, në të cilin tregohej qartë mosekzistenca e armëve irakiane të asgjësimit në masë në fillim të Luftës së Irakut dhe gjatë përgatitjes së saj.

"Sadami mori pjesë në programin naftë për ushqime vetëm për të hequr qafe sanksionet. Ai kishte një arsye për këtë: donte të rigjallëronte programin e tij të armatimit."

Keri e kundërshtoi me fjalët:

"Raporti Duelfer sapo jua tregoi. Sanksionet funksiononin, Iraku nuk kishte armë të shfarosjes në masë. Sikur të kishim bërë diplomaci me mend, do të kishim kursyer 200 miliardë dollarët e kësaj lufte si dhe pushtimin. Dhe Osama Bin Ladeni do të ishte sot ndoshta në burg ose i vdekur."

Bushi i shmangu këtë herë ngërdheshjet dhe në përgjithësi forma e këtij debati, ku kundërshtarët mund të lëviznin lirshëm me mikrofon në sallë dhe t'i drejtoheshin drejtpërdrejt publikut, dukej se i përshtatej. Në këtë mënyrë ai mundi të kundërsulmonte tek politika e Kerit për Irakun:

"Nuk besoj që mund të fitosh në Irak po të jesh i mendimit se as që duhet të ishim atje. Po ashtu nuk e kuptoj se si mund t'i udhëheqësh trupat kur thua se kjo është lufta e gabuar në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Po ashtu nuk e di se si mund të kenë besim irakianët tek presidenti ynë kur ai mendon që është gabim që jemi atje."

Në pjesën e dytë të debatit pati pastaj për të parën herë goditje e kundërgoditje të drejtpërdrejta mbi temat e politikës së brendshme. Keri e akuzoi Bushin para së gjithash për keqmanaxhim të ekonomisë:

"Në fillim të legjislaturës presidenti Bush pati trashëguar një sufiçit prej 5,6 bilionë dollarësh nga paraardhësi i tij. Ndërkohë kemi një defiçit prej 2,6 bilionë, përmbysja më e madhe e këtij lloji në historinë e vendit tonë. Dhe presidenti Bush është i pari president që prej 72 vjetësh nën drejtimin e të cilit vendi ynë ka humbur vende pune."

Bush e kundërshtoi këtë duke theksuar se ekonomisë amerikane ju desh të merrte veten pas një recesioni të shoqëruar nga sulme terroriste dhe skandale financiare. Xhon Keri, tha ai, premton përmirësime sociale që nuk mund t'i paguaj.

"Ai ka propozuar shpenzime të tjera me vlerë 2,4 bilionë dollarë. Si kërkon ta paguaj ai këtë? Ose duhet t'i thyej premtimet ose të rrisë taksat. Siç e njoh unë, ai do të rrisë taksat."

Ndryshe nga debati i parë, në anketimet në përfundim të të cilit shumica e shiukuesve dalloi një epërsi të Kerit, ky duel nuk pati fitues të qartë. Tani kundërshtarët do të paraqiten të mërkurën e ardhshme në duelin e tretë dhe të fundit në shtetin e Arizonës, ku do të debatohet vetëm për tema të politikës së brendshme.

  • Data 09.10.2004
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArS3
  • Data 09.10.2004
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArS3
Reklamë