Bilanci pas përfundimit të Kampionatit Botëror të Futbollit 2006 | Gjermania | DW | 10.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bilanci pas përfundimit të Kampionatit Botëror të Futbollit 2006

Kampionati Botëror i Futbollit është një aktivitet enorm sportiv, sigurisht edhe për Gjermaninë. Por ky kampionat kishte një kuptim të veçantë, sepse Gjermania u përball me ndjenja të reja patriotizmi

Heroi i Gjermanisë, Jürgen Klinsmann

Heroi i Gjermanisë, Jürgen Klinsmann

Kush pati mundësinë të vizitojë Gjermaninë gjatë javëve të kaluara, mund të ketë menduar se ndodhet në një shtet tjetër. Paragjykimet se gjermanët janë të ftohtë dhe seriozë në maksimum, nuk u vërtetësuan aspak. Gjermanët festuan me vizitorët e tyre nga e gjithë bota një festë gjigande që zgjati 4 javë. Në qytetet gjermane flamujt dhe bluzat e ekipeve nga 32 shtete të botës, krijuan mozaikë të mrekullueshëm ngjyrash. Gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit, gjermanët ishin aq të qetë dhe të hapur sa kurrë më parë. Krejt papritur, tifozët gjermanë valëvisnin kudo flamujt kombëtarë dhe festonin të gëzuar.

Sipas vlerësimeve të opinionit publik ndërkombëtar, Gjermania ishte një mikpritëse e shkëlqyer. Një ilaç vërtet antidepresiv për vetëdijen gjermane, e cila vuan nga zhvillimet ekonomike dhe rezultatet e dobëta të sistemit arsimor. Shpresojmë se kjo shpengueshmëri e re dhe kjo ndenjë "gjithçka është e mundur", do të mbetet përgjithmonë si trashëgimi e Kampionatit Botëror të Futbollit 2006.

Sigurisht që kjo ishte merita e futbollit, e qytetarëve gjermanë dhe e tifozëve nga e gjithë bota që vizituan Gjermaninë. Dhe sigurisht merita e ekipit kombëtar gjerman dhe trajnerit të saj Jürgen Klinsmann. Ata arritën të mobilizojnë aq shumë njerëz në vend gjatë këtyre 4 javëve, sa e gjithë qeveria kuq e zi gjatë 8 muajve të fundit.

Dhe këtu i rikthehemi fatkeqësisht realitetit të zymtë në vend. Ndërkohë që kancelarja Angela Merkel shkëlqeu përpara kamerave si nje tifoze e vërtetë, Berlini politik u ndesh me një kaos të vërtetë. Ndërkohë që në tavolinat e politikanëve gjermanë mblidheshin planet për reformat e reja në vend, anëtarët e koalicionit të madh e kaluan shumicën e kohës duke akuzuar njëri-tjetrin. Por të paktën gjatë këtij kampionati botëror, qeveria gjermane arriti t´i prezantojë popullit reformën e re të federalizmit dhe ata të sistemit shëndetësor, ndonëse të dyja këto reforma janë ende të paqarta për shumicën e gjermanëve.

Kështu që ja vlen t´i hedhim një sy Jürgen Klinsmannit. Ish-bukëpjekësi arriti atë që dukej e pamundur në Gjermani: Ai reformoi me të vërtetë dhe nuk foli kot. Por cila është aq shumë e përfolura "metoda e Klinsmannit", nga e cila mund të mësojë politika gjermane? Nuk janë vetëm konceptet dhe metodat e tij të trejnimit, të cilat ai i solli me vete nga SHBA-s, vendi ku rriten gurutë e fitnesit. Është aftësia e tij për t´u lumturuar, aftësi kjo aq autentike, sa i bën përvetë të gjithë. Klinsmann i përjetoi idetë dhe vizionet e tij çdo ditë, sikur të ishte hera e parë.

Megjithë kritikat në fillim të karrierës së tij si trajner i ekipit kombëtar gjerman, si lojtarët ashtu edhe opinioni publik, mësuan shpejt se ky burrë i besonte fjalët që thoshte. Dhe po të jemi të sinqertë: Kur e menduan këtë gjë gjermanët ndonjëherë mbi politikanët? Në rast se politika mund të mësojë vërte diçka nga Klinsmann, atëherë këtë: Edhe një ekip mesatar mund të kthehet në një skuadër të klasit të lartë. Pra ka ende shpresa. Ndoshta edhe për qeverinë gjermane.

  • Data 10.07.2006
  • Autor Ralf Bosen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar08
  • Data 10.07.2006
  • Autor Ralf Bosen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar08