Banka gjermane - Deutsche Bank prezantoi bilancin për vitin 2004 | Gjermania | DW | 05.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Banka gjermane - Deutsche Bank prezantoi bilancin për vitin 2004

Banka gjermane është një ndër bankat më të mëdha në botë. Në të vërtetë ekzistojnë parametra të ndryshëm për të përcaktuar madhësinë e një banke. Në këtë mënyrë matur sipas shumës së bilancit ajo renditet në vendin e gjashtë, në bazë të shkallës së përfitimit në vendin e dhjetë dhe në kapitalizimin e tregut vetëm në vendin e 23-të. Pothuajse në të gjitha kategoritë e para prinë banka amerikane "Citigroup". Të enjten (3.2) në Frankfurt mbi Majn Banka gjermane, Deutsche Bank prezantoi bilancin për vitin 2004.

Shefi i Deutsche Bank, Jozef Akerman

Shefi i Deutsche Bank, Jozef Akerman

Krahasuar me bankat më të mëdha në botë institucionet bankare gjermane nuk kanë ndonjë imazh të vecantë - në të vërtetë ato njihen si jo aq profitabile. Megjithatë Jozef Akerman, zëdhënës i Kryesisë së Bankës Gjermane është në rrugë të mirë drejt përforcimit të këtij institucioni. Para gazetarëve në Frankfurt ai prezantoi rezultatin më të mirë në këto pesë vitet e fundit: një ngritje fitimi pas zbritjes së taksave prej 87 përqind në 2,5 miliardë euro. Edhe aksionerët duhet të përfitojnë nga këto zhvillime të reja, me një divident të ngritur për 20 cent në 1 euro e 70 cent.

"Viti 2004 ishte jashtëzakonisht i suksesshëm për Bankën Gjermane. Ne kemi arritur synimet që i kishim parashtruar vetes dhe me propozimin tonë për dividentin lejojmë që suksesit tonë t`i bashkangjiten edhe aksionerët tanë. Ne kemi përforcuar edhe më tej pozitën tonë strategjike në fushat kryesore të biznesit dhe kemi investuar në zhvillimin e ardhshëm. Kthimi ynë nga klientët privat na është shpaguar", sqaron Akerman.

Por kështu nuk ishte gjithmonë. Para pesë vitesh përshembull krijohej përshtypja se banka më e madhe në vend nuk sheh më asnjë interes nga klientët privat - në trend ishte atëherë investimi bankar. Megjithatë me kohë në tregun e financave u dëshmua se edhe krejt pa klientët privat nuk shkon. Andaj sytë u kthyen sërish nga ata prej të cilëve edhe vjen një e treta e fitimit të rezultatit të prezantuar në Frankfurt. Për dallim në vitin 2001 përshembull nga klientët privat kishte vetëm 2% fitim.

Nuk ka dyshim, Banka Gjermane është bërë më profitabile, përshembull ajo ka arritur që kreditë problematike t`i ul nga 6,6 miliardë në 4,8 miliardë euro. Akerman:

"Me këtë ne kemi plotësuar parakushtet që të arrijmë synimet tona për vitin 2005. Me programin tonë 'Business Alignment' ne jemi në rrugë të mirë që të arrijmë qëllimin tonë financiar të renditit të kapitalit të vet prej 25%", thotë Akerman.

Pas Programit 'Business Alignment' fshihet një shkurtim masiv i vendeve të punës. Shtëpia e parave që dikur numëronte 80 mijë punëtorë e tani 60 mijë planifikon mbylljen edhe të 5200 vendeve tjera të punës. Për këtë hap Banka gjermane do të përdorë 1,3 miliardë euro cka do të thotë se për cdo përjashtim nga puna banka do t´i paguaj punëtorit një dëmshpërblim prej 200 mijë eurosh. Në këto shifra bën pjesë edhe shkurtimi i 1900 vendeve të punës i paralajmëruar në dhjetor të vitit të kaluar.

"Ky vendim nuk ka qenë i lehtë për ne. Me të gjithë pjesëmarrësit ne do të kërkojmë zgjidhje korrekte dhe të përgjegjshme. Shumë bashkëpuntorë do të punësohen nga partnerët tanë të jashtëm. Përfundimisht ne mund të jemi punëdhënës atraktiv vetëm nëse sigurojmë aftësinë tonë konkururse për një kohë më të gjatë", nënvizon Akerman.

Dhe Akerman beson që viti 2005 do të jetë edhe një vit suksesi në këtë drejtim. Në vitin 2003 nga secila euro kapital i vet në arkë kanë mbetur vetëm 10 cent përfitim, në vitin 2004 ishin 17 cent ndërkohë që për këtë vit duhet të mbeten 25 cent. Në botë Banka gjermane renditet në vendin e 6-të për shumën e bilancit por vetëm në vendin e 10-të për shkallën e përfitimit, në vendin e 16-të për shpenzimet dhe në vendin e 23-të për vlerën e aksioneve.

  • Data 05.02.2005
  • Autor Rolf Venkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4j
  • Data 05.02.2005
  • Autor Rolf Venkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4j