1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po rrezikon lufta për pushtet diplomacinë evropiane?

6 Mars 2010

Të premten u takuan në Cordoba ministrat e jashtëm të BE-së. Në rendin e ditës është edhe ngritja e shërbimit diplomatik të BE-së. Por planet e Ashtonit, janë bërë shkak për shpërthimin e një polemike të ashpër.

https://p.dw.com/p/MLoM
E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton.
E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton.Fotografi: AP

Në 11 faqe e ka përmbledhur e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme konceptin për shërbimin e ri diplomatik të Unionit. Është një kompromis i komplikuar me të cilin Lady Catherin Ashton kërkon të plotësojë dëshirat e të gjithë shefave të saj. Ajo duhet të ketë parasysh kërkesat e 27 ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe ato të Komisionit të BE-së me presidentin e tij Jose Manuel Barroso. Rreth 5.000 funksionarët nën drejtimin e Lady Ashton që janë përgjegjës për vënien në jetë të politikës së jashtme të BE-së, vijnë një e treta nga vendet anëtare, një e treta nga Komisioni i BE-së dhe një e treta nga sekretariati i Këshillit të Ministrave.

Lufta për poste

Në Bruksel kanë shpërthyer luftëra për ndarje pushteti, ofiqesh dhe postesh. Para së gjithash Komisioni i BE-së kërkon të sigurojë influencën e tij ndaj zonjës nga Britania e Madhe, e cila konsiderohet e dobët. Por të paktën me fjalë ministrat e jashtëm të BE-së i dolën në krah Catherine Ashtonit. Kështu edhe ministri i Jashtëm finlandez Alexander Stubb:

Minsitri i Jashtëm finlandez, Alexander Stubb.
Minsitri i Jashtëm finlandez, Alexander Stubb: Ashton kritikohet pa të drejtë!Fotografi: AP

"Unë mendoj se Lady Ashton është kritikuar në mënyrë shumë të padrejtë. Unë e dënoj luftën mes institucioneve, sekretariatit të Këshillit dhe Komisionit, që po zhvillohet tani në Bruksel. Ka disa vende anëtare të cilat në nivel funksionarësh punojnë për të dëmtuar Catherine Ashtonin."

Ndarje e paqartë e punëve

Çfarë detyrash ka kush në autoritetin e ri të BE-së është e paqartë. Edhe kontrolli mbi buxhetin vazhdon të jetë i polemizuar. Franca dhe Gjermania para takimit në Cordoba kritikuan faktin që funksionarët e tyre nuk merren sa duhet në konsideratë. Por edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle përdor tani tone më të buta. Kritika ndaj Lady Ashtonit është në pjesë të madhe, pra jo plotësisht, e pajustifikuar.

"Secili ka interesat e veta kombëtare, kjo nuk vihet në diskutim. Por nëse duam të jemi të fortë si Evropë në arenën ndërkombëtare, atëherë duhet të flasim me një zë", tha Westerwelle.

Brenda pak javësh koncepti për shërbimin diplomatik, i cili është themeluar me marrëveshjen e Lisbonës, duhet të ketë marrë formë. Nga Komisioni i BE-së thuhet megjithatë se puna konkrete nuk do të fillojë para fundit të vitit. Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt dhe ministri i Jashtëm britanik David Milliband, patën kërkuar në një letër që të ruhet influenca e ministrave të jashtëm dhe të reduktohet pushteti i Komisionit të BE-së.

Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt
Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt: të ruhet influenca e ministrave të jashtëm të BE-së.Fotografi: AP

Carl Bildt i doli në mbrojtje Lady Ashtonit. Ajo tani po bën në politikën e jashtme të BE-së punë të cilat para marrëveshjes së Lisbonës kryheshin nga tre persona.

"Asaj i duhet t'i bëjë të gjitha njëherësh. Veç kësaj duhet të përballojë edhe një luftë shumë, shumë të ashpër me burokratët në Bruksel. Kjo është vërtet e vështirë", tha ai.

(Pa)varësia e Ashtonit

Shërbimi diplomatik i BE-së duhet të jetë me çdo kusht i pavarur dhe nuk duhet të mbesë në tutelën e institucioneve të BE-së, tha ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle. Por Catherine Ashton ulet në dy karrige pasi është edhe anëtare e Komisionit të BE-së dhe është nën varësinë e presidentit të Komisionit Barroso. Diplomatët e BE-së ndërkohë kanë dyshime, nëse me këtë konstruksion, politika e jashtme e BE-së do të perceptohet vërtet në botë me uniforme dhe e njësuar se deri tani.

Autor: Bernd Riegert /Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani